EmailFacebookKontakt
Lajme

Apostulli Vep. 13:25-32 Ungjilli Mk. 6:14-30

29/08/2013

Apostulli Vep. 13:25-32
Edhe Joani, kur po mbaronte udhën e tij, thoshte: Cili pandehni se jam unë? Unë nuk jam ai; po ja tek vjen pas meje ai, të cilit unë nuk jam i zoti t’i zgjidh këpucën e këmbëve. O burra vëllezër, bijtë e farës së Abrahamit, dhe sa janë ndër ju që kanë frikë Perëndinë, te ju u dërgua fjala e këtij shpëtimi. Sepse ata që rrinë në Jerusalem dhe të parët e tyre, pasi nuk e njohën këtë, as fjalët e profetëve që lexohen çdo të shtunë, i përmbushën ato, kur e gjykuan, edhe ndonëse s’gjetën asnjë faj për vdekje, lypën prej Pilatit që të vritet. Edhe pasi mbaruan gjithë ato që ishin shkruar për të, e zbritën prej drurit dhe e vunë në varr. Po Perëndia e ngjalli prej së vdekurish. Edhe ai u duk për shumë ditë tek ata që u ngjitën bashkë me të prej Galilesë në Jerusalem, të cilët janë dëshmitarë të tij tek populli. Edhe ne po ju japim juve lajmin e mirë për premtimin që u qe bërë etërve, se këtë Perëndia e përmbushi te ne bijtë e tyre, duke ngjallur Jisuin.

Ungjilli Mk. 6:14-30
Edhe dëgjoi mbreti Irod, – se emri i tij (i Jisuit) ishte bërë i njohur, – dhe thoshte se Joani që pagëzonte është ngjallur prej së vdekurish, dhe prandaj fuqitë e qiellit punojnë me anë të tij. Të tjerë thoshin se ai ishte Ilia. Por të tjerë thoshin se është profet ose si një nga profetët. Po Irodi, kur dëgjoi, tha se ky është Joani, të cilit unë i preva kryet; ai është ngjallur prej së vdekurish. Sepse vetë Irodi dërgoi e zuri Joanin, dhe e lidhi në burg për Irodiadën, gruan e Filipit, të vëllait, sepse e kishte marrë për grua. Sepse Joani i thoshte Irodit se s’është e udhës të kesh ti gruan e vëllait tënd. Prandaj Irodiada e kishte mëri, dhe donte ta vriste, po nuk mundej. Sepse Irodi kishte frikë nga Joani, duke e ditur atë për njeri të drejtë dhe për shenjt; dhe e ruante, dhe bënte shumë punë duke e dëgjuar atë, dhe me gëzim e dëgjonte. Edhe kur erdhi një ditë e mbarë në të cilën Irodi u bëri darkë për ditëlindjen e tij të mëdhenjve të tij e kryemijëshve e të parëve të Galilesë, edhe si hyri e bija e Irodiadës dhe kërceu, edhe i pëlqeu Irodit e atyre që ishin ndenjur bashkë në tryezë, mbreti i tha vajzës: Kërkomë ç’të duash dhe do të ta jap. Dhe i bëri be asaj, se çdo gjë që do më lypësh do të ta jap, deri në gjysmën e mbretërisë sime. Edhe ajo doli e i tha së ëmës: Ç’të lyp? Edhe ajo tha: Kryet e Joan Pagëzorit. Edhe ajo përnjëherë hyri me nxitim te mbreti, e kërkoi duke thënë: Dua të më japësh tani në pjatë kryet e Joan Pagëzorit. Edhe mbreti u hidhërua fort, po për betimet që kishte bërë, dhe për ata që ishin ulur bashkë me të në tryezë, nuk deshi t’ia hedhë poshtë kërkesën Edhe menjëherë mbreti dërgoi një trim dhe urdhëroi të sillet kryet e atij. Edhe ai shkoi e i preu kryet në burg; dhe e pruri kryet e tij mbi pjatë dhe ia dha vajzës; dhe vajza ia dha së ëmës. Edhe nxënësit e tij, kur dëgjuan, erdhën dhe ngritën trupin e tij, dhe e vunë në varr. Edhe apostujt mblidhen tek Jisui dhe i rrëfyen të gjitha, edhe sa bënë, edhe sa mësuan.


Arkiv historik Joomla. Burimi: oaca_Joomla30 / sg25k_content ID 2370. Kategoria e vjetër: Apostulli i ditës