
Kodrati jetoi në kohën e Zotit tonë Jisu Krisht. Ai ishte i urtë dhe i ditur e, pasi u bë nxënës i Krishtit, mori me bollëk hirin e Shpirtit të Shenjtë. U bë episkop i Athinës dhe solli në besimin e vërtetë shumë paganë, me anë të fjalëve të tij hyjnore që i linin pa përgjigje sofistët egoistë. Suksesi i tij i madh ngjalli xhelozinë e armiqve të Krishtit, që e dëbuan nga dioqeza e tij pasi e goditën me gurë dhe e bënë të vuajë shumë tortura të frikshme.
Shkoi në Magnesi, ku mësimi i tij i ndriçuar bëri përsëri mrekulli duke dëbuar mësimet e idhujtarisë. Mori kurorën e martirit në mbretërimin e Adrianit (në vitin 117). Trupi i tij u nderua së tepërmi në Magnesi dhe u solli shërim e ngushëllim atyre që i afroheshin me besim.