E Diela V e Llukait (I pasuri dhe Llazari)
APOSTULLI – Galatianëve 2:16-20.
Duke ditur se nuk drejtësohet njeriu prej veprash ligji, veçse me anë të besimit të Jisu Krishtit, edhe ne i besuam Krishtit Jisu, që të drejtësohemi prej besimit të Krishtit, dhe jo prej veprave të ligjit; sepse asnjë mish nuk do të drejtësohet prej veprave të ligjit. Po në qoftë se duke kërkuar të drejtësohemi në Krishtin, u gjetëm edhe ne mëkatarë, atëherë Krishti qenka shërbëtor i mëkatit? Larg qoftë!
Sepse nëse ndërtoj përsëri ato që prisha, bëj veten time shkelës. Sepse unë me anë të ligjit vdiqa në ligj, që të rroj në Perëndinë. Bashkë me Krishtin u kryqëzova; edhe s'rroj më unë, po Krishti rron tek unë; edhe ajo që rroj unë tani në mish, rroj në besimin e Birit të Perëndisë, i cili më deshi edhe dha veten e tij për mua.
* * * * *
UNGJILLI – Llukai 16:19-31.
Edhe ishte një njeri i pasur, edhe vishej me purpur e me li të çmueshëm, duke dëfryer përditë me ndriçim.
Ishte dhe një i varfër që e kishte emrin Llazar, i cili dergjej pranë portës së atij plot me plagë, edhe dëshironte të ngopej me thërrimet që binin nga tryeza e të pasurit; por edhe qentë vinin e lëpinin plagët e tij.
Edhe ndodhi që i varfëri vdiq dhe u pru nga engjëjt në gjirin e Abrahamit. Dhe vdiq edhe i pasuri dhe u varros. Edhe në had, ku ishte në mundime, ngriti sytë e tij e sheh Abrahamin së largu, edhe Llazarin në gjirin e atij.
Edhe ai thërriti e tha: O atë Abraham, përdëllemë, dhe dërgo Llazarin, që të lyejë majën e gishtit të tij në ujë, edhe të më ftohë gjuhën; sepse po mundohem në këtë flakë.
Po Abrahami i tha: O djalë, kujtohu, se ti i more gjithë të mirat e tua në jetën tënde, edhe Llazari gjithashtu të këqijat; po tani ky ngushëllohet këtu, ndërsa ti mundohesh.
Edhe mbi të gjitha këto, në mes nesh e jush është vendosur një hendek i madh, që kështu ata që duan të shkojnë së këtejmi tek ju, të mos mundin, as të andejmit të kalojnë tek ne.
Edhe ai tha: Të lutem pra, o atë, ta dërgosh atë në shtëpinë e tim eti, sepse kam pesë vëllezër; që të japë dëshmi ndër ata, që të mos vijnë edhe ata në këtë vend të mundimit.
Abrahami i thotë: Kanë Moisiun dhe profetët; le të dëgjojnë ata. Edhe ai tha: Jo, o atë Abraham; por në shkoftë ndonjë nga të vdekurit tek ata, do të pendohen.
Edhe ai i tha: Në qoftë se nuk dëgjojnë Moisiun dhe profetët, as në u ngjalltë ndonjë nga të vdekurit, s’kanë për t’u bindur.
Data: 02.11.2025
Shënim: Burimi: Radio Ngjallja. Lidhja origjinale: Radio Ngjallja.
#RadioNgjallja #Lajme #KishaOrthodhokse