EmailFacebookKontakt

II Timotheut

Letra e dyte e Apostull Pavlit
drejtuar Timotheut

-1-

1 Pavli, apostull i Jisu Krishtit me anë të vullnetit të Perëndisë, sipas premtimit të jetës që është në Krishtin Jisu,
2 Timotheut, birit të dashur, i qoftë hir, përdëllim, paqe prej Perëndisë Atë, edhe prej Krishtit Jisu, Zotit tonë.
3 Falënderoj Perëndinë, të cilit i shërbej, sikurse edhe të parët e mi, me ndërgjegje të kthjellët, se pa pushim të kujtoj në lutjet e mia natë e ditë,
4 edhe se, kur kujtoj lotët e tu, kam mall të të shoh, që të mbushem me gëzim;
5 sepse sjell ndër mend besimin tënd pa hipokrizi që është tek ti, i cili qëndroi më parë te gjyshja jote Loida, edhe tek nëna jote Eunika; edhe jam i bindur se edhe tek ti.
6 Për këtë shkak të kujtoj ty të gjallërosh përsëri dhuratën e Perëndisë, e cila është tek ti me anë të vënies së duarve të mia mbi ty.
7 Sepse Perëndia s’na ka dhënë frymë frike, po fuqie edhe dashurie e urtësie.
8 Mos kij turp pra për dëshminë e Zotit tonë, edhe për mua të burgosurin e tij; por vuaj bashkë me mua për ungjillin sipas fuqisë së Perëndisë;
9 i cili na shpëtoi dhe na thirri me thirrje të shenjtë, jo sipas punëve tona, po sipas vendimit dhe hirit të tij që na u dha në Krishtin Jisu që përpara kohëve të përjetshme,
10 edhe që u zbulua tani me anë të shfaqjes së shpëtimtarit tonë Jisu Krisht, i cili prishi vdekjen, edhe nxori në dritë jetën dhe pavdekësinë me anë të ungjillit.
11 Për këtë u vura unë predikues dhe apostull e mësues i kombeve;
12 shkak për të cilin edhe i pësoj këto; por nuk kam turp; sepse e di kujt i kam besuar, edhe jam i bindur se ai mund të ruajë deri në atë ditë atë që mua më është besuar.
13 Ruaj formën e fjalëve të shëndosha që dëgjove prej meje, me besim e me dashuri që është në Krishtin Jisu.
14 Të mirën që t’u besua ruaje me anë të Frymës së Shenjtë që rri ndër ne.
15 Ti e di këtë, se të gjithë ata që janë në Azi më kthyen krahët, prej të cilëve është Figjeli dhe Hermogjeni.
16 Zoti i dhëntë përdëllim shtëpisë së Onisiforit, sepse shumë herë më dha zemër dhe s’pati turp prej hekurave të mi,
17 po kur erdhi në Romë, më kërkoi me shumë ngulm dhe më gjeti.
18 Zoti i dhëntë atij të gjejë përdëllim nga Zoti në atë ditë. Edhe sa më shërbeu në Efes, ti i di më mirë.

1 2 3 4

-2-

1 Ti pra, biri im, forcohu në hirin që është në Krishtin Jisu;
2 edhe sa dëgjove prej meje me shumë dëshmitarë, jepua njerëzve besimtarë, të cilët do të jenë të zotë të mësojnë edhe të tjerë.
3 Ti pra vuaj si ushtar i mirë i Jisu Krishtit.
4 Sepse asnjë që shkon ushtar nuk ngatërrohet me punët e jetës, që t’i pëlqejë atij që e mori ushtar.
5 Po edhe nëse dikush ndeshet, nuk kurorëzohet, nëse nuk ndeshet sipas ligjit.
6 Bujku që mundohet, duhet i pari të marrë pjesë nga frytet.
7 Kupto ato që them; edhe Zoti të dhëntë mend për të gjitha.
8 Ki ndër mend Jisu Krishtin nga fara e Davidit që është ngjallur prej së vdekurish, sipas ungjillit tim,
9 për të cilin vuaj deri në vargonj si keqbërës; por fjala e Perëndisë nuk lidhet.
10 Prandaj të gjitha i duroj për të zgjedhurit, që të gjejnë edhe ata shpëtimin që është në Krishtin Jisu bashkë me lavdi të përjetshme.
11 E besueshme është kjo fjalë; sepse në vdiqëm bashkë me Krishtin, kemi edhe për të jetuar bashkë me të;
12 në durofshim, kemi edhe për të mbretëruar bashkë me të; në e mohofshim, edhe ai do të na mohojë;
13 në dalshim të pabesë, ai mbetet besnik; nuk mund të mohojë veten e tij.
14 Këto kujtojua, duke i porositur ata përpara Zotit, të mos hahen me fjalë, se s’ka asnjë dobi, veçse për shkatërrim të atyre që dëgjojnë.
15 Kujdesu ta nxjerrësh veten tënde të provuar përpara Perëndisë, punëtor faqebardhë dhe shpjegues të drejtë të fjalës të së vërtetës.
16 Edhe largohu nga fjalët e kota përdhosëse, sepse shtojnë më shumë pabesi;
17 edhe fjala e tyre do të brejë si gangrenë; nga këta është Himenei dhe Filiti,
18 të cilët dolën jashtë udhës së të vërtetës, duke thënë se tashmë ngjallja u bë; edhe përmbysin besimin e disave.
19 Por themeli i Perëndisë qëndron i fortë dhe ka këtë vulë: Zoti njeh ata që janë të tijtë; edhe: Le të largohet nga padrejtësia kushdo që zë në gojë emrin e Krishtit.
20 Dhe në një shtëpi të madhe nuk ka vetëm enë të arta e të argjendta, po edhe të drunjta e prej balte; edhe disa duhen për punë të nderuar, e disa për punë të panderuar.
21 Në pastroftë pra ndonjë veten e tij nga këto, do të jetë enë për punë të nderuar, e shenjtëruar, edhe e vlefshme për të zotin, e bërë gati për çdo punë të mirë.
22 Edhe largohu nga dëshirat e djalërisë edhe bjeri pas drejtësisë, besimit, dashurisë, paqes bashkë me ata që thërresin në Zotin me zemër të pastër.
23 Edhe hiq dorë nga debatet e marra e të trasha, duke ditur se ato lindin grindje.
24 Edhe shërbëtori i Zotit nuk duhet të zihet, po të jetë i butë me të gjithë, i zoti të mësojë të tjerët, që duron të ligën,
25 që ndreq me butësi ata që kanë mendime të kundërta, se mbase u jep atyre Perëndia pendim, që të njohin të vërtetën,
26 edhe të shpëtojnë nga laku i djallit, prej të cilit janë zënë robër në dëshirën e tij.

1 2 3 4

-3-

1 Edhe dije këtë, se në ditët e fundit kanë për të ardhur kohë të këqija;
2 sepse njerëzit do të jenë vetëdashës, argjenddashës, kryelartë, mendjemëdhenj, blasfemues, të pabindur ndaj prindërve, mosmirënjohës, të paudhë,
3 të padhembshur, të papajtueshëm, shpifës, të papërmbajtur, të egër, jo mirëdashës,
4 tradhtarë, të vrazhdë, të fryrë nga krenaria, kënaqësidashës më tepër se perëndidashës,
5 që në dukje janë të përkushtuar, po fuqinë e tij e kanë mohuar; edhe nga këta largohu.
6 Sepse prej këtyre janë ata që hyjnë nëpër shtëpi, edhe robërojnë gratë mendjelehta që janë ngarkuar me mëkate, e tërhiqen prej çdo lloj dëshirimesh,
7 të cilat gjithnjë mësohen, e kurrë s’mund të vijnë në njohjen e së vërtetës.
8 Edhe ashtu si Janiu e Jambriu i dolën kundër Moisiut, kështu edhe këta i dalin kundër së vërtetës, njerëz të prishur nga mendja, të paprovuar në besim.
9 Por s’kanë për të përparuar më tepër; sepse marrëzia e tyre do t’u shfaqet të gjithëve, siç u bë edhe me atë të Janiut e Jambriut.
10 Po ti i re prapa mësimin tim, sjelljet, qëllimin, besimin, zemërgjerësinë, dashurinë, durimin,
11 përndjekjet, pësimet, që më ndodhën në Antioki, në Ikoni, në Listër. Çfarë përndjekjesh pësova! Dhe Zoti më shpëtoi nga të gjitha.
12 Po edhe gjithë sa duan të rrojnë me shprestari në Krishtin Jisu do të përndiqen.
13 Po njerëzit e ligj e gënjeshtarë do të shkojnë mbarë në më të ligën, duke gënjyer dhe duke u gënjyer.
14 Po ti qëndro në ato që mësove e u vërtetove, duke ditur prej cilit i ke mësuar;
15 edhe se që nga foshnjëria i di shkronjat e shenjta, të cilat mund të të bëjnë të ditur për shpëtim me anë të besimit që është në Krishtin Jisu.
16 Gjithë Shkrimi është i perëndifrymëzuar, edhe i dobishëm për mësim, për qortim, për ndreqje, për arsim që është me drejtësi;
17 që të jetë i përsosur njeriu i Perëndisë, i përgatitur për çdo punë të mirë.

1 2 3 4

-4-

1 Të urdhëroj pra unë përpara Perëndisë edhe Zotit Jisu Krisht, që ka për të gjykuar të gjallë e të vdekur në shfaqjen e tij dhe në mbretërinë e tij:
2 Prediko fjalën, ngulmo me kohë e pa kohë, qorto, këshillo, nxit me çdo zemërgjerësi edhe mësim.
3 Sepse ka për të ardhur koha kur nuk do të durojnë mësimin e shëndoshë, por do të mbledhin grumbull pranë vetes së tyre mësues sipas dëshirave të tyre, për të gudulisur veshët.
4 Edhe prej së vërtetës do të largojnë dëgjimin, edhe do të kthehen pas përrallave.
5 Po ti rri zgjuar në të gjitha, vuaj, bëj punë ungjillëtari, shërbesën tënde permbushe.
6 Sepse unë tani jam duke derdhur gjakun, edhe koha e ikjes sime arriti.
7 Luftën e mirë luftova, udhën e mbarova, besimin e ruajta.
8 Pastaj më mbetet kurora e drejtësisë, të cilën do të ma japë në atë ditë Zoti, gjykatësi i drejtë; edhe jo vetëm mua, por dhe gjithë atyre që duan shfaqjen e tij.
9 Përpiqu të vish shpejt tek unë.
10 Sepse Dhimai më la, se deshi këtë botë, edhe shkoi në Selanik; Krisku në Galati; Titoja në Dalmaci.
11 Vetëm Llukai është bashkë me mua. Markun merre me dhe sille me vete; sepse më është i vlefshëm në shërbesë.
12 Edhe Tihikun e dërgova në Efes.
13 Kur të vish, sill gunën që lashë në Troadë pranë Karpit, edhe librat, po më fort pergamenat.
14 Aleksandër bakërpunuesi shumë të liga më bëri; Zoti ia shpagoftë sipas punëve të tij.
15 Prej tij edhe ti ruhu, sepse iu kundërvu fort fjalëve tona.
16 Në mbrojtjen time të parë asnjë nuk qëndroi bashkë me mua, po të gjithë më lanë, – mos iu numëroftë atyre për mëkat.
17 Por Zoti më ndenji pranë e më dha fuqi që me anën time të përmbushet predikimi, edhe të dëgjojnë gjithë kombet; edhe shpëtova nga goja e luanit. 18 Edhe Zoti do të më shpëtojë nga çdo punë e ligë, edhe do të më ruajë për mbretërinë e tij qiellore, të cilit i qoftë lavdia në jetë të jetëve. Amin.
19 Përshëndet Priskën dhe Akilën, edhe shtëpinë e Onisiforit.
20 Erasti mbeti në Korint; edhe Trofimin e lashë të sëmurë në Militë.
21 Përpiqu të vish përpara dimrit. Të përshëndet Euvuli dhe Pudi dhe Lini dhe Klaudia, edhe gjithë vëllezërit.
22 Zoti Jisu Krisht qoftë bashkë me frymën tënde. Hiri qoftë bashkë me ju. Amin.

1 2 3 4

https://orthodoxalbania.org/2026/wp-content/uploads/2020/05/Apostull-Pavli-05-2020.png https://orthodoxalbania.org/2026/wp-content/uploads/2020/04/decorend_vectorized.png

Letra e dyte e Apostull Pavlit
drejtuar Timotheut

https://orthodoxalbania.org/2026/wp-content/uploads/2020/04/decorend_reverse.png PGgzIHN0eWxlPSJ0ZXh0LWFsaWduOiBjZW50ZXI7Ij48YSBocmVmPSIja3JldTEiPjE8L2E+IDxhIGhyZWY9IiNrcmV1MiI+MjwvYT4gPGEgaHJlZj0iI2tyZXUzIj4zPC9hPiA8YSBocmVmPSIja3JldTQiPjQ8L2E+Jm5ic3A7PC9oMz4= https://orthodoxalbania.org/2026/wp-content/uploads/2020/04/decorend_vectorized.png

Ungjilli  sipas

https://orthodoxalbania.org/2026/wp-content/uploads/2020/04/decorend_reverse.png https://orthodoxalbania.org/2026/wp-content/uploads/2020/04/decorend_vectorized.png https://orthodoxalbania.org/2026/wp-content/uploads/2020/04/decorend_reverse.png https://orthodoxalbania.org/2026/wp-content/uploads/2020/04/decorend_vectorized.png

Letrat  e  Apostull  Pavlit

https://orthodoxalbania.org/2026/wp-content/uploads/2020/04/decorend_reverse.png https://orthodoxalbania.org/2026/wp-content/uploads/2020/04/decorend_vectorized.png

Letrat e Pergjithshme

https://orthodoxalbania.org/2026/wp-content/uploads/2020/04/decorend_reverse.png https://orthodoxalbania.org/2026/wp-content/uploads/2020/04/decorend_reverse.png https://orthodoxalbania.org/2026/wp-content/uploads/2020/04/PC_35_H_Peacocks_in_Attraction_vectorized-300×97.png