EmailFacebookKontakt
Lajme

Takim i të rinjve të Kishës sonë

05/06/2011
Takim i të rinjve të Kishës sonë

Kisha Orthodhokse

me studentë e vizitorë të ardhur nga Amerika

Takim i të rinjve të Kishës sonë

E Diela e Etërve të Sinodit I Ekumenik mblodhi në Kishën e Ungjillëzimit të Hyjlindëses Mari, në Tiranë, 90 të rinj nga Berati, Fieri, Tirana, Durrësi dhe Qendra Studentore e Kishës sonë në një takim ditor rinor organizuar nga Zyra Rinore e Kryepiskopatës në bashkëpunim me Qendrën Studentore në Tiranë dhe Zyrën Rinore të Mitropolisë së Beratit.

Pas Liturgjisë Hyjnore, të rinjtë vazhduan programin dhe aktivitetet e tyre në Qendrën “Thavor” ku u bashkuan me grupin e studentëve të ardhur nga Amerika, grup ky i drejtuar nga atë Luka Veronis, i cili ka shërbyer në Kishën tonë si misionar, për më shumë se 10 vjet.

Takim i të rinjve të Kishës sonë

Pas drekës vijoi referati “T’ia përkushtojmë jetën tonë Krishtit” drejtuar nga vetë atë Luka. Ai e filloi referatin e tij me historinë e një djali që kishte jetuar për shumë kohë i varur nga droga dhe gjithmonë i shoqëruar nga njerëz që e nxitnin në këtë rrugë. Pasi njohu besimin, Zoti filloi të transformonte jetën e tij dhe tashmë ai shërben si ndihmës gjatë shërbesave adhuruese në kishë. Përpjekja e tij vazhdon ende, dhe ai lufton çdo ditë e më tepër që të ndjekë porositë e Zotit e të jetojë gëzimin e jetës me Të.

“ Zoti zbulon të bukurën që është brenda çdo njeriu dhe na trajton me dinjitet. Edhe pse bëjmë gabime, mëkate dhe ligësi të ndryshme, dashuria e tij e transformon jetën tonë. Jeta me Zotin është udhëtim i pafund, i cili kërkon prej nesh përpjekje dhe disiplinë të vazhdueshme. Nuk duhet të qëndrojmë në vend, por duhet të rritemi çdo ditë e më tepër më Zotin ”.

Atë Luka e mbylli bisedën e tij, duke u shpjeguar të gjithë të rinjve pjesëmarrës 10 hapa konkrete që na ndihmojnënë udhëtimin tonë drejt Zotit:

Takim i të rinjve të Kishës sonë

1. Përqendrohu në gjërat themelore: Bëje lutjen, agjërimin dhe lëmoshën pjesë të rregullt të jetës sate.

2. Studio dhe rriti vazhdimisht njohuritë e tua për besimin.

3. Gjej shoqëri të krishterë, që do të të mbështesë në besimin tënd.

4. Merr pjesë në jetën e Mistereve të Kishës – kryesisht në Kungimin dhe Rrëfimin e Shenjtë.

5. Shërbeju përditë të tjerëve.

6. Tregoju të tjerëve për besimin tënd.

7. Ruaje dhe mbroje zemrën dhe mendjen tënde.

8. Mëso nga çdo sfidë dhe vështirësi e jetës.

9. Kujto gjithmonë gjënë më të rëndësishme në jetë.

10. Asnjëherë mos u kënaq me arritjet e jetës tënde shpirtërore, por kërko ripërtëritje të vazhdueshme.

Programi vazhdoi me takimin në grupe të vogla, të cilët u drejtuan nga të rinjtë tanë në bashkëpunim me studentët nga Amerika. Të rinjtë diskutuan se si po ecin në jetën shpirtërore dhe si do t’i praktikojnë 10 hapat e lartpërmendura në jetën tonë të përditshme. Gjithashtu, të rinjtë ndanë me njeri-tjetrin edhe vështirësitë që hasin në ambientet ku jetojnë, shkollë, familje etj, të cilët nuk i mbështetin në jetën e krishterë.

Lutja e Tipikosë mbylli këtë takim rinor, i cili shërbeu si frymëzim dhe ripërtëritje për të gjithë të rinjtë pjesëmarrës. Ashtu si psalmisti edhe ne përjetuam vargun “sa mirë kur bijtë banojnë bashkë”.

Ana Baba


Arkiv historik i faqes së vjetër. Burimi: OldWebpage/Shqip/Shtypi & Publikimet/Year2011/takimirinor.htm