
Shën Theodhori, biri i princit Rostislav të Smolenskut, ishte një njeri plot thjeshtësi dhe përulësi që nga rinia e tij, dhe jetonte me përkushtim e frikë Perëndie. Ai ishte një ushtar shumë i aftë i Zotit tonë Jisu Krisht, i kujdesshëm në të gjitha porositë hyjnore.
I drejtë dhe i mëshirshëm ndaj nënshtetasve të tij. Përkujdesej për më të varfrit, për vejushat dhe jetimët, i ndihmonte të privuarit dhe ishte fisnik e i dhembshur me ata që i vinin për të kërkuar drejtësi. Kreshmonte si murg dhe i ishte përkushtuar me zell lutjes, si asaj personale, ashtu edhe lutjeve nëpër kisha, të cilat i zbukuroi si paradhoma të vërteta të qiellit.
Kur ndjeu se po i afrohej fundi, e thirri gruan bashkë me fëmijët, iu përgjërua që ta lejonin të jetonte momentet e fundit në paqe dhe në dashurinë e Perëndisë. U kërkoi gjithashtu ta çonin në manastir ku igumeni e qethi murg me gëzim të madh, sepse shën Theodhori e kishte dëshiruar tej mase për vite të tëra që të merrte veshjen murgërore. Kur mbërriti në prag të vdekjes, ai mori Skimën e Madhe murgërore dhe, pasi i kërkoi të gjithëve falje, bëri shenjën e Kryqit dhe ia dorëzoi shpirtin e tij Perëndisë më 19 shtator 1299.
Lipsani i tij kryen mrekulli të shumta.