EmailFacebookKontakt
Lajme

Apostulli Vep. 15:35-41 Ungjilli Mt. 13:24-30

30/07/2013

Apostulli Vep. 15:35-41
Edhe Pavli e Varnava rrinin në Antioki, duke mësuar e duke predikuar fjalën e Zotit, bashkë me shumë të tjerë. Edhe pas disa ditësh Pavli i tha Varnavës: Le të kthehemi tani të shohim si janë vëllezërit tanë në çdo qytet që dhamë lajmin e mirë për Zotin. Edhe Varnava donte të marrë me vete Joanin që quhej Mark. Po Pavli s’e gjente për mirë të marrë me vete atë që qe ndarë prej tyre nga Pamfilia, dhe nuk erdhi me ta në punë. Ndodhi pra një grindje, kaq sa ata u ndanë njëri prej tjetrit; dhe Varnava mori me vete Markun dhe lundroi për në Qipro. Po Pavli zgjodhi Silën dhe doli, si u dha prej vëllezërve në hir të Perëndisë. Edhe shkuan nëpër Siri e nëpër Kiliki, duke forcuar kishat.

Ungjilli Mt. 13:24-30
Një tjetër paravoli u pruri atyre, duke thënë: Mbretëria e qiejve ngjan me një njeri që mbolli farë të mirë në arën e tij. Po ndërsa flinin njerëzit, erdhi armiku i tij dhe mbolli egjër në mes të grurit, dhe iku. Edhe kur mbiu bari e bëri pemë, atëherë u duk edhe egjëri. Edhe shërbëtorët erdhën pranë të zotit të shtëpisë e i thanë: Zot, a nuk mbolle ti farë të mirë në arën tënde? Nga doli pra egjëri? Po ai u tha atyre: Ndonjë njeri armik e ka bërë këtë. Edhe shërbëtorët i thanë atij: Do pra të shkojmë e ta mbledhim atë? Po ai tha: Jo, sepse duke mbledhur egjërin, mos shkulni edhe grurin bashkë me të. Lërini të rriten të dy bashkë deri në korrje dhe në kohën e korrjes do t’u them korrësve: Mblidhni më përpara egjërin dhe e lidhni dorëza për ta djegur atë; po grurin mblidheni në grunarin tim.
 


Arkiv historik Joomla. Burimi: oaca_Joomla30 / sg25k_content ID 2372. Kategoria e vjetër: Apostulli i ditës