EmailFacebookKontakt
Thekla, dëshmorja e pare
Thekla, dëshmorja e pare

Shën Thekla ishte nga qyteti i Ikoniumit në Azinë e Vogël. Ajo ishte vajza e një pagani të pasur që quhej Theokli. Thekla u fejua në moshën 18-vjeçare me një burrë të quajtur Thamiris, i cili e donte tej mase. Ishte koha kur shën Pavli erdhi nga Antiokia, qëndroi në Ikonium, në shtëpinë e Onesiforit, një fqinj i Theklës dhe u mësonte aty fjalën e Perëndisë.

Të gjithë atyre që e dëgjonin me gëzim të madh, ai u thoshte: “Të bekuar janë të pastrit në zemër, sepse ata do të shikojnë Perëndinë. Të bekuar janë ata që ruajnë pastërtinë e mishit të tyre, sepse ata do të jenë tempulli i Perëndisë. Të bekuar janë ata që kanë hequr dorë nga kjo botë, sepse ata do të pranohen nga Perëndia. Të bekuar janë ata që e kanë frikë fjalën e Perëndisë, se ata do të ngushëllohen. Të bekuar janë ata që përqafojnë urtësinë e Jisu Krishtit, se ata do të quhen bijtë e të Shumëlartit. Të bekuar janë ata që kanë ruajtur pagëzimin e tyre, se ata do të gjejnë prehje me Atin dhe Birin. Të bekuar janë ata që kanë kuptuar njohjen e Jisu Krishtit, se ata do të jenë në dritë. Të bekuar janë ata që kanë hedhur tej dukjet e jashtme të kësaj bote për hir të dashurisë së Perëndisë, se ata do t’i gjykojnë engjëjt dhe do të lavdërohen në të djathtë të Atit. Të bekuar janë trupat e të virgjërve, se fjala e Atit do t’i justifikojë ata në ditën e Birit të Tij dhe do të gëzojnë prehje të përjetshme”.

Kur dëgjoi fjalët hyjnore të Pavlit, pas një perdeje, ku kishte qëndruar e fshehur për tri ditë me radhë, Thekla, duke ndjerë gëzim të jashtëzakonshëm, u tërhoq pa kthim drejt besimit. Kur panë se ajo nuk mendonte më asgjë tokësore dhe ishte dhënë me shpirt pas fjalëve të atij të huaji që këshillonte shenjtërimin e martesës, Theokli dhe Thamirisi u shqetësuan tej mase. I tërë qyteti ndodhej në turbullim të madh, prandaj edhe Pavlin e arrestuan dhe e çuan te guvernatori, i cili urdhëroi ta lidhnin me zinxhirë dhe ta fusnin në burg. Atë natë Thekla doli për ta kërkuar shën Pavlin dhe kur mësoi se ndodhej në burg, i shkoi atje, ia fali gardianit byzylykët e saj të artë dhe qëndroi në këmbët e Pavlit, duke puthur zinxhirët e tij, ndërsa ai i fliste asaj për veprat e fuqishme të Perëndisë.

Kur Theklën e gjetën në shoqërinë e Pavlit, të dy i çuan përpara guvernatorit. Meqë ajo nuk u përgjigjej pyetjeve të tij, nëna e Theklës thirri me të madhe: “Digjeni këtë armike të martesës në mes të amfiteatrit si një shembull për të gjitha gratë”. Për ta kënaqur turmën, guvernatori e rrahu Pavlin me kamxhik dhe e çoi jashtë qytetit, kurse Theklën e dënoi të digjej e gjallë. E çuan të zhveshur në vendin e ekzekutimit, ndërsa djem dhe vajza të reja mblodhën dru për zjarrin. Atëherë, Thekla pa Shpëtimtarin t’i shfaqej me pamjen e Pavlit, dhe u mbush me fuqinë e Tij hyjnore. Duke e armatosur veten me shenjën e Kryqit, ajo u ngjit sipër turrës së druve. Flakët u lartësuan, por atë nuk e prekën. I prekur nga dashuria e shenjtores, Perëndia dërgoi shi qiellor për t’i qetësuar flakët, duke e mbushur amfiteatrin me ujë. Në ato çaste Pavli qëndronte bashkë me Onesiforin dhe shtëpinë e tij, i fshehur në varr jashtë qytetit. Thekla u soll nga Perëndia pranë tij atje dhe të dy u larguan për në Antioki.

Kur ata hynë në qytet, Aleksandri një nga fisnikët e qytetit, i mahnitur nga bukuria e Theklës, rendi ta puthë në mes të rrugës. Por ajo e mbrojti veten e saj me forcë, duke i grisur mantelin dhe duke i prishur kurorën. Për t’u hakmarrë nga ky veprim, Aleksandri e dorëzoi te guvernatori i qytetit. Ky i fundit e dënoi me vdekje te bishat e egra. E lidhën përpara një luaneshe, që nuk bëri asgjë veçse i lëpinte këmbët me nderim për virgjërinë e saj. Ditën tjetër, asaj i lëshuan shumë kafshë të egra, por asnjë prej tyre nuk e preku, sepse e mbronte luanesha me këmbëngulje. Kur i vunë një kazan të mbushur me ujë dhe gjarpërinj të rrezikshëm, duke qenë e gatshme për një mundim të ri, shenjtorja thirri: “Tani është koha për të marrë banjën e rilindjes”. Dhe, pasi u hodh në ujë, thirri: “Në emër të Jisu Krishtit, po e pagëzoj veten time në ditën time të fundit”. Një rrëqethje e përshkoi turmën nga mendimi se një vajzë aq e hijshme do të gllabërohej nga zvarranikët, por në atë çast që u zhyt në ujë, shkëlqimi i një drite i goditi kafshët dhe këto dolën të ngordhura në sipërfaqe; gjithashtu një re e dendur mbuloi lakuriqësinë e shërbëtores së Perëndisë.

Thekla u la në mëshirën e kafshëve të tjera, edhe më të egra akoma, por gratë e qytetit, të fyera jashtë mase nga dënimi i saj i paligjshëm, nisën të protestojnë duke bërë rrëmujë të madhe. Disa hodhën barishte dhe të tjera nard, kasi dhe kanellë, duke e mbushur amfiteatrin me parfum, kështu që kafshët u trullosën dhe nuk i bënë gjë shenjtores. Pastaj Theklën e lidhën në brirët e dy buajve, të cilët i tërbuan me hekura të nxehtë. Por një zjarr ra nga qielli dhe i dogji litarët që e mbanin të lidhur pas buajve, kështu që shenjtorja nuk u dëmtua nga tërbimi i tyre. Duke parë se tërë ligësitë e tyre nuk sollën asnjë dëm te shërbëtorja e Perëndisë, guvernatori dhe Aleksandri e lanë të lirë.

Për disa ditë, Thekla qëndroi në shtëpinë e Trifenës, një zonjë e pasur e qytetit, që e kishte pranuar atë si bijën e saj qysh nga fillimi i mundimeve. Por Thekla mendonte të gjente Pavlin përsëri dhe kështu shkoi në Mirë. Bashkë me shën Pavlin ajo u kthye në Ikonium për të shpallur veprat e Perëndisë. Aty gjeti Thamirisin të vdekur dhe nënën e saj të shurdhët për lajmin e mirë të shpëtimit, dhe për këtë arsye u largua për në Seleuci. Atje jetoi 72 vjet në asketizëm në Malin Kalamon, jo larg qytetit, duke bërë një luftë të egër kundër demonëve. Ajo u bë e famshme për mrekullitë që kryente. Duke pasur zili për famën e saj, doktorët paganë të qytetit dërguan disa të rinj të shthurur për ta çnderuar, por Perëndia u përkujdes që ta merrte shën Theklën dhe ajo u zhduk brenda shpellës së gurtë ku banonte.