
Në fillim të persekutimit të Decit (249-251), Poliefkti dhe Niarku, dy oficerë me origjinë greke, të legjionit të dymbëdhjetë romak, në atë kohë me vendqëndrim Melitinën në Armeni, kishin miqësi të ngushtë. Niarku ishte bërë i krishterë, ndërsa Poliefkti jepej pas idhujve, megjithëse ishte shumë i virtytshëm.
Kur u publikua edikti i parë i persekutimeve, i cili i detyronte gjithë ushtarakët të dëshmonin publikisht besnikërinë ndaj adhurimit zyrtar të perandorit, Niarku i tha Poliefktit se ky edikt do t’i ndante përgjithmonë. Poliefkti kishte pak njohuri për Jisu Krishtin, nga bisedat që kishte bërë me mikun e tij, prandaj iu përgjigj plot gëzim: “Jo, nuk do të ndahemi, se natën e kaluar m’u shfaq Krishti në vizion, më veshi me petk drite, pasi ma zhveshi rrobën ushtarake dhe më dhuroi një kalë me krahë”. Ai kuptoi se bëhej fjalë për largimin e tij për në qiell, në korin e lavdishëm të martirëve.
Ishte i krishterë prej kohësh, në gatishmërinë e mirë të shpirtit; i mungonte vetëm emri dhe vula hyjnore e pagëzimit. Nxitën njëri-tjetrin të përbuznin të mirat dhe gëzimet e prishshme të kësaj toke dhe të fitonin bukurinë qiellore. Kur Niarku i tregoi Poliefktit se martirizimi mund të zëvendësojë pagëzimin dhe gjithçka tjetër që ndihmon për të hyrë në ushtrinë e Krishtit dhe se nëpërmjet tij (martirizimit) Ai, Krishti dhe Mësuesi, mund të banojë te ne, atëherë, ai që digjej nga dëshira për t’u martirizuar, i tha: “Mendja ime nuk mendon më, veç gjërat e qiellit, kam para syve të shpirtit tim Krishtin, dhe madhështia e Tij më shkëlqen fytyrën. Le të shkojmë bashkë të vuajmë martirizimin, le të dalim për të lexuar ediktin e perandorit”. Kur arritën te regjistrimi, Poliefkti i guximshëm e grisi përpara turmës, vrapoi në mes të procesionit pagan dhe bëri copa idhujt që mbanin priftërinjtë.
E kapën menjëherë dhe e nxorën para gjyqit. E dënuan për sakrilegj. Asgjë nuk e ndalte për të deklaruar veten e tij si të krishterë. Pas xhelatëve të lodhur nga dhuna që kishin ushtruar ndaj tij, të cilët më kot ishin përpjekur ta bindnin, i vjehrri, Feliksi, qeveritari i krahinës, e la të reflektonte, duke i kujtuar të shoqen dhe fëmijët. “Cilën grua? Cilët fëmijë? tha ai, mendja ime nuk është më atje, ajo është kthyer drejt të mirave qiellore dhe të paprishshme. Sa për bijën tënde, nëse e ndien se duhet të më vijë pas, do të jetë e lumtur, përndryshe do të shkojë në humbje bashkë me ata që ju quani perëndi”.
E shoqja, Pavlina, i shkoi me lot: “Ç’është kjo marrëzi që të ka zënë? Kush të ka gënjyer të shkosh e të thyesh dymbëdhjetë perënditë tona?”. “Në qoftë se unë i kam mundur dymbëdhjetë perënditë e tua, iu përgjigj Poliefkti, s’ka më mjet për ty të gjesh perëndi këtu poshtë. S’të mbetet më, o Pavlinë, veç të vish pas meje dhe të adhurosh Perëndinë e vërtetë, që të shkëmbesh këtë jetë kalimtare me atë qiellore dhe të përjetshme”. Si konstatoi se atleti i Krishtit e sfidoi dashurinë për të afërmit dhe solli shumë idhujtarë në besim, gjykatësi e dënoi me vdekje.
Poliefkti shkoi drejt vendit të ekzekutimit me gëzim dhe fytyrë të ndritur, sikur fitonte lirinë, duke u dhënë zemër të krishterëve të tjerë. Kur pa Niarkun, e përshëndeti dhe i kujtoi premtimin që i bënë njëri-tjetrit. Pastaj tendosi qafën nën shpatë dhe u pagëzua me gjakun e tij. Më të zellshmit ndër besimtarë e varrosën trupin e shenjtit në Melitinë, ndërsa Niarku e thithi gjakun e tij me një rrobë dhe një vit më vonë e transportoi në qytetin e Kananiotëve.