
Me origjinë egjiptiane, oshënar Visarioni u fut në jetën murgërore nga shën Andoni i Madh. Më vonë u bë dishepull i shën Makarit, themeluesit të Skitës (19 janar) dhe, që nga ajo kohë vendosi të bënte jetë endacake, i dërguar sa në një vend në tjetrin nga Përkujdesja Hyjnore, si zogu nga era. E tërë pasuria e tij ishte një Ungjill, të cilin e mbante gjithnjë në duar. Jetonte në qiell të hapur, duronte të gjitha vështirësitë e motit, dhe nuk mendonte as për strehë e as për veshje. I fuqizuar nga besimi, atë nuk e tronditnin aspak pasionet e mishit.
Kur mbërriti në një manastir ku vëllezërit bënin jetë komunitare, ai u ul te porta e manastirit duke qarë. Një vëlla i ofroi mikpritje dhe i kërkoi të dinte se përse ishte i dëshpëruar. “Nuk mund të jetoj nën një çati, pa fituar më parë pasurinë e shtëpisë sime”, iu përgjigj ai, duke nënkuptuar me këto fjalë trashëgiminë hyjnore, të humbur që nga koha e Adamit. “Jam i mërzitur, më kërcënon vdekja përditë dhe pareshtur për shkak të fatkeqësive të mia të mëdha, që më detyrojnë të shtegtoj, për t’i dhënë fund udhëtimit tim”.
Ai u end 40 vjet i pagjumë dhe i kalonte ditët e netët duke u lutur. Në një ditë dimri, kur po ecte në rrugët e një fshati, hasi trupin e një të vdekuri. Pa hezituar, hoqi pallton dhe e mbuloi trupin. Pak më tutje, ai ia dha tunikën e tij një të varfri që po dridhej nga të ftohtët. Një oficer që kaloi atje, deshi të mësonte se kush ia kishte rrëmbyer rrobat. “Ky e bëri”, i tha Visarioni, duke i treguar Ungjillin. Një herë tjetër, takoi një të varfër dhe, duke mos pasur asgjë për t’i dhënë si ndihmë, rendi në treg dhe shiti Ungjillin e tij. Kur një nxënës i tij e pyeti për Ungjillin, ai iu përgjigj me dhembshuri: “E kam shitur për t’iu bindur porosisë që veshët e mi nuk reshtin kurrë së dëgjuari: “Shko, shit çfarë ke dhe jepua të varfërve” (Matth. 19:21).
Me anë të jetës së tij ungjillore ai u bë një enë e zgjedhur e Hirit dhe Perëndia kreu shumë mrekulli nëpërmjet tij. Një ditë, ëmbëlsoi ujin e detit duke i bërë shenjën e Kryqit, për të shuar etjen e nxënësit të tij. Kur ky i fundit i kërkoi të merrnin ujë me vete, por shenjtori ia ndaloi duke thënë: “Perëndia është këtu, Perëndia është kudo!”. Gjithashtu, një herë tjetër, qëndroi në lutje për dy javë me duart e ngritura drejt qiellit dhe kështu solli një shi të bollshëm për të shuar etjen e një vëllai. Ndodhi që ai ndaloi diellin derisa shkoi në qelinë e një jerondi, të cilin donte ta takonte. Madje, në një rast tjetër eci më këmbë mbi ujë. Me anë të këtyre shenjave dhe shumë mrekullive të tjera, të kryera prej shenjtorit, Perëndia tregoi, siç bëri me Moisiun, Jisuin e Naviut dhe Ilian, se Ai u fal shërbëtorëve të Tij pushtetin mbi dukuritë natyrore. Nëpërmjet pushtetit të Krishtit, ai ngriti më këmbë një të paralizuar, dëboi demonë dhe e tregoi veten me të vërtetë “një perëndi” përmbi tokë.
Pasi arriti në fund të rrugës së tij, ai ishte gati të shkonte në banesat qiellore, që i kishte dëshiruar gjatë gjithë endjeve dhe u la si mësim atyre që i ndodheshin pranë: “Murgu duhet të jetë si keruvimi, gjithë sy”.
Kur një vëlla e pyeti se çfarë duhet të bëjë një murg që jeton në komunitet, ai i tha: “Të ruajë heshtjen dhe të mos e krahasojë veten me të tjerët!”. Me të vërtetë, kjo është mënyra se si, në mes të njerëzve, dikush mund të fitojë hirin e eremitëve të mëdhenj.