
Këto dy shenjtore jetuan në Spanjë gjatë mbretërimit të perandorit Klaudi (42-54 pas Krishtit). Ksanthipi ishte gruaja e Provit, guvernatorit të asaj zone. Shën Pavli e futi në besim Ksanthipin, kur ai ndodhej në Spanjë për të predikuar.
Polikseni, motra e saj, udhëtonte në vende të ndryshme sipas vullnetit të Perëndisë, kështu që dëgjoi dhe predikimin e shën Petros e atë të shën Filipit në Greqi. Më në fund u bë nxënëse e shën Andreas, që e pagëzoi.
Së bashku me apostull Onesimin, ajo shkoi në atdheun e saj, ku një numër i madh paganësh u kthyen në besimin e Krishtit me anë të fjalës dhe shembullit të jetës së saj të virtytshme. Në të gjitha udhëtimet dhe mundimet e saj shoqërohej nga Rebeka, e cila ishte pagëzuar së bashku me të. Duroi shumë mundime para se të bashkohej me të motrën, Ksanthipin. Ato e kaluan së bashku pjesën tjetër të jetës, duke shfaqur pushtetin e madh të Perëndisë me anë të mrekullive të tyre të shumta dhe fjetën në paqe.