EmailFacebookKontakt

E Bekuar është Mbretëria

    Mbas Shërbesës së Blatës së Hyjshme, prifti (ose dhiaku) temjanis altarin, ikonat dhe tërë Kishën. Në kohën që po temjanis altarin, ai thotë pa zë troparet që rrëfejnë plotësinë e pranisë së Krishtit në varr, në vdekje, në parajsë, në të djathtë të Atit: “Ti, i papërshkruar, që i mbush të gjitha”. Ai, gjithashtu, thotë pa zë Psalmin 50: Mëshiromë, o Perëndi. Pas temjanisjes, kleri lutet “O Mbret Qiellor…”, duke lypur praninë e Shpirtit të Shenjtë. Ata thonë përshëndetjen engjëllore: “Lavdi Perëndisë që është më të lartat dhe mbi dhenë paqe dhe ndër njerëzit mirëdashje”. Pastaj hapet Dera e Bukur dhe Mesha fillon. Thirrja e parë e Meshës Hyjnore zbulon çelësin e tërë kremtimit: E bekuar është mbretëria e Atit, e Birit dhe e Shpirtit të Shenjtë, tani e përherë e në jetë të jetëve.

    Me këto fjalë kremtuesi (personi që kryen Meshën, peshkopi ose prifti) lajmëron burimin dhe qëllimin e shërbesës hyjnore të Popullit të Perëndisë, përmbajtjen dhe përbërjen e vërtetë të tërë veprimit liturgjik. Eshtë Mbretëria e Perëndisë, e prurë në botë nga Jisu Krishti, Biri i Perëndisë, që mbretëron tashmë mistikërisht në nxënësit besnikë të Krishtit me anë të pranisë dhe fuqisë së Shpirtit të Shenjtë. Mbretëria e Perëndisë është jeta e përjetshme në Kungim me Perëndinë dhe në bindjen plot dashuri ndaj vullnetit të Tij hyjnor. Eshtë jeta e bashkuar me Shën Trininë; jeta e jetuar drejt Atit, me anë të Birit, në Shpirtin e Shenjtë. Eshtë jeta, që Krishti iu dha njerëzve me anë të mishërimit, kryqëzimit, ngjalljes dhe lavdërimit të Tij. Eshtë jeta që duhet jetuar, që tani në këtë botë, nga Populli i Perëndisë.

    Të bekosh Mbretërinë e Perëndisë, do të thotë ta duash atë si gjënë më të shtrenjtë. Populli i përgjigjet bekimit me fjalën Amin, që do të thotë Ashtu qoftë. Ky është pohimi solemn, i cili tregon se bekimi i Mbretërisë së Perëndisë është me të vërtetë i drejtë dhe i mirë. Ai është pohimi, që shpall zyrtarisht, se kjo Mbretëri është me të vërtetë për besimtarët “margaritari me vlerë të madhe”, që mbasi e kanë gjetur njëherë, ata do ta duan dhe do t’i shërbejnë dhe do të dëshirojnë ta kenë përgjithmonë (Mattheu 13:45-46). Vetëm Mesha Hyjnore dhe misteret e shërbesat e tjera të Kishës, të cilat në fillim ishin integruar në kremtimin eukaristik, si Pagëzimi, Mirosja dhe Martesa, fillojnë me bekimin solemn të Mbretërisë së Perëndisë.