
Ati i shenjtë Nikanori lindi në Selanik (1491) nga prindër shpresëtarë dhe të pasur, të cilët për shumë vjet nuk kishin pasur fëmijë, por patën pas shfaqjes së mrekullueshme të shën Minait. E edukuan në mënyrën më të mirë me dashuri për Shkrimet e Shenjta dhe e ushqyen me zellin për virtytet. Mbeti jetim, dhe pasurinë që pati e shpërndau te të varfërit. Kështu u bë murg me emrin Nikanor. Megjithëse qëndroi në shtëpinë e tij, ai ushtrohej në asketizëm, duke imituar Etërit hyjprurës. Episkopi e admironte përkushtimin e tij, ndaj dhe e dorëzoi në dhjak dhe pastaj prift duke i dhënë përgjegjësinë e drejtimit të shërbesave në katedrale.
Kur ishte 37 vjeç, një natë Nikanori dëgjoi një zë që i thoshte të tërhiqej në shkretëtirë, në bregun e majtë të Aliakmonit në krahinën e Grevenasë, që të gjente qetësinë e duhur për komunikimin e tij me Perëndinë. I shpërndau shpejt gjithçka që i kishte mbetur, e braktisi Selanikun dhe u nis për rrugë. Nëpër fshatra dhe qytete ku kalonte, predikonte fjalën e Perëndisë. Jetoi për disa kohë në Saraqinë ku bëri mrekulli të mëdha, por fama e mirë që pati e detyroi të tërhiqej në malin Kalistrat, në një shpellë ku futeshe me vështirësi.
Por djalli, i cili nuk i duronte dot betejat e tij, i solli shumë vështirësi, por shenjti i përballoi me emrin e Jisuit dhe me shenjën e Kryqit. Edhe pas fjetjes së tij, demonët e shkatërruan shpellën e tij nga frika se mos vendosej ndonjë tjetër luftëtar atje. Ushtrimi asketik dhe varfëria ekstreme e shën Nikanorit nuk mund të mbeteshin të fshehura. Ai tërhoqi vëmendjen e shën Dionisit të Olimpit (23 janar), i cili u tha njëherë nxënësve të tij: “Ja thesari që fshihet nën këto rrënoja!”
Dikur dy të krishterë të pasur shkuan në shpellën e Nikanorit dhe i kërkuan t’i pranonte si nxënës. I priti me nderim, por i qortoi që kishin braktisur shën Dionisin për të ardhur tek ai. I veshi me skimën engjëllore. Pas tyre erdhën edhe shumë dishepuj të tjerë dhe vëllazëria e Nikanorit u rrit. Ndërtuan manastirin e vjetër të Prodhromit të shenjtë, i cili ndodhej disa metra larg nga shpella. Një natë, shenjti dëgjoi një zë ta urdhëronte që të shkonte në majën e malit, sepse do të gjente të fshehur një ikonë të vjetër të Shpëtimtarit. Filloi kërkimet së bashku me murgjit dhe punëtorët, dhe atje ndërtuan një kishë kushtuar festës së Metamorfozës. Pas disa vjetësh ky manastir numëronte numrin më të madh të murgjve në tërë zonën.
Tri ditë para se të vdiste, i mblodhi murgjit dhe iu la testamentin në të cilin i këshillonte t’i ruanin me besnikëri traditat e Etërve të shenjtë dhe Tipikonë e shën Savës. Vendosi që në manastir nuk do të hynin femra e fëmijë dhe se igumeni i tij do të zgjidhej në prani të igumenëve të manastireve: të Shpërfytyrimit, të Varlaamit, të Meteorës dhe të Skitit të Pararendësit, themeluar nga shën Dionisi, dhe se do t’i jepnin shkopin e tij si bari.
Pas kremtimit të festës së Metamorfozës, shenjti priti gjithë besimtarët që erdhën për të kremtuar dhe, sapo hyri në qeli, e zunë ethe të forta.
Fjeti ditën e tretë të festës (1549), siç i ishte parathënë dhe u varros në Kishën e Pararendësit.
Lipsani i tij u bë burim shërimesh.