EmailFacebookKontakt

Përunjësia

Përunjësia

    Në traditën orthodhokse, përunjësia është quajtur shpesh “nëna e të gjitha virtyteve” dhe krenaria është emëruar “shkaku i të gjitha mëkateve.” Person i ditur dhe i ndershëm është ai që është i përunjur.

    Përpara shkatërrimit vjen kryelartësia dhe përpara rrëzimit fryma krenare.

    Më mirë të kesh frymë të përulur me të mjerët sesa të ndash prenë me krenarët.

    Kryelartësia e njeriut e çon poshtë atë, por ai që ka një shpirt të përvuajtur do të ketë lavdi (Fjalët e urta 16:18, 16:19, 29:23).

    Sipas Ungjillit, në Këngën e Virgjëreshës, Zoti i shpërndan krenarët në mendimet e zemrave të tyre dhe i lartëson ata që janë të përunjur dhe të butë (Kr. Lluka 1:51-52). Ky është mësimi i saktë i Jisuit.

    Sepse kushdo që e larton veten do të përunjet, dhe kush e përunj veten do të lartohet (Lluka 14:11, 18:14, Fjalët e urta 3:34).

    Përunjësia nuk ka kuptimin e degradimit ose vrasjes së ndërgjegjes. Ajo nuk ka kuptimin të shkaktojë njëfarëlloj poshtërimi të sjelljes së jashtme. Ajo nuk do të thotë ta konsiderosh veten si më të poshtrin dhe më të neveritshmin e krijesave. Vetë Krishti ishte i përunjur dhe Ai nuk e bëri këtë. Perëndia Vetë, sipas traditës shpirtërore të Kishës, ka përunjësinë e përsosur dhe Ai, sigurisht, nuk vepron në këtë mënyrë.

    Përunjësi e vërtetë do të thotë të shohësh realitetin, ashtu si ai është aktualisht në Perëndinë. Do të thotë të njohësh veten dhe të tjerët, ashtu si njihen nga Perëndia – një fuqi, sipas Shën Isak Sirianit, më e madhe se të ngjallësh të vdekurit! I përunjuri lë mënjanë çdo kotësi dhe mashtrim në shërbimin e krijesës më të vogël të Perëndisë dhe nuk e konsideron asnjë akt të mirë nën dinjitetin dhe nderin e atij që e bën ose të atij që i bëhet. Përunjësia është të njohësh veten, pa hirin e Perëndisë, si dhι, mëkatar dhe i vdekur.

    Perëndia është i përunjur, sepse ai përkujdeset për më të voglin: zogjtë e qiellit, barin e fushës, më të keqin e mëkatarëve (Kr. Matheu 6:25-30). Krishti është i përunjur, sepse Ai shoqërohet me të thjeshtët, duke u bërë shërbëtori i të gjithëve në marrjen mbi Vete të mëkateve të botës.

    Në qoftë se unë, Zoti dhe Mësuesi, ju kam larë këmbët, edhe ju duhet t’i lani këmbët njëri-tjetrit. Unë, në fakt, ju kam dhënë shëmbullin që ashtu siç kam bërë unë, bëni edhe ju (Joani 13:14-15).

    Ju e dini se të parët e kombeve i sundojnë ato dhe të mëdhenjtë përdorin pushtet mbi ato, por midis jush kështu nuk do të ndodhë; madje secili prej jush që do të dojë të bëhet i madh, le të jetë shërbëtori juaj; dhe kushdo prej jush që do të dojë të jetë i pari, le të jetë skllavi juaj. Sepse edhe Biri i njeriut nuk erdhi që t’i shërbejnë, por për të shërbyer dhe për të dhënë jetën e tij si çmim për shpengimin e shumë vetëve (Matheu 20:25-28).

    Të gjithë të krishterët duhet të ndjekin shembullin e Krishtit në përunjësinë e Tij hyjnore. Shën Pavli mëson:

    Mos bëni asgjë për rivalitet as për mendjemadhësi, por me përulësi, secili ta çmojë tjetrin më shumë se vetveten. Mos mendojë secili për interesin e vet, por edhe atë të të tjerëve. Kini në ju po atë ndjenjë që ishte në Jisu Krishtin, i cili, edhe pse ishte në trajtë Perëndie, nuk e çmoi si një gjë ku të mbahej fort për të qenë barabar me Perëndinë, por e zbrazi veten e tij, duke marrë trajtë shërbëtori, e u bë i ngjashëm me njerëzit; dhe duke u gjetur nga pamja e jashtme posi njeri, e përuli vetveten duke u bërë i bindur deri në vdekje, deri në vdekje të kryqit. Prandaj edhe Perëndia e lartësoi madhërisht dhe i dha një emër që është përmbi çdo emër, që në emër të Jisuit të përkulet çdo gju i krijesave (ose gjërave) qiellore, tokësore dhe nëntokësore, dhe çdo gjuhë të rrëfejë se Jisu Krishti është Zot, për lavdi të Perëndisë Atë (Filipianët 2:3-11).

    Lartësimi i Jisuit si njeri varej, krejtësisht në përunjësinë e Tij vetë-zbrazëse. Madhështia e vërtetë, madhështia hyjnore, është aftësia për t’u bërë më i vogli dhe tek më i vogli, me sigurinë absolute se është e rëndësishme, konkretisht dhe hyjnishmërisht, se është një imitim i Vetë Perëndisë.

    Përunjësia e vërtetë për njeriun mëkatar është të njohë se me të vërtetë, sipas mundësive dhe dhuratave të gjithsecilit, gjithsecili është me të vërtetë i pari dhe më i madhi i mëkatarëve (Kr. 1 Timotheu 1:15), sepse, gjithsecili ka mëkatuar në mënyrën e tij “si asnjë tjetër” (Shën Andrea i Kretës, shek. 7, Kanoni Pendimtar). Personi me të vërtetë i përunjur është ai që, duke rrëfyer mëkatet e tij, është “besnik në të paktat” dhe duke bërë kështu, lartësohet nga Zoti dhe “vendoset mbi të shumtat”. Vetëm një person i tillë do të “hyjë në gëzimin e të Zotit të tij” (Matheu 25:14-23, Lluka 19:17).