E Diela V e Llukait – I pasuri dhe Llazari, (Llukai 16:19-31).
Katedralja "Ngjallja e Krishtit" në Tiranë.
Në të dielën e 5-të të Llukait, Kisha jonë e shenjtë na sjell ndërmend paravolinë e të pasurit dhe Llazarit.
Paravolia e të pasurit dhe Llazarit na mëson se Perëndia njeh dhe shpëton vetëm ata që janë të drejtë, prandaj përmendet emri i Llazarit, por jo i të pasurit. Llazari, megjithëse i varfër dhe i vuajtur, mbeti i duruar dhe besimtar, ndaj u shpërblye në jetën e përjetshme. I pasuri, që jetoi në luks pa mëshirë për të tjerët, përfundoi në mundime pas vdekjes. Kjo tregon se vlerat e vërteta nuk maten me pasuri apo famë, por me dashurinë dhe mëshirën ndaj të tjerëve. Ungjilli na kujton se në botën tjetër do të përmbyset çdo padrejtësi: i fundit do të jetë i pari, dhe i pari do të jetë i fundit.
Në këtë të Diel, shërbesat e shenjta u drejtuan nga Fortlumturia e tij, Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit edhe gjithë Shqipërisë imzot Joani. I pranishëm në festimet e sotme ishte edhe Mitropoliti i Beratit Hirësi Asti i cili bashkëmeshoi me Kryepiskopin Joan dhe klerikët e Kryepiskopatës dë Hirshme.
Në predikimin që mbajti në këtë të diel, Fortlumturia e tij imzot Joani, ndër të tjera theksoi:
"… Çfarë do të thotë kjo paravoli për ne sot?
Sepse kur e lexojmë Ungjillin, nuk e lexojmë vetëm thjesht si kuriozitet historik, po e lexojmë si mësim të thellë shpirtëror. E para dhe shumë e rëndësishme është që Zoti përmend vetëm emrin e Llazarit dhe nuk përmend emrin e të pasurit. Vetëm thotë që ishte një njeri i pasur. Përse? Sepse përmendja e emrit nga Perëndia është shpëtimi i njeriut. Si thotë Psalmisti? – Nuk do ta shqiptoj kurrë emrin e atij që nuk ka besim – e të pabesit. Vetëm emrat që shkruhen në librin e jetës përmenden nga Perëndia. Dhe në gjuhët popullore, pothuajse të të gjithë botës, shpeshherë janë disa thënie të cilat mbështeten pikërisht në këtë besim kur thonë: i humbtë emri, iu harrua emri. Tek Perëndia nuk harrohet emri i të drejtit! Në këtë botë ai mund të vuajë, por shpërblimi do të jetë shumë i madh. Dhe emri i të pasurit nuk përmendet, thuhet vetëm që u varros.
Shikojmë përmbysjen e situatës, siç është paradoks çdo e vërtetë e thellë. Kur thotë Zoti, kush do ta fitojë jetën e tij, do ta humbasë; dhe kush do ta humbasë për mua dhe Ungjillin tim do ta fitojë, këtë gjë do të thotë. Ja shikoni Llazarin, çdokush që mund ta shikonte: një jetë e humbur, një lypës i shtrirë në derën e një shtëpie të pasur, plagët e tij ishin shumë të forta, qentë i lëpinin plagët, s'kishte asgjë të hante, donte thërrrmijat edhe ato me zor i hante.
Çfarë do të mendonin njerëzit për këtë?
As do t’ia dinin emrin, as do ta përmendin fare, e nëse do vdiste, as do të kujtohej njeri për të. Por, jo Perëndia, sepse Perëndia kujdeset për ata që janë në nevojë. Duke ndihmuar njerëzit që janë në nevojë, i kemi dhënë hua Perëndisë, thotë Shkrimi i Shenjtë, sepse dashuria na përcakton ne realisht se kush jemi! Llazari e duronte vuajtjen e tij pa u ankuar. Nuk thuhet në Ungjill që ai u ankua. Dhe, kur ndërroi jetë, thuhet që engjëjt e çuan në gjirin e Abrahamit në parajsë. Zoti u kujtua për Llazarin i cili kishte vuajtur shumë. Në dukje, dukej sikur Llazari e kishte humbur jetën, ndërsa i pasuri dukej sikur e kishte fituar. Në fakt, në botën tjetër ishte një përmbysje. Llazari ishte sipër në qiell në gjirin e Abrahamit dhe i pasuri në ferr. Këto paradokse që thuhen në Ungjill janë shumë të vërteta. Ai që do të jetë i pari, do të jetë i fundit. Kush do të jetë i fundit, do të jetë i pari. Pikërisht tregon që një mendje krenare, që do të jetë gjithmonë e para, faktikisht është e fundit. Dhe një i përulur, siç ishin gjithë shenjtorët, që dukeshin sikur ishin të fundit, ata janë të parët.."
Katedralja "Ngjallja e Krishtit" në Tiranë, më 2 Nëntor 2025.
Shënim: Burimi: Radio Ngjallja. Lidhja origjinale: Radio Ngjallja.
#RadioNgjallja #Lajme #KishaOrthodhokse