EmailFacebookKontakt
Lajme

Takimi dhe bashkëpunimi me Kryepiskopin Anastas

24/10/2025

Takimi dhe bashkëpunimi me Kryepiskopin Anastas/
Fortlumturia e Tij: Vizioni i Kryepiskopit Anastas ishte të ndërtonte një kishë solide lokale.
Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Fortlumturia e Tij, imzot Joani në intervistën e dhënë për emisionin “Opinion” ka folur edhe për figurën e të lumurit Kryepiskopit Anastas.
Fortlumturia e Tij kujtoi takimin e tij të parë me Kryepsikopin Anastas, takim i ndodhur në vitin 1992 në Boston, Amerikë. Më tej, Fortlumturia e Tij Joani ka treguar se ka qenë një nga bashkëpunëtorët e Kryepiskopit Anastas, bashkëpunim që ka zgjatur për 33 vite.
Kryepiskopi Joan u ndal dhe te momenti i dorëzimit të tij si Peshkop, moment për të cilin tha se ishte një ditë gëzimi shumë e madhe për Kryepiskopin Anastas.
Duke u ndalur te jeta dhe vepra e Kryepiskopit Anastas, Fortlumturia e Tij tha se vizioni i tij ishte ndërtimi i një kishe solide lokale.
Fevziu: Ju erdhët në detyrë pas largimit nga jeta të Kryepiskopit Anastas dhe për shumë kohë jeni konsideruar një nga bashkëpunëtorët dhe nxënësit e tij. Si ka ndikuar te ju personalisht Kryepiskopi?
Kryepiskopi: Çdo njeri i madh nëpërmjet shembullit, jetës, veprës së tij, fjalës së tij ndikon, të gjithë ne ndikojmë njëri-tjetrin në forma të ndryshme. Unë me Kryepiskopin jemi takuar në vitin 1992 në Boston, në shkollë kishim një profesor, i cili më vonë u bë Kryepiskop në Amerikë i Kryepeshkopatës Greke Hirësi Dhimitri, i cili ishte pothuajse moshatar me Kryepiskopin Anastas dhe kishin qenë në një miqësi shumë të gjatë që më herët. Ai më tha që ka ardhur dikush që do të jetë një bekim për kishën tuaj. Më foli rreth jetës së tij dhe në vitin 1992 e kontaktova. I thashë që sa të mbaroj studimet do të kthehem. Ai u gëzua kur i thashë këtë gjë dhe kur erdha këtu filluam dhe për 33 vjet kemi qenë së bashku dhe me bashkëpunëtorët e tjerë.
Unë isha nga të parët sepse isha dhe Peshkopi i parë shqiptar që u dorëzua dhe ajo ka qenë një ditë gëzimi shumë e madhe për Kryepiskopin.
Fevziu: Edhe unë jam befasuar kur e kam parë faktin që një shqiptar erdhi dhe u dorëzua Peshkop. Ishte një lajm goxha i madh dhe pozitiv pas një mungese prej shumë e shumë vitesh.
Kryepiskopi Joan: E kam parë jetën e tij edhe nga afër, përpjekjet e mëdha që ka bërë për të ngritur një kishë. Vizioni i tij ishte të ndërtonte një kishë solide lokale.

Shënim: Burimi: Radio Ngjallja. Lidhja origjinale: Radio Ngjallja.

#RadioNgjallja #Lajme #KishaOrthodhokse