EmailFacebookKontakt
Lajme

Vizita e Kryepiskopit të Shqipërisë në Patriarkanën Ekumenike te Kostandinopojës

20/10/2025

Vizita e fundit e Kryepiskopit të Shqipërisë, z. Joan në Patriarkanën Ekumenike të Kostandinopojës, tregon lidhjen e ngushtë shpirtërore dhe kishtare mes Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë dhe Patriarkanës Ekumenike.
Patriarkana Ekumenike, ka luajtur rol kyç në historinë e Kishës së Shqipërisë. Në vitin 1937, gjatë kohës që Kryepiskop ishte i ndjeri Kristofor Kisi, Patriarku Ekumenik Veniamin i dha Tomosin e Autoqefalisë Kishës së Shqipërisë, duke njohur kështu autonominë kishtare dhe administrative të saj si një njësi e pavarur kishtare.
Pas regjimit të errët komunist, ishte përsëri Patriarkana Ekumenike që qëndroi pranë kishës sonë duke i dërguar këtë herë birin e saj të zgjedhur Kryepiskopin Anastas të drejtonte nje Kishë tërësisht të rrënuar, gjë të cilën e kreu me përkushtim deri në fund të jetës së tij.
Rrugëtimi vazhdon… Menjëherë pas pak muajsh nga zgjedhja e Tij si Kryepiskopi i Shqipërisë, Imzot Joani zgjedh rrugën që kisha na ka mësuar për më shumë se 2000 vjet, viziton Patriarkanën Ekumenike.
Vizita e Kryepiskopit Joan në Kostandinopojë, që përfshinte lutje, takim me Patriarkun Vartholome dhe vizita në kishat historike si Shën Sofia dhe Manastiri i Horës, konfirmoi dhe rinovoi edhe një herë lidhjen e kishës sonë me Fronin Patriarkal.
Me këtë vizitë, Kryepiskopi i Shqipërisë thekson rëndësinë e unitetit të Orthodhoksisë dhe vazhdimësinë e traditës që na lidh përtej kufijve gjeografikë dhe kombëtarë, duke mbajtur gjallë mesazhin e besimit dhe dashurisë në Krishtin Jisu.
Data: 18.06.2025

Shënim: Burimi: Radio Ngjallja. Lidhja origjinale: Radio Ngjallja.

#RadioNgjallja #Lajme #KishaOrthodhokse