Sëmundja
Sëmundja ekziston në botë vetëm për shkak të mëkatit. Nuk do të kishte aspak sëmundje as fizike dhe as mendore, nëse njeriu nuk do të kishte mëkatuar. Sipas Krishtit sëmundja është robëri tek djalli (Matheu 8:16, 12:22; Lluka 4:40-41, 13:10-17). Dhe Krishti erdhi “të shkatërronte . . . djallin” (Hebrenjtë 2:14). Me Jisuin ndjesa e mëkateve, shërimi i trupit, shkatërrimi i djallit dhe ngjallja e të vdekurve, janë një dhe i njëjti akt shpëtimi.
Në fakt, ç’është më e lehtë, të thuash: “Mëkatet e tua të janë falur”, apo: “Çohu dhe ec”? Tani, që ta dini se Biri i njeriut ka autoritet në tokë të falë mëkatet, i tha paralitikut: “Çohu, merr vigun tënd dhe shko në shtëpinë tënde’”. Dhe ai u çua dhe shkoi në shtëpinë e vet (Matheu 9:4-7, Marku 2:9-12, Lluka 5:23-25).
Dhe në atë orë Jisui shëroi shumë veta nga sëmundjet, nga fatkeqësitë dhe nga frymërat e liga, dhe shumë të verbërve ua dhuroi të parit (Lluka 7:21).
Duke bërë këto gjëra Jisui tregoi se Ai është Krishti Mesia, përmbushja e profetëve që sjell në botë Mbretërinë e Perëndisë.
. . . të verbërit fitojnë përsëri të parit, të çalët ecin, lebrozët po pastrohen, të shurdhërit po dëgjojnë, të vdekurit po ringjallen, dhe Ungjilli u shpallet të varfërve. I lumi ai që nuk do të skandalizohet prej meje (Lluka 7:22-23, kr. Isaia 29:18-19, 35:5-6, 61:1; Matheu 4:23-24, 11:4-6)!
Kur një çlirohet nga mëkati dhe e keqja, ai çlirohet, gjithashtu, nga sëmundja dhe vdekja. Në Mbretërinë e Perëndisë nuk do të ketë “as sëmundje, as dhimbje e psherëtim, por jetë të përjetshme” (Shërbesa e Varrimit).
Kur dikush vizitohet nga sëmundja në këtë botë, qoftë trupërisht apo mendërisht, ai është një viktimë e djallit dhe “mëkatit të botës” (Joani 1:29). Kjo nuk do të thotë se njerëzit janë domosdoshmërisht të dënuar personalisht me sëmundjet e tyre. Por do të thotë, si në rastin e atyre që kanë lindur me dobësi dhe fëmijëve që janë të sëmurë, se ku mëkati është me bollëk, sëmundjet janë, gjithashtu me bollëk. Është mësimi i Kishës se ata që janë viktimizuar nga sëmundja pafajshmërisht, si fëmijët e vegjel dhe njerëzit me prapambetje, do të shpëtohen me siguri në Mbretërinë e Perëndisë.
Ja mësimi i librit të Zanafillës. Perëndia nuk i tha njeriut: “Mëkato dhe unë do të vras.” Ai i tha, nëse ti do të mëkatosh“do të vdesësh” (Zanafilla 2:17, 3:3). Kështu njeriu mëkaton dhe shkatërron vetveten nga e keqja, ai sjell mallkimin e sëmundjes dhe vuajtje në botë për veten dhe për fëmijët e tij; dhe jeta e tij bëhet mundim derisa kthehet në dheun nga i cili u krijua – dhe që është nga natyra pa hirin e Perëndisë në jetën e tij (kr. Zanafilla 3:17-19). Në këtë kuptim djalli është “princi i kësaj bote” (Joani 12:31, 14:30, 16:11).
Mëkatshmërinë e kësaj bote, robërinë e saj te djalli, “rënkimin në mundim” të saj (kr. Romanët 8:19-23) deri në shpëtimin e saj në Krishtin, Perëndia Vetë e përdor sëmundjen dhe vdekjen për qëllimet e Tij të përkujdesjes si mjete për shpëtimin e njeriut. Perëndia nuk është shkaku i sëmundjes, vuajtjes dhe vdekjes; por praninë e ekzistencës së tyre, për shkak të mashtrimit të djallit dhe ligësisë dhe mëkatit të njeriut, Perëndia e përdor që njeriu të shërohet dhe shpëtohet në ndjesën e mëkateve. Në këtë kuptim dhe vetëm në këtë, mund të thuhet se “Perëndia i dërgon sëmundjen njeriut.”
Kur një njeri shpirtëror është i sëmurë ai e njeh se sëmundja e tij është shkaktuar nga mëkati i tij dhe mëkatet e botës. Ai nuk fajëson Perëndinë për këtë, sepse ai e di se Perëndia nuk e ka shkaktuar atë dhe nuk e dëshiron atë për shërbëtorët e Tij. Ai e di, gjithashtu, nëpërmjet planit përkujdesor të Perëndisë dhe shpëtimit në Krishtin, se sëmundja e tij do të shërohet. Ai e di edhe, se nëse Perëndia dëshiron kështu, ai mund të shërohet nga sëmundja e tij në këtë jetë që të ketë më shumë kohë për t’i shërbyer Perëndisë dhe njeriut në tokë dhe të kryejë çfarë ai duhet, sipas planit të Perëndisë. Ai e di gjithashtu se vetë sëmundja mund të jetë mjeti për t’i shërbyer Perëndisë dhe ai e pranon atë në këtë mënyrë, duke e ofruar atë në besë dhe dashuri për shpëtimin e tij dhe për shpëtimin e të tjerëve.
Nuk ka dëshmi më të madhe për dashurinë e Perëndisë dhe besimin në Krishtin sesa sëmundja e përballuar me besim dhe dashuri. Ai që i duron dobësitë e tij me virtyt, me kurajo dhe durim, me besim dhe shpresë, me gëzim dhe kënaqësi, është dëshmitari më i madh i shpëtimit hyjnor që mund të jetë. Asgjë nuk mund të krahasohet me një person të tillë, sepse lavdërimi i Perëndisë në dhimbje dhe hidhërim është ofrimi më i madh i mundshëm që njeriu mund të bëjë në jetën e tij në tokë.
Çdo shenjtor që ka jetuar ndonjëherë i ka vuajtur dobësitë trupore. Dhe të gjithë ata, pothuaj pa përjashtim – edhe kur i shëronin të tjerët me lutjet e tyre – nuk kërkuan ose morën çlirimin për vetet e tyre. Rasti më është ai i Vetë Jisuit, shërbëtorit të përvuajtur të Perëndisë.
I përçmuar dhe i hedhur poshtë nga njerëzit, njeri i dhembjeve, njohës i vuajtjes, i ngjashëm me dikë para të cilit fshihet faqja . . .
Megjithatë ai mbante sëmundjet tona dhe kishte marrë përsipër dhembjet tona; por ne e konsideronim të goditur, të rrahur nga Perëndia dhe të përulur. Por ai u tejshpua për shkak të shkeljeve tona, u shtyp për paudhësitë tona; ndëshkimi për të cilin kemi paqen është mbi të, dhe për shkak të vurratave të tij ne jemi shëruar . . . Zoti bëri që të bjerë mbi të paudhësia e ne të gjithëve.
Kishin caktuar ta varrosnin bashkë me të pabesët, po kur vdiq e vunë me të pasurin (d.m.th. Josifin e Arimethesë, Matheu 27:57) . . . Duke ofruar jetën e tij si flijim për mëkatin . . . (Isaia 53, kr. Psalmi 22, 38, 41)
Krishti “e dorëzoi shpirtin e Tij te vdekja” (Isaia 53:12) kur Ai ishte vetëm në dekadën e tij të tretë të jetës së Tij. Shumë nga shenjtorët me zorr se jetuan më gjatë dhe pothuaj të gjithë vujatën, si Shën Pavli, nga disa “gjëmba në mish”, normalisht kuptuar si dhimbje trupore.
. . . m’u dha një gjëmb në mish, një engjëll i Satanit, për të më rënë me grushta, që të mos mbahem me të madh. Lidhur me këtë iu luta tri herë Zotit që ta largonte nga unë. Por ai më tha: “Hiri im të mjafton, sepse fuqia ime përsoset në dobësi”. Prandaj me kënaqësi të madhe do të krenohem më tepër për dobësitë e mia, që fuqia e Krishtit të rrijë tek unë . . . kur jam i dobët, atëherë jam i fortë (2 Korinthianët 12:7-10).
Të gjithë personat shpirtërorë ndjekin shembullin e Krishtit dhe Shën Pavlit dhe të shenjtorëve në vlerësimin e tyre për sëmundjen. Ata i thonë Atit: “U bëftë vullneti Yt” dhe e shndërrojnë dobësinë e tyre, me hirin e Perëndisë, në mjet për shpëtimin e vetes dhe të të tjerëve.