Mirëdashja
Njeriu shpirtëror është mirëdashës. Ai kurrë nuk e praktikon egërsinë në asnjë nga format e saj, por është gjithmonë i dashur në lidhjet e tij me të tjerët. Mirëdashja, sipas Apostullit Pavël, është, gjithashtu, një “fryt i Shpirtit të Shenjtë” (Galatianët 5:22).
Sipas shkrimeve, Vetë Perëndia është mirëdashës. Megjithë zemërimin dhe inatin kundër mëkateve të njerëzve, Zoti është “mirëdashës me mosmirënjohësit dhe të mbrapshtët” (Lluka 6:35).
Sepse e madhe është mirëdashja e tij e mëshirshme ndaj nesh, dhe besnikëria e Zotit vazhdon përjetë. Aleluja (Psalmi 117:2; Kr. Psalmi 31:21, 119:76).
Të krishterët janë thirrur të ndjekin pas Perëndinë në mirëdashjen e Tij dhe të bëjnë çdo gjë me butësi dhe dhembshuri. Sidomos kur i qortojnë dhe i ndreqin të tjerët, njeriu shpirtëror duhet të jetë mirëdashës.
. . . shërbëtori i Zotit nuk duhet të zihet, por të jetë i butë me të gjithë, i aftë për të mësuar njerëzit dhe i durueshëm, duke i mësuar me butësi kundërshtarët . . . (2 Timotheu 2:24; Kr. Galatianët 6:1).
Sidomos prindërit këshillohen të mos i “provokojnë fëmijët në zemërim” nga egërsia dhe mosbutësia (Efesianët 6:4, Kolosianët 3:21).
Shumë shpesh ndodh që njerëzit të jenë të sjellshëm me të huajt dhe me ata që kanë vetëm një lidhje kalimtare, por me personat që kanë lidhje të gjata dhe të thella – familja, të afërm, bashkë-puntorë, anëtarët e të njëjtës kishë – pandehet se ata mund të jenë të pasjellshëm dhe madje, sikur ata kanë njëfarë të drejte të veprojnë pa kujdes dhe me ashpërsi. Ky është një tundim i madh. Familjariteti dhe kontakti i përditshëm nuk i jep dikujt të drejtën të veprojë në mënyrë të pasjellshme ose të sillet me vrazhdësi. Tek më të afërmit dhe tek më të ngushtët, nevoja për butësi, mirësjellje dhe dhembshuri të vazhdueshme në çdo veprim dhe fjalë, është, veçanërisht, e domosdoshme. Nuk ka justifikim për pandjeshmërinë dhe ashpërsinë, çfarëdo qofshin lidhjet. Njerëzit shpirtërorë duhet “t’u bëjnë mirë të gjithëve, por në radhë të parë atyre që janë në familjen e besimit” (Galatianët 6:10).
. . . sepse jemi gjymtyrë, njëri me tjetrin. Zemërohuni dhe mos mëkatoni; dielli të mos perëndojë mbi inatin tuaj; dhe mos i jepni vend djallit (Kr. Psalmi 4). . . . Asnjë fjalë e keqe le të mos dalë nga goja juaj, por ajo që është e mirë për ndërtimin, sipas nevojës, që t’u japë hir atyre që dëgjojnë . . . Le të flaket larg jush çdo hidhërim, zemërim, inat, trazirë dhe shpifje me çdo ligësi. Por jini të mirë dhe të mëshirshëm njëri me tjetrin, duke e falur njëri-tjetrin, sikurse edhe Perëndia ju ka falur në Krishtin (Efesianët 4:26-32).
Mirëdashje nuk do të thotë t’i mbikalosh fajet e njerëzve; por do të thotë t’i falësh ato. Mirëdashja nuk do të thotë, gjithashtu, “të jesh i mirë” me të gjithë, kushdo ata qofshin dhe çfarëdo që ata bëjnë. Nuk do të thotë “të jesh dakort” me të tjerët në çdo gjë. Një njeri mirëdashës do t’i qortojë të tjerët, nëse do të jetë nevoja dhe mirëdashja e tij, do të tregohet nga kujdesi dhe interesimi i tij për mirëqenien e bashkë-krijesës së tij “për të cilin Krishti vdiq” (Romanët 14:15).
Por në qoftë se vëllai yt ka mëkatuar kundër teje, shko dhe qortoje vetëm për vetëm; në qoftë se të dëgjon, ti e fitove vëllanë tënd (Matheu 18:15).
Qortimi nga një njeri mirëdashës nuk është kurrë me përbuzje ose egërsi. Ai kurrë nuk tall, poshtëron ose dënon. Por gjithmonë nxit dhe ndërton me butësi dhe kuptim.