Në trekëndëshin Shën Prodhrom – Shën Naum – Shën Joan Vladimir mori mish e kocka gjuha shqipe – Kryepiskopi Joan
Pjesë nga Intervista e Fortlumturisë e Tij, Joanit, Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe Gjithë Shqipërisë, në emisionin “Opinion” me gazetarin Blendi Fevziu në 22 tetor 2025
Blendi Fevziu: Cilat janë vendet e shenjta ortodokse më të rëndësishme në Shqipëri?
Kryepiskopi Joan: Besoj se janë manastiret e vjetra, për shembull siç është ai i Shën Joan Vladimirit, Elbasan. Dikur ishte Manastiri i Shën Naumit, Ohër, që ishte pjesë e saj dhe ai i Shën Podhromit (Pararendësit) në Voskopojë.
Blendi Fevziu: Këto janë?
Kryepiskopi Joan: Kanë qenë historikisht! Madje, ish peshkopi i Korçës, Evlogji Kurila, thotë kështu: Në trekëndëshin Shën Prodhrom – Shën Naum – Shën Joan Vladimir mori mish e kocka gjuha shqipe.
Blendi Fevziu: Po, është e vërtetë.
Kryepiskopi Joan: Kontribuuan në këtë dhe ishin dhe manastire shumë të dëgjuara. Manastire të tjera kemi: Manastirin e Ardenicës, Manastirin e Shën Kozmait, që është dhe një vend pelegrinazhi. Janë dhe disa kisha dhe manastire, për shembull kemi kishën e Shën Marisë në Bënjë të Përmetit, që ka qenë një vend pelegrinazhi dhe Manastiri i Pepelit në Dropull, ku vazhdimisht çonin njerëz për t'u shëruar, sidomos për mrekullira. Këto ishin disa prej tyre, se nuk mund t'i përmendim dot të gjitha.
Shënim: Burimi: Radio Ngjallja. Lidhja origjinale: Radio Ngjallja.
#RadioNgjallja #Lajme #KishaOrthodhokse