
Jetuan nën mbretërimin e perandorit Probus (rreth 277). Një herë, kur kaluan në Antioki të Pisidisë për festën e Apollonit, Shën Trofimi dhe Sabati u hidhëruan kur panë banorët të jetonin në shthurje. I drejtuan Perëndisë lutje të nxehta për shpëtimin e qytetit dhe shpallën publikisht se ishin të krishterë.
I morën që të dy dhe nxorën përpara qeveritarit Trofimin i cili e pyeti dhe e dorëzoi në tortura. E goditën kaq egër sa e gjithë toka u mbulua me gjak. Edhe Sabati rrëfeu Krishin dhe e rrahën në fytyrë. E çorën në brinjë me thonj të hekurt, ia shkulën brinjët dhe e shkelën në bark. Dha shpirt në çastin e persekutimit.
Trofimin e dërguan në Perenius Dionisius, qeveritar i Frigjisë, në mitropolinë e Sinadës. I veshën sandale me gozhdë të mprehta, e rrahën dhe plagët ia mbuluan me kripë e uthull pasi i dogjën edhe me pishtarë. Dorimedi, i pari i këshilltarëve të qytetit, e vizitoi Trofimin në burg dhe ai vetë u bë i krishterë. Edhe atë e torturuan. Ia shqyen nofullat, brinjët dhe ia shkulën dhëmbët. Që të dy, të papërkulur përpara idhujtarëve, vuajtën edhe tortura të tjera, derisa ua nxorën sytë dhe i lanë me bishat, megjithëse mbetën të paprekur. Ua prenë kokat.