EmailFacebookKontakt
Lajme

Jemi qenie komunitare dhe duhet të përhapim vlera – Kryepiskopi Joan

24/10/2025

Jemi qenie komunitare dhe duhet të përhapim vlera – Kryepiskopi Joan
Pjesë nga Intervista e Fortlumturisë e Tij, Joanit, Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe Gjithë Shqipërisë, në emisionin “Opinion” me gazetarin Blendi Fevziu në 22 tetor 2025
Blendi Fevziu: Cila është sfida kryesore me të cilën ju si Kryepeshkop përballeni në punën tuaj të përditshme?
Kryepiskopi Joan: Unë besoj që sfida kryesore është përhapja e vlerave, për të ndërtuar një shoqëri që të ketë disa vlera kyçe.
Blendi Fevziu: E cila është sot në krizë të plotë të vlerave.
Kryepiskopi Joan: Dhe detyra jonë është pikërisht kjo gjë, edhe para kombit edhe para Zotit, që të përpiqemi të formojmë disa qytetarë që të kenë vlera. Pjesën tjetër do ta bëjnë vetë ata.
Blendi Fevziu: Kush quhet një qytetar me vlera?
Kryepiskopi Joan: Vlera do të thotë, në kuptimin siç e shoh unë, të jetojnë sipas urdhërimeve të Zotit. Thotë, mos vidh, mos vrit, mos këtë, bëj këtë, të gjitha këto janë vlerat që qëndrojnë, kanë qenë vlera shekullore në një shoqëri.
Blendi Fevziu: Që janë njëkohësisht të kthyera në kode morale.
Kryepiskopi Joan: Nga kode morale, mund t'i quajmë dhe në forma të jesh i ndershëm… .
Blendi Fevziu: Dhe janë pak universale edhe te besimet e tjera?
Kryepiskopi Joan: Dhe kryesorja, më kryesorja se të gjitha këto, është që siç përpiqemi ne t'i shpjegojmë, që njeriu është qenie komunitare. Duket si e thjeshtë kjo. Kisha e shikon njeriun si person. Personi ka një ndryshim shumë të madh nga fjala individ edhe nga etimologjia e fjalës. Personi në fillim lidhej me maskën. Kur në antikitet, në teatrin grek, rolin e Andromakës mund ta luante një burrë, vendoste maskën e saj. Dhe pastaj kjo mori kuptimin e personit në raport me të tjerët. Që do të thotë që ne jemi qenie komunitare. Nuk mund të jetë dikush mirë, kur tjetri është keq. Kisha i shikon të gjithë njerëzit në kishë si një trup i vetëm. Analogjia që bën Shën Pavli, thotë që nëse dhemb dora, dhemb gjithë trupi. Kjo tani ka humbur, se është bërë një lloj individualizmi, vetëm për vete. Dhe nëse do të ketë egoizëm, nuk do të ketë bashkim; as familje nuk mund të ketë. Dy egoistë nuk rrinë dot bashkë; do të ndahen, se s'bëjnë sakrifica. Si qenie komunitare, ti ndien përgjegjësinë edhe për njerëzit që janë rrotull.
Blendi Fevziu: A ndikon mirëqenia materiale në këtë drejtim?
Kryepiskopi Joan: Nganjëherë ndikon, në kuptimin se i jep përshtypjen e gabuar se ai mund të jetë, se mund t'ia dalë vetëm. Ajo është një iluzion. S'mund t'ia dalim dot vetëm ne! Tertuliani, një apologjet i madh i krishterë, që në shekullin e dytë shkruante këto fjalë “Unus Christianus, nullus Christianus”, “Një i krishterë vetëm për vete, nuk është i krishterë”. Që do të thotë jemi qenie komunitare. Nëse duam të ndërtojmë një shtet, duam të ndërtojmë një shoqëri, duhet të ndiejmë dhe përgjegjësinë që kemi për njerëzit që janë rrotull. S'mund të jemi indiferentë. Në qoftë se dikush vuan, mundohemi t'ia lehtësojmë vuajtjen.

Shënim: Burimi: Radio Ngjallja. Lidhja origjinale: Radio Ngjallja.

#RadioNgjallja #Lajme #KishaOrthodhokse