EmailFacebookKontakt
Lajme

Kremtohet Uji i bekuar në Mitropolinë e Gjirokastrës

06/01/2011
Kremtohet Uji i bekuar në Mitropolinë e Gjirokastrës

Kisha Orthodhokse

Në dt. 6 Janar, Mitropoliti i Gjirokastrës Imzot Dhimitri kreu liturgjinë Hyjnore në qytetin bregdetar të Sarandës. Besimtarët ishin të shumtë gjatë gjithë Liturgjisë Hyjnore, ku ndër të tjerë ishin edhe zëvendës konsulli i qytetit të Gjirokastrës, nënprefekti i qytetit të Sarandës, kryebashkiaku i këtij qyteti, si dhe përfaqësues të ndryshëm nga zona përqark Sarandës. Gjithashtu në liturgji merrnin pjesë edhe nxënësit e shkollës Kryqi i nderuar, nxënësit e shkollës profesionale Apostull Pavli, Mesopotam dhe vajzat e konviktit kishtar Bularat.

Kremtohet Uji i bekuar në Mitropolinë e Gjirokastrës

Pas përfundimit te Liturgjisë Hyjnore, mitropoliti i Gjirokastrës së bashku me popullin besimtar u drejtuan drejt detit ku u krye dhe ceremonia e bekimit te ujrave me hedhjen e Kryqit ne det. Të shumtë ishin të rinjtë që u hodhën në det por si përfundim Kryqi u kap nga nxënësi i Liceut Kishtar, Vasil Skuka.

Menjëherë pas kryerjes së shërbesës së ujit të bekuar, Mitropoliti i Gjirokastrës, klerikët, nxënësit dhe nxënëset e shkollave kishtare së bashku me besimtarë të tjerë kryen shërbesën e kekut të Shën Vasilit.

Ndërkohë, në qytetin e Gjirokastrës ceremonia, pas meshës tradicionale në kishën e Kryeëngjëjve, është pasuar me hedhjen e kryqit në ujërat e lumit Drino.

Emiliano Lito


Arkiv historik i faqes së vjetër. Burimi: OldWebpage/Shqip/Shtypi & Publikimet/Year2011/gjrotheofania.htm