Apostulli – Romakët 10:11-11.2
Sepse shkrimi thotë: “Gjithkush që beson në atë, nuk do të turpërohet”. Sepse s’ka dallim ndërmjet Judeasit e Grekut; sepse po ai Zot është i të gjithëve, i pasur për të gjithë ata që e thërresin atë. Sepse kushdo që të thërresë emrin e Zotit, do të shpëtojë. Si pra do të thërrasin atë, të cilin nuk e besuan? Edhe si do ta besojnë atë për të cilin nuk kanë dëgjuar? Edhe si do të dëgjojnë, pa pasur predikues? Edhe si do të predikojnë, në mos u dërgofshin? Siç është shkruar: “Sa të bukura janë këmbët e atyre që japin lajmin e mirë për paqe, të atyre që japin lajmin e mirë për të mirat”. Por të gjithë nuk u bindën në ungjill, sepse Isaia thotë: “Zot, kush i besoi predikimit tonë?” Besimi pra është prej dëgjimi; dhe dëgjimi me anë të fjalës së Perëndisë. Por them: Mos nuk dëgjuan? Po, me të vërtetë “zëri i tyre doli në gjithë dheun, dhe fjalët e tyre deri në anët të botës”. Po them: Mos nuk i njohu Izraeli? I pari Moisiu thotë: “Unë do t’ju fus smirën për atë që nuk është kombi im, dhe do t’ju bëj të zemëroheni për një komb që s’ka mend”. Po Isaia guxon edhe më tepër e thotë: “U gjenda tek ata që s’më kërkonin, u duka tek ata që nuk pyetnin për mua”. Por Izraelit i thotë: “Tërë ditën i shtriva duart e mia një populli që nuk bindet dhe flet kundër”.Them pra: Mos e braktisi Perëndia popullin e tij? Qoftë larg. Sepse edhe unë Izraelit jam, prej farës së Abrahamit, prej fisit të Beniaminit. Perëndia nuk e braktisi popullin e tij, të cilin e njohu që përpara.
Ungjilli – Mateu 9:9-13
Edhe duke shkuar Jisui andej, pa një njeri që thuhej Mathe, duke ndenjur në doganë. Dhe i thotë: Eja pas meje. Edhe ai u ngrit e shkoi pas tij. Edhe tek po rrinte në mësallë në shtëpi të Matheut, ja tek erdhën shumë tagrambledhës e fajtorë, dhe rrinin bashkë me Jisuin dhe me nxënësit e tij. Edhe Farisenjtë kur panë, u thanë nxënësve të tij: Përse mësuesi juaj ha bashkë me tagrambledhës e me fajtorë? Po Jisui kur dëgjoi u tha atyre: Ata që janë të shëndoshë s’kanë nevojë për shërues, por ata që kanë keq. Edhe shkoni e mësoni ç’është “Dua përdëllim, e jo theror”, sepse s’kam ardhur të thërres të drejtë, por fajtorë në pendim.
Arkiv historik Joomla. Burimi: oaca_Joomla30 / sg25k_content ID 2181. Kategoria e vjetër: Apostulli i ditës