
Shën Ripsima jetoi nën mbretërimin e Dioklecianit (rreth 290). Një ditë kur perandori e pa, i magjepsur nga bukura e saj ra në dashuri dhe donte të martohej me të. Por shenjtorja dëshironte mbi gjithçka t’i përkushtohej Krishtit, prandaj u fsheh dhe shkoi pranë Gajanës, e cila ishte larguar nga persekutimet e asaj kohe dhe ishte strehuar në një nga shpellat pranë qytetit Ararat në Armeni.
Diokleciani mësoi se ku ishte fshehur dhe i shkroi mbretit të Armenisë, Tiridati, që t’ia dërgonte Ripsimën, por mbreti vetë, u dashurua me të dhe bëri të pamundurën që ajo ta pranonte. E mori në pallatin e tij. Gajana e nxiste të qëndronte e fortë deri në fund. I tërbuar nga qëndrimi i Ripsimës, mbreti ia theu dhëmbët me gurë dhe e dërgoi në një vend të largët, por nuk i shpëtoi tërbimit të tij, ia prenë gjuhën e ia dogjën trupin me pishtarë të ndezur.
Ia shpuan barkun me shkopinj e ia nxorën sytë. Më në fund e dorëzoi frymën e saj kur ia prenë trupin copa-copa. Kështu shkoi tek Dhëndri qiellor, për të Cilin kishte ruajtur deri në fund virgjërinë e saj. Së bashku me të ekzekutuan edhe 70 të krishterë të tjerë.
Më vonë, kur 32 shoqërueset e saj erdhën për të marrë trupin, edhe atyre ua prenë kokat. Gajanës dhe dy prej nxënëseve të saj, pasi vuajtën shumë mundime, ua prenë kokat. Për nder të këtyre martireve të shenjta, shën Grigori Ndriçuesi i Armenisë ndërtoi tri kisha me ndihmën e mbretit, i cili më pas u pendua.