EmailFacebookKontakt
Oshënar Visarioni i Larisës
Oshënar Visarioni i Larisës

Visarioni II lindi në fshatin e “Dyerve të Mëdha” që ndodhet midis Maqedonisë dhe Thesalisë. Ai u rrit në besim dhe që në moshën 16 – vjeçare u pushtua nga një dashuri e madhe për jetën murgërore. Ai jetoi për shumë kohë pranë Markut, episkopit të Larisës, duke treguar në të gjitha gjërat bindje dhe nënshtrim shembullor ndaj atit të tij shpirtëror.

Me anë të bindjes, ai fitoi përulësinë, nënën e të gjitha virtyteve dhe mundi të kalonte pa rrezik për shpirtin e tij të gjitha shkallët e hierarkisë kishtare. U bë episkop i Elasonës dhe i Domenikës, megjithatë ai nuk u pranua si i tillë dhe u dëbua sakaq nga populli, nga njëra anë si rrjedhojë e zilisë djallëzore, dhe nga ana tjetër, sepse grigja e kësaj dioqeze nuk donte të ishte e varur nga kryepiskopi i Larisës, i cili e kishte dorëzuar dhe e kishte dërguar shenjtorin. Pa u zemëruar aspak me grigjën e tij shpirtërore, Visarioni e pa këtë mospranim si një rast për të gjetur sa më shumë paqe, ndaj qëndroi kështu për disa kohë pranë atit të tij shpirtëror, Makarit, për të mjekuar sëmundjet e shpirtit dhe të trupit të banorëve të Larisës.

Katër vjet më vonë, i lumuri u caktua në fronin e Stagesit, por përsëri ndodhi i njëjti fenomen si më parë. Ai vuajti jashtë mase për shkak të kësaj dhe u detyrua të largohet për hir të një njeriu të quajtur Domet. Me fjetjen e Markut, ai u bë kryepiskop i Larisës. Nuk u mor vetëm me nevojat shpirtërore të besimtarëve, por u dha ndihmë të madhe të gjithë nevojtarëve. Në këtë mënyrë organizoi dhe drejtoi punimet për ndërtimin e një ure, që askush më parë nuk kishte guxuar ta bënte dhe që dëshmon deri në ditët tona veprën e shenjtorit. Është ky shën Visarion, që ndërtoi në krahinën e tij manastirin e Dusikonit, i cili u zmadhua më tepër nga pasardhësit e tij.

Pasi e qeverisi më së miri grigjën e tij shpirtërore dhe u tregua i duruar në sprova e i përulur në të gjitha sipërmarrjet e tij, i lumuri Visarion fjeti në Zotin në moshën 50-vjeçare. Lipsani i tij i nderuar shëron të gjithë ata që i afrohen me besim e shpresë edhe sot e kësaj dite.