Apostulli 2Kor. 5:15-21
Edhe vdiq për të gjithë, që ata që rrojnë të mos rrojnë më për veten e tyre, po për atë që vdiq e u ngjall për ta. Prandaj ne që tani e tutje s’njohim asnjë sipas mishit; edhe ndonëse e njohëm Krishtin sipas mishit, po tani nuk e njohim më. Prandaj nëse është ndonjë në Krishtin, ky është ndërtesë e re; të vjetrat shkuan, ja të gjitha tek u bënë të reja. Edhe të gjitha janë prej Perëndisë, që na pajtoi me veten e tij me anë të Jisu Krishtit, edhe na dha shërbesën e pajtimit. Domethënë se Perëndia ishte në Krishtin, duke pajtuar botën me veten e tij, pa ua llogaritur atyre fajet; edhe vuri tek ne fjalën e pajtimit. Për Krishtin pra lajmësojmë, sikur t’ju lutej Perëndia me anën tonë; ju lutemi për Krishtin, pajtohuni me Perëndinë. Sepse Perëndia, atë që nuk njohu mëkat, për ne e bëri të jetë mëkat, që të bëhemi ne drejtësi e Perëndisë me anë të tij.
Ungjilli Jn. 3:16-21
Sepse Perëndia aq e deshi botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin, që të mos humbasë kushdo që t’i besojë atij, po të ketë jetë të përjetshme. Sepse Perëndia nuk e dërgoi të Birin në botë që të gjykojë botën, po që të shpëtojë bota me anë të tij. Ai që i beson atij, nuk gjykohet; por ai që nuk beson, tashmë është dënuar, sepse nuk besoi në emrin e të vetëmlindurit Bir të Perëndisë. Edhe ky është gjyqi, se drita erdhi në botë, edhe njerëzit deshën më tepër errësirën se dritën; sepse punët e tyre ishin të liga. Sepse kushdo që bën të këqija, e urren dritën, edhe nuk vjen tek drita, që të mos zbulohen punët e tij. Por ai që bën të vërtetën, vjen tek drita, që të tregohen punët e tij, se janë bërë në Perëndinë.
Arkiv historik Joomla. Burimi: oaca_Joomla30 / sg25k_content ID 2313. Kategoria e vjetër: Apostulli i ditës