EmailFacebookKontakt

Vetë – Përmbajtja

Vetë – Përmbajtja

      Vetë-përmbajtja vendoset, gjithashtu, nga Apostulli Pavël në listën e “fryteve të Shpirtit të Shenjtë” (Galatianët 5:22). Ky virtyt është ai, i cili nuk arrihet shpesh lehtë, sepse njerëzit harrojnë se, ashtu si durimi, ai është një hir i Perëndisë dhe ata duhet ta kërkojnë atë nga Zoti. Por ata mendojnë se mund të vijë vetëm nga përpjekja njerëzore dhe nga fuqia e vullnetit.

    Vetë-përmbajtja është një nga karakteristikat kryesore të Perëndisë dhe është një nga dhuratat kryesore të njeriut si i krijuar sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë. Sipas shenjtorëve, vetë-përmbajtja është një nga elementët kryesorë të shëmbëlltyrës hyjnore tek njeriu, bashkë-ekzistues me dhuratën e lirisë, e cila shpesh është shpjeguar si elementi themelor dhe bazik i ngjashmërisë së njeriut me Krijuesin e tij. Kur një është përsosmërisht i lirë nga hiri i Perëndisë – “atje ku është Fryma e Zotit, atje është liria” (2 Korinthianët 3:17) – është, gjithashtu, edhe kontrolli i përsosur ndaj vetes.

    Njeriu e humbet vetë-përmbajtjen kur ai e shet veten në mëkatin dhe bëhet një skllav i prishjes së pasioneve të tij mishore. Një njeri i tillë është karakterizuar mirë në letrën e dytë të Shën Pjetrit.

    . . . ata që shkojnë pas mishit në lakminë e fëlliqësisë dhe e përbuzin pushtetin . . . të paturpshëm, arrogant . . . shtazë pa mend, të lindura nga natyra që të kapen dhe të shkatërrohen, flasin keq për gjërat që nuk i dinë . . . janë njolla dhe fëlliqësi, dhe lëshohen pas mashtrimeve të tyre . . . Sytë i kanë plot me kurorëshkelje dhe nuk pushojnë së mëkatuari . . . kanë zemër të stërvitur në lakmime . . . e lanë udhën e drejtë . . . Këta janë burime pa ujë, re që shtyhen nga furtuna . . . Sepse duke mbajtur ligjërata jashtë mase të fryra dhe të kota bëjnë për vete, me anë të pasioneve të mishit dhe të paturpësisë, ata që me të vërtetë kishin shpëtuar nga ata që jetojnë në gabim; ndërsa u premtojnë atyre liri, ata vetë janë skllevër të prishjes, sepse një bëhet skllav i atij që e mundi (2 Pjetri. 2:10-19).

    Njeriu pa vetë-përmbajtje është i skllavëruar. Ai është rob i mëkatit, instrument i gatshëm i pasioneve mishore, viktimë e çdo marrëzie dhe ligësie. Ai është i kapur në mendjen dhe zemrën e tij nga “lakmia e mishit, lakmia e syve dhe krenaria e jetës” (1 Joani 2:16). Ai është një “bir i djallit” (Joani 8:44, Veprat 13:10, 1 Joani 3:10) dhe ka një “mendje mishore” (Romanët 8:7).

    . . . keni ecur dikur, sipas ecjes së kësaj bote, sipas prijësit të pushtetit të erës, sipas frymës që vepron tani në bijtë e mosbindjes, ndërmjet të cilëve edhe ne dikur jetuam në lakmitë e mishit tonë duke i plotësuar dëshirat e mishit . . .(Efesianët 2:3-4, Romanët 1:18-32).

    Vetë-përmbajtja, sipas traditës shpirtërore të Kishës, është kontrolli shpirtëror mbi lakminë e mendjes dhe të mishit. Është quajtur shpesh “papasionshmëri” nga mjeshtërit shpirtëror. Papasionshmëria (apathia) nuk do të thotë shkatërrimi i shtysave dhe dëshirave natyrale të trupit dhe të shpirtit, si: nevoja për gjumë, ngrënie dhe pirje; ose të emocioneve, si: dëshira shpirtërore, zelli, entuziazmi, gëzimi, mrekullimi, keqardhja ose frika. Por, do të thotë kontrolli i ndjenjave që nuk janë natyrale, normale dhe të shëndetshme, si edhe vdekësimi i ndjenjave që janë të këqia dhe të liga.

    E keqja duhet të shihet jo në natyrën e krijesave, por në veprimet e tyre të gabuara dhe irracionale.

    Papasionshmëria është një gjendje paqeje e shpirtit, në të cilën ai nuk mund të shtyhet lehtë në të keqen.

    Në shpirt janë fuqitë e tij shpirtërore. Në trup janë shqisat dhe gjymtyrët e tij. Rreth personit janë ushqimet, pasuritë, paraja, etj. Një përdorim i drejtë apo i gabuar i gjërave dhe efektet që rezultojnë na tregojnë ne nëse janë të virtytshme apo mëkatare.

    Shkrimet . . . nuk e ndalojnë të hash apo të lindësh fëmijë, ose të kesh para dhe t’i shpenzosh drejt, por ato ndalojnë grykësinë, kurvërinë dhe kështu me radhë. Madje ato nuk na ndalojnë ne të mendojmë rreth gjërave të tilla . . . por vetëm na ndalojnë të mendojme për to me pasion dhe lakmi.

    Kur mendja nuk është zotëruesi, ndjenjat e marrin kontrollin dhe si rregull, ndjenjat përzihen me fuqinë e mëkatit që, nëpërmjet kënaqësisë, e sjell shpirtin në mëshirën e mishit . . . Si rezultat, ai ndërmerr, sikur të ishte natyrale të bëjë kështu, një përkujdesje pasionante, epshore dhe kënaqësi-dashëse për mishin që e largon njeriun nga jeta e vërtetë natyrale, duke e shtyrë njeriun të bëhet për veten e tij nxitësi i së keqes . . .

    E keqja për një shpirt të arsyeshëm është të harrojë të mirën e tij natyrale, si pasojë e një qëndrimi pasionant ndaj mishit dhe botës. Kur mendja bëhet zotëruesi, ajo e heq një qëndrim të tillë . . . duke e interpretuar drejt origjinën dhe natyrën e botës dhe të mishit . . .

    Kur mendja i mban pasionet nën pushtetin e saj i bën ndjenjat instrumente të virtytit, ndërsa kur pasionet e robërojnë mendjen i shtyjnë ndjenjat në mëkat. Është e nevojshme të shihet sesi shpirti duhet të mbajë një mënyrë të përshtatshme veprimi, duke përdorur për virtytet çfarë përdorej më parë për mëkatin.

    Një shpirt vepron në mënyrë të arsyeshme kur fuqia e tij dëshiruese ka fituar vetë-kontrollin, fuqia e tij eksituese përpiqet të arrijë dashurinë . . . dhe fuqia e tij mendore qëndron në Perëndinë nga lutja dhe soditja shpirtërore (Shën Maksim Konfesori, shek. 7).

    Kështu, është vetëm kungimi me Perëndinë, me anë të Krishtit dhe Shpirtit të Shenjtë, ai që u jep fuqinë e vetë-përmbajtjes krijesave të arsyeshme të Perëndisë.