
Omologjet Martini i Romës.
E kishte prejardhjen nga Italia e Mesme. Fillimisht ishte përfaqësues i Kishës së Italisë në Konstandinopojë, ku vuajti nga patriarku, Pavli II, i cili qe heretik monothelit. Në vitin 649 u caktua primat i Kishës së Romës. Po atë vit thirri sinodin në Lateranë, i cili, duke pasur si flamurtar omologjetin, shën Maksimin (21 janar), dënoi monothelitizmin dhe udhëheqësit e tij, si dhe politikën e lëkundur kishtare të ndjekur nga perandor Konstanti II (641-668).
Ky i fundit u zemërua jashtë mase me shenjtorin dhe i nxitur edhe nga patriarku Pavël, mundi të sjellë episkopin (653) në kryeqytetin e perandorisë, ndonëse gjendej i sëmurë rëndë në shtrat. E dënuan me vdekje për komplot politik por, pastaj, pasi e kaluan përmes poshtërimesh e torturash, e internuan në Hersonë të Krimesë, ku edhe mbaroi më 16 shtator të vitit 655.
Omologjeti Martin shkroi letra, disa prej të cilave janë ruajtur. Kremtohet edhe më 16 shtator, si dhe më 20 shtator së bashku me shën Maksimin dhe shoqërinë e tij.
Arkiv historik Joomla. Burimi: oaca_Joomla30 / sg25k_content ID 3796. Kategoria e vjetër: Shenjtorët e ditës