U kremtua Festa e Kryeengjëjve Mihail dhe Gabriel dhe e Fuqive Patrup në Kishën tonë Orthodhokse
Sot, më 8 nëntor, Kisha Orthodhokse kremtoi me solemnitet Festen e Kryeengjëjve Mihail dhe Gabriel dhe të të gjitha Fuqive Qiellore Patrup, një nga ngjarjet e rëndësishme të kalendarit liturgjik.
Shërbesat e Shenjta u zhvilluan në Kishën e Ungjillëzimit në Tiranë, me praninë e Fortlumturisë së Tij, Kryepeshkopit të Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë imzot Joanit, i cili u lut bashkë me klerikët e Kryepeshkopatës së Hirshme.
Në këtë ditë të shenjtë, besimtarët u bashkuan në lutje falënderimi për engjëjt e Zotit që ruajnë dhe udhëheqin besimtarët me mëshirë dhe kujdes të vazhdueshëm.
Festa e 8 nëntorit është një kujtesë e rendit të padukshëm shpirtëror që shoqëron krijimin. Engjëjt, si shërbëtorë të Zotit, janë lajmëtarë të vullnetit të Tij dhe mbrojtës të njerëzve me besim, në çdo kohë.
Kryeëngjëlli Mihail, prijësi i ushtrive qiellore, përfaqëson fuqinë dhe besnikërinë ndaj së Vërtetës, ndërsa Kryeëngjëlli Gabriel, lajmëtari i Fjalës Hyjnore, sjell mesazhin e shpresës dhe të paqes, siç i shpalli edhe Hyjlindëses Mari, lajmin e mirë.
Etërit e Kishës e shohin këtë ditë si një thirrje për pastrim shpirtëror dhe përulësi, duke na kujtuar se si Engjëjt, edhe ne jemi të thirrur të jetojmë në dritën e dashurisë së Zotit.
Shën Vasil i Madh shkruan se engjëjt “janë dritë që ndriçojën dritën”, ndërsa Shën Joan Gojarti na mëson se ata “janë mbrojtësit e shpirtit të njeriut dhe lajmëtarët e mëshirës hyjnore”.
Festa e sotme na kujton se njeriu nuk është kurrë vetëm: engjëjt e Zotit qëndrojnë pranë çdo besimtari, duke e udhëhequr drejt paqes dhe shpresës.
Kisha e shenjtë na fton që, duke ndjekur shembullin e tyre, të jetojmë me dashuri, besim dhe vullnet për të shërbyer ndaj Zotit dhe Kishës së Tij.
Gëzuar të gjithë vëllezërve dhe motrave në Krishtin, Engjëll, Engjëllush, Engjëllushe, Anxhel/o/a, Angjeli/o/a, Angjelin/a, Lina, Angjeliki, Angji, Mihail/a, Mikel/a, Mikael/a, Mishel/a, Mëhill, Mihal, Mihallaq, Miha/o, Llaqi, Gabriel/a, Gavriil/ia, Rafael/a, Rafail, Ela, Keruvim, Serafin/a, Serafim/a, që mbajnë emrin dhe festojnë sot në nderim të kryeengjëjve Mihail dhe Gavriil dhe Fuqive të Patrup.
Media Ngjallja
Data: 8 Nëntor 2025
Shënim: Burimi: Radio Ngjallja. Lidhja origjinale: Radio Ngjallja.
#RadioNgjallja #Lajme #KishaOrthodhokse