EmailFacebookKontakt
Oshënar Simeon Stiliti
Oshënar Simeon Stiliti

Ati ynë i shenjtë Simeoni lindi rreth vitit 390, në fshatin e Sisas, në kufijtë e Sirisë dhe Kilikisë. Kur ishte djalë i ri, prindërit e tij shpresëtarë e dërgonin në vende të shkreta për të gjetur kullota për delet. Një ditë, kur kishte rënë dëborë e madhe dhe ishte e pamundur të gjente kullotë, djaloshi hyri në një kishë dhe dëgjoi të lexoheshin këto fjalë: “Lum ata që vajtojnë, ata që janë të butë, lum ata që janë të pastër në zemër…” dhe pjesën tjetër të Lumërimeve (Matth. 5).

Pasi gjeti se çfarë duhej bërë për përmbushjen e këtyre urdhërimeve të Krishtit, Simeoni braktisi familjen dhe çdo lidhje me botën, dhe hyri në një manastir që ndodhej afër. Aty qëndroi dy vjet. Meqë donte të bënte një jetë më asketike se ajo që kishte gjetur aty, shkoi në manastirin e Teledës afër Antiokisë, ku murgu Iliodhor drejtonte më shumë se tetëdhjetë vëllezër me urtësi të madhe dhe përpikëri shpirtërore. Simeoni kaloi aty dhjetë vjet. Qysh nga fillimi i qëndrimit atje, ai ua kaloi të gjithëve në rreptësinë e jetës asketike.

Ndërsa murgjit e tjerë hanin një herë në dy ditë, Simeoni hante një sillë të thjeshtë një herë në javë. Kaq e madhe ishte dëshira e tij për të vuajtur për Krishtin, saqë nën rroba mbante veshur një rrip me gjethe palmash, të shtrënguar shumë fort pas trupit, sa i kishte hyrë thellë në mish.

Duke parë se beteja e tij ishte përmbi natyrën njerëzore dhe mund të ishte e dëmshme për të tjerët, të cilët, duke e marrë si model, mund të ndërmerrnin përpjekje shpirtërore jashtë mundësive të tyre, murgjit më të vjetër i kërkuan shenjtorit që të largohej nga manastiri. Simeoni, duke iu bindur urdhrit, shkoi në pjesën më të egër të malit, gjeti një pus të thatë dhe hyri brenda.

Ditë e natë i këndonte lavdërime Perëndisë. Pas pesë ditësh, murgjit e Teledës ndjenë hidhërim të madh për largimin e tij dhe kërkuan ta sjellin përsëri në manastir. Por iu desh shumë kohë për ta gjetur, sepse ai ishte strehuar në një vend të fshehtë, i cili më parë ishte strehë demonësh.

Simeoni u kthye në manastir për shkak të bindjes, por nuk qëndroi gjatë, sepse kërkonte diçka përtej masës të së zakonshmes. Ai shkoi në një fshat që quhej Telanisos. Atje gjeti një shtëpi të vogël, në një vend të vetmuar. Aty qëndroi në izolim të plotë për tre vjet, duke punuar gjatë gjithë kohës për të fituar virtytet qiellore. Ashtu si Moisiu, Ilia dhe Shpëtimtari ynë, Zoti Jisu Krisht, ai donte të kalonte dyzet ditët e Kreshmës së Madhe pa ngrënë asgjë, prandaj i kërkoi mikut të tij, Vlashit, t’i muroste hyrjen e qelisë. Por ky pranoi me kusht që atleti i Krishtit në izolimin e tij të merrte bukë dhe ujë me vete, që të mos përballej me pasojat ekstreme të urisë.

Në përfundim të dyzet ditëve, Vlashi hyri në qelinë e shenjtorit dhe gjeti ujin e bukën të paprekura, siç i kishte sjellë dhe shenjtorin teksa qëndronte i palëvizur në dysheme, pa mundur të thoshte qoftë edhe një fjalë të vetme. Ai mori pak fuqi vetëm pasi u kungua me Misteret e Shenjta. Duke fituar eksperiencë në këtë përpjekje, Simeoni kalonte çdo Kreshmë të Madhe pa ngrënë, i forcuar nga hiri, ai qëndronte më këmbë me një gjallëri të pakrahasueshme shpirtërore.

Pasi kaloi tre vjet në qelinë e tij, Simeoni u ngjit në majë të malit. Atje mbante një zinxhir të rëndë në trup, derisa Meleti, episkopi lokal i Kishës së Antiokisë, i tregoi se vullneti i një njeriu të ndriçuar nga arsyeja duhet ta tregojë veten më të fortë nga çdo lloj zinxhiri, duke e penguar mendimin e tij të shkojë sa andej-këndej.

Ky argument e bindi Simeonin, që e dinte se përpjekja asketike është e lavdëruar vetëm nëse ka si qëllim restaurimin e ikonës së Perëndisë në natyrën tonë, në bukurinë e saj origjinale. Ai iu bind episkopit dhe i këputi zinxhirët. Krimba të mëdhenj dolën nga plagët e shkaktuara prej tyre, duke treguar kështu se durimi i shenjtorit ishte i njëjtë në çdo gjë me atë të martirëve madje akoma edhe më i madh, sepse ai, me vullnetin e tij, ia kishte nënshtruar veten këtyre torturave për hir të dashurisë për Krishtin.

Fama e shenjtërisë së tij u përhap aq shumë, sa për të marrë bekimin e tij, si dhe për shërimin e shpirtit dhe të trupit, nisën të vinin besimtarë jo vetëm nga krahinat përreth, por edhe nga vende të largëta si Persia, Armenia, Gjeorgjia, Italia, Galia dhe Britania. Por Simeoni nuk kërkonte asgjë përveç vetmisë për t’u lartësuar drejt qiellit në një soditje të pastër. Ai vendosi të ndërtojë një shtyllë me një platformë të vogël sipër saj dhe hipi sipër për të shpëtuar nga nderimi i të tjerëve, gjë që e turbullonte.

Ndërtoi një kolonë pesëdhjetë e tetë këmbë të gjatë, ku ai qëndroi për njëzet vjet deri në vdekjen e tij, duke jetuar më pranë qiellit, sesa tokës. Zmadhimi i lartësisë së shtyllës ishte shenja e dukshme e ngjitjes së shpirtit të tij në dritën hyjnore. I ekspozuar në këtë mënyrë, Simeoni tërhiqte më shumë turma njerëzish se më parë dhe, si një dritë e shkëlqyeshme në një shandan të lartë, ndriçonte me dritën e besimit shumë barbarë që vinin për të admiruar atë pamje të mrekullueshme.

Sipër shtyllës së tij të lartë, vetëm me Perëndinë, shenjtori ishte një instrument, pa e tepruar aspak kur e themi këtë, i mirësisë hyjnore. Kreu shumë mrekulli dhe shërime, si dhe paratha katastrofa natyrore. Gjithkush e shikonte atë si vend shpëtimi dhe ngushëllimi shpirtëror. I kryqëzuar për botën dhe duke mos fshehur asgjë nga jeta e tij, shën Simeoni e ofronte veten, njësoj siç thotë apostulli, për më të fundit e njerëzve,… lojë në botë, në engjëjt e në njerëzit (I Kor. 4.9).

I veshur me trupin e tij të vdekshëm, ai bënte një jetë engjëlli pa trup, por përulësia e tij ishte akoma dhe më e mrekullueshme. Kjo ngaqë ai edhe pse kishte arritur kaq shumë virtyte dhe kishte kryer kaq shumë mrekulli me anë të lutjes, e shikonte veten me sinqeritet si më të fundin e tërë njerëzve. I çliruar nga zemërimi dhe çdo pasion tjetër, ai ishte i ashpër vetëm kundër heretikëve, për shkak të zellit që kishte për t’i korrigjuar.

Simeoni fjeti në Zotin, i kredhur thellë në lutje, në vitin 459, në moshën 69-vjeçare, duke shpërndarë rreth e rrotull paqen që mbizotëronte në zemrën e tij. Lipsani i tij i nderuar u mor në Antioki i shoqëruar nga një numër i madh njerëzish dhe vazhdoi të kryejë shumë mrekulli, për gjithë sa i afroheshin me besim.

Në vitin 467, me kërkesën e shën Daniel Stilitit (11 dhjetor), i cili imitonte përpjekjet e shën Simeonit, perandori Leon I i transferoi lipsanet në Konstandinopojë, ku u ndërtua edhe një kishë, që nuk ishte larg shtyllës së shën Danielit. Manastiri i Mandrës, që u krijua rreth shtyllës së shën Simeonit, pati një lulëzim të madh pas vdekjes së tij, me kolonën e vendosur në mes të katër bazilikave, të ndërtuara në formën e kryqit. Ai mbeti një vend i famshëm pelegrinazhi edhe pse ra shpejt në duart e monofizitëve. U shkatërrua nga arabët në vitin 985.

* * * * *

40 oshënaret dëshmore: Efterpi, Thalia, Theanoja, Theonimfi, Kaliroi, Kalisti, Klioja, Kleoniki, Kleopatra, Koralia, Ralia, Margarita, Marianthi, Melpomeni, Mosko, Urania, Pandora, Penelopi, Polimnia, Sapfoja, Terpsihori, Haidheftoja, Hariklea, Meletina, Mandoja, Athina, Akrivia, Antigoni, Aspasia, Afrodhiti, Dioni, Elpiniki, Epasmia, Eratoja, Simona, Izmini, Politimi, Adhamantia, Anda, Rumbina. Oshënare Evanthia.

Këto gra të shenjta kishin ardhur në Adrianopojë, në Thrakë. Të udhëhequra nga dhjaku Amun, ato ndiqnin Krishtin në rrugën që të çon në Mbretërinë e Qiejve, në atë të virgjërisë dhe të largimit nga bota. Ato u arrestuan nga Baudus, guvernatori i provincës dhe u torturuan mizorisht, sepse mohuan t’u sakrifikojnë idhujve, por qëndruan të palëkundura në lutje të pandërprerë sikur torturat të ishin të huaja për trupat e tyre. Shën Amunit ia çanë ijët ndërsa e mbanin të varur në shtyllë dhe në kokë i vunë një helmetë të skuqur.

Prifti idhujtar, që kishte qëndruar përballë tij në vendin e ekzekutimit, papritur u ngrit lart në ajër si shenjë e dukshme e zemërimit hyjnor dhe qëndroi kështu për shumë kohë, derisa ra përtokë e dha shpirt.

Martiret u çuan në Veria dhe më pas në Iraklia, që t’i nxirrnin përpara tiranit Licinius (321-323). Dhjetë nga gratë e shenjta u dogjën; tetë vdiqën me prerje koke; dhjetë të tjera dhanë shpirt pasi u goditën në gojë e në kraharor me pjesën e sheshtë të shpatës. Nga dymbëdhjetë që mbetën, gjashtë vdiqën nga shpata dhe gjashtë të tjerat u vranë duke u futur sasi metali të shkrirë në gojë.