EmailFacebookKontakt

Shpresa

Shpresa

    Virtyti i shpresës shkon së bashku me fuqinë e besimit. Patriku Abraham “duke besuar kundër çdo shprese, besoi për t’u bërë ati i shumë kombeve”(Romanët 4:18). Dhe shpresa, ashtu si besimi, është në atë që nuk shihet. Sepse me shpresë ne shpëtuam; por shpresa që duket nuk është shpresë, sepse atë që dikush e sheh, si mundet edhe ta shpresojë? Por në qoftë se ne shpresojmë atë që s’e shohim, atë gjë e presim me durim (Romanët 8:24-25). Shpresa është siguria e rezultatit të mirë të jetës sonë të jetuar nga besimi në Perëndinë. Shpresa është fuqia e një bindjeje të sigurtë që jeta e ndërtuar në besimin do të prodhojë frytet e saj. Shpresa është siguria, e cila përbuz çdo errësirë dhe mëkat, drita e faljes plot dashuri e Perëndisë është mbi ne, për të bërë me ne dhe për ne, çfarë ne vetë nuk mund ta bëjmë.

    Shpirti ynë pret Zotin; Ai është ndihma jonë dhe mburoja jonë. Po, zemra jonë do të gëzohet tek Ai, sepse kemi besim, në emrin e tij të shenjtë. Mirësia jote qoftë mbi ne, o Zot, sepse kemi pasur shpresë te ti (Psalmi 33:20-22). E kundërta e shpresës është shkurajimi dhe dëshpërimi. Sipas traditës shpirtërore të Kishës, gjendja e shkurajimit dhe dëshpërimit është më brengosësja dhe gjendja më e tmerrshme që një person mund të jetë. Është më e keqja dhe më e dëmshmja e gjendjeve mëkatare të mundshme për shpirtin.

    Humbja e shpresës është gjendja më e keqe e mundshme, sepse pa shpresë, asgjë tjetër nuk është e mundshme; sigurisht jo besimi. Nëse një person është pa besim, ai mund të dënohet dhe të bindet. Nëse një person është krenar, ai mund të përulet; i papastër, ai mund të pastrohet; i dobët, ai mund të fuqizohet; i keq, ai mund të bëhet i drejtë. Por, nëse një person është i shkurajuar dhe i dëshpëruar, vetë gjendja e sëmundjes së tij është e tillë që zemra dhe shpirti i tij janë të vdekur dhe nuk i përgjigjen hirit të Perëndisë dhe ndihmës së vëllezërve të tij.

    . . . forca e dëshpërimit . . . e dërrmon atë dhe e shtyp shpirtin e tij; dhe ky është një shijim i ferrit, sepse shkakton mijëra tundime: pështjellim, acarim, duke protestuar dhe duke u ankuar për fatin e tij, mendime të gabuara, bredhje nga një vend tek tjetri dhe kështu me radhë (Shën Isaak Siriani, shek 6, Drejtime mbi Stërvitjen Shpirtërore). Demoni i dëshpërimit, i cili quhet “demoni i mes-ditës” (Psalmi 91:6) është më i rëndi nga të gjithë të tjerët. (. . .) Ai ngjall në atë acarim dhe bezdisje kundër vendit, kundër vetë mënyrës së jetësës dhe kundër punës së tij, duke shtuar se nuk ka më dashuri ndërmjet vëllezërve dhe asnjë që ta ngushëllojë atë. (. . .) Atëherë provokon tek ai një dëshirë për vende të tjera . . . (Evagri i Pontit, shek. 4, Anatolit: Mbi Tetë Mendimet).

    I vetmi ilaç për dëshpërimin është përunjësia dhe durimi, duke u mbajtur fort në jetën e besimit, edhe pa bindje ose ndjenja. Duhet thjeshtimi i jetës, duke e kaluar çdo ditë, një e nga një, në zbatimin e vazhdueshëm, qoftë edhe të jashtëm, të leximeve nga shkrimet, të adhurimit liturgjik, të agjërimit, lutjes dhe punës. Sipas këshillës së Shën Benediktit (shek. 6), duhet të mbetesh i qëndrueshëm në një vend dhe “në atë që po bën”, aq sa mundesh, me të gjithë vëmendjen e mundur. Sipas këshillës së Shën Serafimit (shek. 19), duhet të takohesh me miqtë shpirtërorë, me ato që janë plot shpresë, të mëshirshëm, të gëzuar dhe të fortë. Duhet të qëndrosh i fortë deri në fund edhe kur kalon në thatësirë dhe errësirë, derisa të gjendet drita e shpresës së bekuar dhe ngushëllimi. Nuk ka rrugë tjetër dhe “ata që e gjejnë janë pak” (Matheu 7:14). Por, kur një “lufton dhe fiton kundër shkurajimit dhe dëshpërimit, kjo luftë pasohet nga gjendje plot paqe dhe shpirti mbushet me një gëzim të pashprehur” (Evagri, Anatolit: Mbi TetëMendimet).

    Kur ne sulmohemi nga demoni i dëshpërimit – më i rëndi nga të gjithë, por që më tepër se të gjithë e bën shpirtin me përvojë – le ta ndajmë shpirtin tonë në dy, duke e bërë njërën pjesë ngushëlluesin dhe tjetrën të ngushëlluarin, le të mbjellim ne vetet tona farën e shpresës së mirë, duke kënduar me psalmistin David: “Përse je i hidhëruar o shpirti im dhe përse turbullohesh brenda meje” Shpreso në Perëndinë; sepse unë do ta lavdëroj përsëri Atë, shpresën time dhe Perëndinë tim” (Psalmi 42:5; Evagri i Pontit, Anatolit: Tekste mbi Jetën Aktive).

    Ndonjëherë, njerëzit mendojnë se njëfarë “mungese e shpresës” është një virtyt i krishterë. Ata mendojnë se duke shpallur se “gjithçka është humbur” ata po i pëlqejnë Perëndisë nga përunjësia dhe vuajtja e tyre për mëkatet e tyre dhe të botës. Ata mendojnë se sa më shumë ata përqëndrohen në ligësitë e njerëzve, sa më shumë ata lartësojnë fuqinë e të keqit, sa më shumë ata psherëtijnë dhe thonë: “Nuk ka shpresë për ne tek Perëndia!”, aq më shumë ata bëhen të drejtë dhe të devotshëm. Por e gjitha kjo është gabim. Nuk ka të bëjë aspak me vuajtjen plot durim nga duart e të keqit dhe me luftën plot durim kundër fuqive të së keqes, që të drejtët duhet të durojnë, duke qenë absolutisht të sigurtë për fitoren e tyre përfundimtare dhe tërësore në Perëndinë, burimin e shpresës dhe fuqisë së tyre. Nuk është virtyt të ndjehesh i dobët dhe i pashpresë në praninë e të keqes. Nuk është virtyt ta konsiderosh veten krejtësisht në mëshirën e të keqes dhe të mëkatit. Por është virtyt që gjithmonë të jenë “të gëzuar në shpresë, të qëndrueshëm në shtrëngime”, duke e ditur dhe duke besuar se fitorja finale është e Perëndisë (Romanët 12:12).