
Ai që ishte me të vërtetë njeri i Zotit, mësuesi dhe përhapësi i Ungjillit të shenjtë, Kozmai, rridhte nga një fshat i vogël i Etolisë që quhej Mega Dhendro. Ishte bir prindërish që e dëgjonin fjalën e Zotit, të cilët e mëkuan dhe e edukuan “me mësimet dhe këshillat e të Plotfuqishmit”, siç shkruan apostulli. Kur ishte njëzet vjeç, ndoshta dhe pak më i rritur, filloi të merrte mësimet e para nga hierodhjakoni Anania Dervisani. Por meqë në atë kohë u hap në Malin e Shenjtë shkolla e Vatopedit, që bëri shpejt emër, ai shkoi aty me shumë moshatarë të tij dhe i plotësoi mësimet duke pasur mësues Panajot Pallamain. Më pas mësoi edhe shkencën e Logjikës nga mësuesi Nikolaos Xarxulios nga Meçovi, i cili ishte drejtor i shkollës së atyshme dhe kishte zëvendësuar të shumëditurin Evgjen. Atëherë ishte ende laik me emrin Kostas. Por, ndërsa bënte pjesë në klasën e laikëve, dukej i stolisur me thjeshtësinë e klasës së murgjve dhe përpiqej e ushtrohej vetë për t’u bërë i denjë i kësaj klase.
Kur ajo shkollë e famshme u shkretua përsëri pas ikjes së mësuesve dhe u katandis në gjendjen e mëparshme, atëherë dhe i ndrituri Kosta u largua prej aty në Manastirin e Shenjtë të Filotheut, ku veshi shpejt rrobën e murgut dhe i hyri me shumë dëshirë mundimeve të jetës murgërore. Pas kësaj, meqenëse manastiri kishte nevojë për prift, i nxitur dhe i lutur nga etërit u shugurua hieromonak. Qysh kur ishte laik, ai digjej nga dëshira të ndihmonte vëllezërit e krishterë me dituritë e tij. Shumë herë thoshte se vëllezërit tanë të krishterë kanë shumë nevojë për fjalën e Zotit dhe se ata që fitojnë dije, kanë për detyrë të mos vrapojnë në shtëpitë e arkondëve dhe në oborret e të mëdhenjve, ku i bëjnë të pavlefshme dituritë e tyre me mendimin të fitojnë pasuri dhe ofiqe, por duhet, sidomos, të mësojnë njerëzit e thjeshtë, të cilët jetojnë në padituri dhe mungesë qytetarie të madhe.
Megjithëse kishte një dëshirë aq të madhe dhe një zell i fuqishëm digjte shpirtin e tij të shenjtë për të ndihmuar të shumtët, përsëri nuk guxoi të ndërmerrte vetë ai misionin apostolik, pa kuptuar më parë vullnetin e Zotit. Ai, njeri i thjeshtë dhe i virtytshëm, e mendonte sa gjë e vështirë dhe e madhe ishte të bëheshe përhapës i fjalës së Zotit. Kështu, duke dashur të saktësonte ishte a s’ishte kjo gjë në dëshirën e Zotit, hapi Shkrimin e Shenjtë dhe çfarë çudie! u ndodh përpara shprehjes së apostullit që thotë: “Le të mos përpiqemi vetëm për interesin tonë, por edhe për interesin e vëllait tonë … ”.
Pasi mori vesh, pra, këtë gjë nga fjala e Zotit dhe pasi ua shfaqi qëllimin e vet edhe etërve të tjerë kishtarë, duke marrë dhe pëlqimin e tyre, shkoi në Konstandinopojë për t’u takuar me të vëllanë, dhaskalin Krisanth. Ai i mësoi edhe disa gjëra prej artit të gojëtarisë që të kishte dhe njëfarë metode në fjalët që do të mbante. Të njëjtin mendim ua shfaqi dhe priftërinjve e dhaskalëve të atyshëm, të cilët e nxitën në këtë vepër të shenjtë. Mori dhe leje me shkrim nga Patriarku i atëhershëm, Serafimi, me origjinë nga Delvina, dhe kështu nisi fatlumi të përhapte Ungjillin e Mbretërisë së Shenjtë, në fillim në kishat dhe fshatrat e Konstandinopojës.
Më pas shkoi në Navpakto, në Vrahori, në Mesolongj dhe në qytete e fshatra të tjera. Pastaj u kthye përsëri në Konstandinopojë ku, si u takua me Patriarkun e atëhershëm, Sofronin, dhe si mori përsëri prej tij bekimin dhe lejen e duhur, nisi përsëri të përhapte fjalën e Ungjillit me më shumë zell e gjallëri. Kaloi pothuaj në të gjithë ishujt e Egjeut dhe u mësoi të krishterëve të pendoheshin e të bëjnë vepra të denja të pendesës së tyre. Në vitin 1775 u kthye në Malin e Shenjtë, në vazhdim shkoi në manastiret, ku foli me etërit që ndodheshin në to dhe lexoi për pak kohë librat e shenjtë të Etërve të Kishës. Por, meqenëse siç thoshte vetë ai nuk mundej të duronte më dëshirën që i digjte shpirtin për t’u bërë mirë të krishterëve, iku nga Mali i Shenjtë për të vazhduar veprën e tij. Filloi nga fshatrat përreth, vazhdoi në Selanik, në Veria dhe pothuaj në gjithë Maqedoninë. Shkoi më pas edhe nëpër fshatrat e Himarës, Akamanisë, Etolisë duke arritur deri në Artë dhe Prevezë. Prej aty lundroi në Shën Mavra dhe në Kefaloni. Kudo që shkonte ai njeri i bekuar, mblidheshin grumbuj të mëdhenj të krishterësh dhe dëgjonin me përkushtim e vëmendje fjalët e tij të ëmbla.
Pastaj vazhdohej me faljen e mëkateve dhe besimtarët e ndienin shpirtin të lehtësuar. Mënyra si u drejtohej njerëzve ishte vërtet e thjeshtë, siç i flasin peshkatarët njëri-tjetrit. Këtë e them me bindje, sepse pata fatin ta dëgjoj me veshët e mi. Zëri i tij ishte paqësor dhe i butë, fjalët e tij ishin të mbushura me dritën dhe qetësinë e Frymës së Shenjtë. Sidomos në ishullin e Kefalonisë, ky mësues i shenjtë bëri shumë të mira në ndihmë të njerëzve, duke korrur frytet e farës që mbolli me fjalët e tij të shenjta . Por edhe Zoti e ndihmonte nga lart dhe u vinte vulën fjalëve të tij…
Për shkak të njerëzve të shumtë që mblidheshin për ta dëgjuar, asnjë kishë nuk e nxinte turmën e besimtarëve. Prandaj ai detyrohej ta shpallte fjalën e Zotit nëpër sheshe të hapura. Kështu, pra, e pati bërë zakon dhe kudo që shkonte dhe kishte ndër mend të fliste për Zotin, porosiste të ngrinin një kryq të madh prej druri dhe ta vendosnin në mes të sheshit. Pastaj mbështeste në drurin e kryqit fronin, që, siç thonë, ia kishte ndërtuar Kurt Pashai, ngjitej në të dhe fillonte të predikonte. Pasi përfundonte, fronin e merrte me vete kudo që shkonte, ndërsa kryqin e linte aty që t’u kujtonte njerëzve fjalët e tij për Zotin. Në ato vende ku qenë vendosur kryqet, Zoti ka bërë herë pas here shumë mrekulli. Kështu, në qendër të pazarit të Argostolit që është qyteti më i madh i Kefalonisë, aty ku shenjti pati lënë një kryq të tillë, shpërtheu nga toka ujë me veti çudibërëse, që vazhdon të rrjedhë edhe sot.
Nga Kefalonia shkoi në Zakintho. E shoqëronin më shumë se dhjetë kaike të mbushura me besimtarë të bindur nga Kefalonia. Por aty nuk pati sukses njeriu i bekuar. Prandaj, pasi predikoi vetëm për pak kohë, u kthye përsëri në Kefaloni dhe prej aty shkoi në Korfuz ku u prit me gëzim nga të gjithë dhe veçanërisht nga vetë princi i ishullit. Por, meqenëse u grumbullua një turmë e madhe nga fshatrat përreth për të dëgjuar fjalët e shenjtit, krerët e qytetit iu lutën të ikte më shpejt, sepse i trembeshin ndonjë të pabëre. Dhe kështu, me qëllim që të mos bëhej shkak ngjarjesh të papëlqyera dhe turbullirash midis njerëzve, u largua që aty dhe u hodh në bregun përballë, domethënë në Shqipëri, në qytetin e Dyzet Shenjtorëve (Sarandë). Aty u mësonte të krishterëve fjalën e Zotit duke kaluar fshat më fshat, në të gjithë zonën ku njerëzit ishin egërsuar dhe ku respekti ndaj Zotit dhe jeta e krishterë rrezikoheshin të zhdukeshin pa lënë gjurmë.
Të krishterët e atyre anëve ndodheshin në padije te madhe dhe ishin bërë pre e shumë të këqijave, vrasjeve, vjedhjeve dhe gjërave të tjera të padëgjuara. Kështu, me ato që bënin, ata sa s’po ua kalonin edhe vetë të pafeve. Pikërisht në shpirtrat e shkretë dhe të egërsuar të këtyre të krishterëve, shën Kozmai mbolli farën e fjalës se Zotit dhe me ndihmën e Tij hyjnore arriti të bënte shumë të mira, që mbahen mend edhe sot. Ai arriti të zbusë të egrit, të sjellë në rrugë të drejtë hajdutët, njerëzve të pamëshirshëm e të pashpirt u mësoi të kenë mëshirë, të pafetë i futi në rrugën e Zotit, të paditurve dhe të pagdhendurve u ndriçoi mendjet me të vërtetat hyjnore dhe i bëri të ndjekin me etje Meshën e Shenjtë. Ai u tregoi udhën e pendesës dhe të ndreqjes gjithë mëkatarëve, të cilët pranonin se ishte shfaqur në ditët e tyre një apostull i ri. Me mësimet e tij ngriti kudo, nëpër fshatra e qytete, shkolla ku shkonin fëmijët dhe mësonin falas fjalët e Zotit.
Në këtë mënyrë atyre u rrënjosej besimi dhe respekti ndaj Zotit, mësoheshin të ishin të virtytshëm në familje e shoqëri. Arriti të bindte të pasurit dhe ata blenë më shumë se katër mijë kolimvithra të mëdha prej bakri, dymbëdhjetë grosh secilën dhe ia dhuruan Kishës si kujtim të tyre të përjetshëm. Aty do të pagëzoheshin, siç u kishte hije, fëmijët e të krishterëve. Arriti të bindte, po kështu, ata që kishin mundësi të dhuronin para dhe u blenë libra kishtarë e mësime për të krishterët, komboskinë, kryqe të vegjël, shami dhe krehra. Librat ua dhuronte atyre që dukej se do t’i lexonin, shamitë më shumë se katër mijë ua ndante grave, që të mbulonin kryet, krehrat ua jepte atyre që premtonin të linin mjekër dhe të jetonin krishtërisht, duke ruajtur virtytet, ndërsa komboskinët dhe kryqet më shumë se pesëqind mijë ua ndante njerëzve të thjeshtë, që t’u falnin mëkatet atyre që i patën blerë.
Kudo që shkonte e ndiqnin pas dyzet deri pesëdhjetë priftërinj. Kur shkonte nga një qytet në tjetrin, u çonte fjalë besimtarëve të krishterë të rrëfeheshin, të agjëronin dhe ta kalonin gjithë natën duke u lutur nën dritën e qirinjve. Për këtë qëllim kishte përgatitur disa kasa druri dhe çdonjëra merrte njëqind qirinj që i shkrinte dhe i merrte me vete. Pastaj u ndante të gjithëve qirinj falas, vinte priftërinjtë dhe lexonin Efqelinë e Shenjtë. Besimtarët lyheshin me vajin hyjnor dhe më pas ai mbante fjalën e Zotit. Meqë i shkonin pas shumë njerëz, dy a tre mijë, jepte porosi qysh në darkë dhe bënin gati shumë thasë me bukë dhe kazanë me grurë të zier. Pastaj i nxirrnin jashtë në rrugë, aty ku do të kalonte populli, dhe të gjithë merrnin bukë e grurë, duke falur të gjallë e të vdekur.
Me shën Kozmain Zoti bëri edhe në Shqipëri, ashtu si dhe në vende të tjera, çudi të mëdha.
Agallarët e Filatit shkuan të shihnin shenjtin dhe të dëgjonin fjalët e tij. Meqë ishte verë, u shtrinë dhe fjetën jashtë në fushë. Për një çast, në errësirën e thellë të natës, panë një dritë qiellore si re, që mbulonte vendin ku rrinte shenjti dhe këtë ua treguan të krishterëve. Në mëngjes kërkuan që vetë shenjti t’u jepte uratën e tij me gjithë shpirt dhe jo vetëm me fjalë.
Në vendin e quajtur Lëkurës, afër Fanarit, një turk pa kryqin, që pati lënë aty shenjti siç e kishte zakon, e lëvizi nga vendi ku ishte dhe po e çonte në shtëpinë e vet që të bënte dy dërrasa për krevatin. Por menjëherë çfarë çudie! ndodhi një si tërmet i fuqishëm dhe, duke mos mundur të qëndronte më këmbë, ai ra përtokë e përpëlitej, nxirrte shkumë nga goja dhe kërciste dhëmbët si i çmendur.
Kjo vazhdoi gjatë dhe, pasi erdhi në vete i ndihmuar nga dy kalimtarë, kuptoi se kishte rënë mbi të zemërimi hyjnor ngaqë guxoi dhe hoqi kryqin nga vendi ku ishte. Kështu, vetë ai e shpuri dhe e vendosi kryqin përsëri në vendin e vet, aty ku ishte më parë. Shkonte çdo ditë dhe e puthte me përkushtim të madh. Një herë tjetër, kur kaloi aty mësuesi i shenjtë, i njëjti turk vrapoi pas tij, iu fal dhe ua tregonte ngjarjen të tjerëve duke kërkuar ndjesë kokulur.
Shenjti arriti t’i bindte me fjalët e tij gratë që mbanin stoli që t’i hiqnin të gjitha. Një pjesë madje u veshën edhe me të zeza. Një grua e pasur nga Korça kishte një fëmijë, të cilin e stoliste me monedha floriri dhe stoli të tjera të tepërta. Këtë grua shenjti e këshilloi shumë herë t’ua ndante stolitë fëmijëve të varfër po qe se donte të jetonte edhe i biri. Por ajo nuk e dëgjoi. Më në fund i tha se po të mos i hiqte stolitë nga fëmija, do ta humbiste shpejt. Gruaja përsëri nuk u bind, ditën tjetër e gjeti të birin të vdekur në shtrat dhe e kuptoi se Zoti e ndëshkoi për mosbindjen e saj.
Shenjti kudo që shkonte i mësonte të krishterët të mos bënin shitblerje të dielave, as punë të tjera, por të shkonin në kisha për të ndjekur Meshën e Shenjtë dhe fjalën e Zotit. Kush nuk bindej, do të merrte dënimin e Zotit.
Shën Kozmai thoshte shumë herë se Vetë Jisu Krishti e thirri për të shpallur Ungjillin dhe se nga dashuria për Të ai do të flijohej. Kjo profeci e tij u bë realitet në këtë mënyrë:
Ky mësues apostolik nuk e hapi kurrë gojën për të thënë diçka kundër hebrenjve as në Selanik, as në Kostur dhe as në Janinë, kudo që ndodheshin hebrenj. Vetë ai u mësonte të krishterëve të silleshin siç i ka hije një të krishteri të mirë dhe të ishin të çiltër e të ndershëm me afendikojtë që Zoti u caktoi. Vetë shqiptarët që shkonin nëpër sheshe ku ai përhapte fjalën e Zotit dhe e dëgjonin me ëndje, e tregonin Kozmain si një njeri shumë të dhënë pas Zotit, sa edhe vetë Kurt Pashai, pasi i dëgjoi këto fjalë, urdhëroi dhe i sollën shenjtin. Kaq shumë i pëlqeu biseda me të, saqë fronin për të cilin folëm më lart ia ndërtoi dhe ia veshi me kadife vetë ai, që shenjti të ngjitej në të dhe t’u fliste besimtarëve nga lart. Por hebrenjve që banonin në Janinë nuk u pëlqente të përhapej besimi dhe Ungjilli i Jisu Krishtit, prandaj shkuan dhe i thanë Kurt Pashait se shën Kozmai ishte gjoja i dërguar nga Rusia për të mashtruar rajatë. Atëherë dora hyjnore e mbrojti shenjtin nga kjo shpifje vdekjeprurëse, por pasuritë e të krishterëve u dëmtuan rëndë.
Meqenëse u vërtetua se akuza që i bënë shenjtit te Pashai ishte e rreme dhe asgjë më tepër nga një shpifje, shën Kozmai shkoi përsëri në Janinë, ku arriti të bindte të krishterët ta bënin pazarin jo të dielën, por të shtunën, dhe kjo gjë i dëmtoi shumë hebrenjtë. Në vazhdim i shpalli hebrenjtë armiq të hapur të Krishtit dhe tha se ata ishin gati për të bërë keq në çdo çast. Kështu, meqë hebrenjtë e kishin inat shenjtin për ato që u bënte, shkuan te Kurt Pashai dhe i dhanë shumë para që ta vriste. Ai, si mori edhe mendimin e hoxhës, vendosi ta kryente këtë punë me mënyrat e veta. Kjo gjë u bë siç do ta tregojmë më poshtë:
Shenjti e kishte bërë zakon që, kudo që shkonte për të përhapur fjalën e Zotit, të merrte leje nga kryeprifti i vendit ose nga këshilltarët e tij. Për të njëjtin qëllim dërgonte përfaqësues të tij për të marrë leje nga krerët e vendit. Pas kësaj shpallte pa pengesë fjalën e Zotit. Kur shkoi njëherë në një fshat të Shqipërisë, në Kolkondas, mori pëlqimin e kryepriftit të asaj zone. Ai kërkoi gjithashtu dhe krerët e vendit dhe mësoi se atë zonë e urdhëronte Kurt Pashai, i cili ndodhej në Berat që mbante dymbëdhjetë orë larg. Por mësoi se hoxha i pashait ndodhej aty afër dhe prandaj dërgoi njerëz që i morën lejen dhe mundi t’u fliste të krishterëve. Për të qenë më i sigurt, ai mendoi të shkonte vetë te hoxha dhe të merrte leje.
Të krishterët e penguan për pak kohë duke i thënë se kurrë nuk e pati bërë një veprim të tillë, pra të shkonte personalisht te krerët e vendit për t’u kërkuar leje. Por askush nuk mundi ta pengonte. Shenjti u tha të mos e pengonin më, mori me vete katër kallogjerë dhe një prift për përkthyes dhe shkoi te hoxha. Hoxha i tha se gjoja kishte marrë letër nga Kurt Pashai, ku e porosiste t’i dërgonte shenjtin për të biseduar. Ndërkaq ai urdhëroi njerëzit e tij ta mbanin nën mbikëqyrje shenjtin dhe të mos e linin të dilte nga oborri derisa ta dërgonin te Pashai. Atëherë mësuesi i bekuar e kuptoi se kishin ndër mend ta vrisnin. Lëvdoi dhe falënderoi Zotin Krisht që i dha mundësinë ta mbyllte udhën e tij apostolike si martir.
Pastaj u kthye nga kallogjerët që e shoqëronin dhe u tha psalmin që fillon me vargjet: “Kaluam nëpër zjarr e ujë dhe na nxore në dritë”. Atë natë vazhdoi t’i thurte lavde pa pushim Zotit pa u treguar aspak i pikëlluar për vdekjen që i afrohej, por përkundrazi dukej i gëzuar si të shkonte nëpër dasma e gëzime. Në mëngjes e morën shtatë xhelatë turq, e hipën mbi një kalë dhe u hoqën gjoja sikur po e çonin te Kurt Pashai. Por, kur u larguan kishin bërë rreth dy orë rrugë e shpunë aty ku kalonte një lumë i madh dhe, pasi e zbritën nga kali, i treguan se kishin urdhër nga Kurt Pashai që ta vrisnin. Shenjti e dëgjoi me gëzim këtë vendim kundër tij, ra në gjunjë dhe iu lut Zotit duke e falënderuar e lëvduar që po flijohej nga përkushtimi për Të, ashtu sikurse e dëshironte ngaherë shpirti i tij. Pastaj u ngrit, bekoi duke bërë kryqin në katër anët e horizontit dhe u lut për gjithë të krishterët që u përmbaheshin porosive të tij.
Në vazhdim xhelatët e ulën pranë një peme dhe donin t’i lidhin duart. Por shenjti nuk i la, duke u thënë se nuk do të kundërshtonte, por do t’i mbante duart të kryqëzuara si t’ia kishin lidhur. Pastaj mbështeti kokën e tij të shenjtë në pemë. Barbarët e lidhën me një litar në qafë dhe, me ta shtrënguar pak, shpirti i tij i shenjtëruar u ngjit menjëherë në qiell. Kështu, i lumuri Kozma, njeriu që vetëm të mira u kishte bërë të gjithëve, ai që ishte stoli e vërtetë e kësaj bote, pati fatin të merrte nga Zoti një kurorë të dyfishtë, si apostull i vërtetë dhe si shenjt i martirizuar në moshën gjashtëdhjetë e pesë vjeç. Trupin e tij të shenjtë xhelatët e zhveshën, e hoqën zvarrë dhe e hodhën në lumë me një gur të madh në qafë. Kur e mësuan lajmin, të krishterët vrapuan me një frymë për ta nxjerrë. Kërkuan në ujërat e lumit me rrjeta dhe me mjete të tjera, por nuk mundën ta gjenin.
Pas tri ditësh, një prift i përkushtuar, i quajtur Marko, që shërbente në Manastirin e Ardenicës pranë fshatit Kolkondas, hipi në një trung, bëri kryqin dhe shkoi të kërkonte. Dhe sa çudi! pa trupin e shenjtit që qëndronte mbi ujë dhe rrinte drejt si të ishte i gjallë. Nxitoi menjëherë, e përqafoi dhe e nxori nga uji. Në momentin që e ngriti, në lumë u derdh shumë gjak nga goja fjalëmbël e shenjtit. Pastaj, si e veshi kufomën e shenjtit me rason e vet, e çoi në manastirin e Shën Mërisë dhe e varrosi me nderime prapa Ajodhimës.
Pas vdekjes së shenjtit, ndodhën ngjarjet e mëposhtme:
Kurt Pashai u pendua hidhur, sepse u gënjye nga fitimet e çastit dhe vrau një njeri të pafajshëm e të paqshëm si ai. I dërgoi lajm hoxhës të lironte kallogjerët e shenjtit, që i mbante nën mbikëqyrje, për të shkuar në manastirin e Shën Marisë dhe të qëndronin aty. Kur këta shkuan dhe gjetën të varrosur kufomën e shenjtit, për të mësuar më mirë si ndodhi flijimi i tij, e zhvarrosën së bashku me priftërinj dhe besimtarë të tjerë. Megjithëse kishte ndenjur tri ditë brenda në lumë, trupi i tij nuk ishte dëmtuar fare dhe as që mbante erë të keqe. Përkundrazi prej tij përhapej aromë e mirë dhe dukej sikur flinte. Si e përqafuan me dhimbje e përkushtim, e varrosën përsëri. Atë çast qëlloi aty një grua e çmendur, e ardhur nga larg, që ndiqte shenjtin sa ishte gjallë me shpresë se do të shërohej. Kur pa që hapën varrin e shenjtit, mendja e saj u trondit fuqishëm dhe pas pak shërua dhe nuk pushonte së lëvduari shenjtin.
Njëri nga turqit që vranë shenjtin pati marrë kalimafin e tij dhe ishte kthyer te hoxha duke e mbajtur në kokë e duke tallur shenjtin. Por në çast e lanë mendtë, hoqi rrobat dhe vraponte duke thirrur se ai e vrau shenjtin. Kur kjo gjë ra në vesh të Pashait, ai urdhëroi dhe e futën në burg ku hoqi keq e mos më keq dhe më në fund vdiq.
Shenjti, pasi pati mbajtur fjalën e tij të fundit në fshatin që përmendëm më sipër, domethënë në Kolkondas, la aty, sipas zakonit, një kryq të ngulur në tokë. Pas vdekjes së tij të krishterët vërenin përnatë një dritë qiellore që ndriste mbi kryq. Prandaj, në ditën e Kryqit priftërinjtë dhe populli shkuan dhe e morën kryqin, duke bërë litaninë e duhur dhe e vunë pas Ajodhimës si kujtim të përjetshëm të çudisë që pat ndodhur.
Kur nxënësit e tij u lanë krejt të lirë nga Pashai, mblodhën sendet e shenjtorit. Disa prej tyre morën lipsane dhe u shpërndanë në vende të ndryshme, ku shumë të sëmurë fituan shëndetin me bekimin e tij.
Paçim dhe ne fatin që, me ndërmjetimet e shenjtit martir, të ngjitemi në Mbretërinë Qiellore. Amin.