Apostulli Efesianëve 4:14-17
Që të mos jemi më foshnje, që turbullohen e që sillen andej-këtej nga çdo erë mësimi, nga gënjeshtra e njerëzve, nga dinakëria e mjeshtërisë së mashtrimit; po duke thënë të vërtetën me dashuri të rritemi në të gjitha në atë, i cili është kryet, Krishti, prej të cilit tërë trupi i montuar e i lidhur së bashku me ndihmën e çdo artikulimi, sipas veprimit me masë të secilës pjesë, bën rritjen e trupit, për ndërtimin e vetvetes me dashuri. Them pra këtë, dhe dëshmoj në Zotin, të mos ecni më siç ecin edhe kombet e tjerë në kotësinë e mendjes së tyre.
Ungjilli Llukai 9:49-56
Edhe Joani u përgjigj e tha: Mjeshtër, pamë një njeri që nxirrte demonë në emrin tënd; dhe e ndaluam, sepse nuk vjen pas bashkë me ne. Edhe Jisui i tha: Mos e ndaloni, sepse ai që s’është kundër nesh, është me ne. Edhe ndodhi që kur po mbusheshin ditët e ngjitjes së tij në qiejt atëherë ai vuri syrin për të shkuar në Jerusalem. Edhe dërgoi lajmëtarë përpara tij, të cilët si shkuan, hynë në një fshat të samaritanëve, për të bërë gati vend për të. Edhe nuk e pritën atë, sepse ai ishte duke shkuar në Jerusalem. Edhe nxënësit e tij Jakovi e Joani kur panë, thanë: Zot, a do që të themi të zbresë zjarr nga qielli dhe t’i shfarosë, siç bëri edhe Ilia? Po ai u kthye e i qortoi dhe tha: Ju nuk e dini të çfarë fryme jeni. Biri i njeriut nuk erdhi të humbë shpirtra njerëzish, por të shpëtojë. Edhe shkuan në tjetër fshat.
Arkiv historik Joomla. Burimi: oaca_Joomla30 / sg25k_content ID 2322. Kategoria e vjetër: Apostulli i ditës