EmailFacebookKontakt
Lajme

“Ja Krishti lind lavdërojeni; ja Krishti Qiellit vjen dilni priteni;

25/12/2010
“Ja Krishti lind lavdërojeni; ja Krishti Qiellit vjen dilni priteni;

Kisha Orthodhokse

ja Krishti mbi dhenë ngrehuni; Zotin pra e këndoni lart e mbi dhé…”

“Ja Krishti lind lavdërojeni; ja Krishti Qiellit vjen dilni priteni;

Mjafton vetëm të lexojmë këtë himn dhe kuptohet shume lehtë gëzimi, madhështia dhe hareja me të cilat karakterizohet Krishtlindja.

Kjo atmosferë u përjetua dhe u ndje gjerësisht në Beratin e traditave të shumta. Zbukurimet, gatimet tradicionale, grupet e shumta rinore me yllin e Betlehemit në duar, të cilët shpallnin Lindjen e Shpëtimtarit, sollën një atmosferë ngazëlluese të Krishtlindjes.

Nuk mungoi në këto ditë të Shenjta prania e besimtarëve në shërbesat kishtare. Mijëra besimtarë ishin të pranishëm në Katedralen e Shën Dhimitrit si dhe në Kishën e Shën Spiridhonit për të ndjekur Liturgjinë e Krishtlindjes si edhe për t’u kunguar me Trupin dhe Gjakun e Zotit Krisht.

Dëgjuam në këtë ditë dhe mesazhin e përgatitur me shume kujdes nga Mitropoliti i Beratit, Vlorës, Kaninës dhe gjithë Myzeqesë Imzot Ignati. Mitropoliti në mesazhin e tij për këtë këtë festë, u përqendrua pikërisht tek simboli i Krishtlindjes, tek oferta e magëve, pra tek dhuratat.

Ai ndër të tjera në mesazhin drejtuar besimtarëve tha: “ – “Ç’të të të blatojmë o Krisht, që u duke mbi dhé si njeri për ne?”. Para gjithë këtyre dhuratave ne, çfarë kemi për t’i ofruar Perëndisë, që vjen për ne midis nesh? Nuk kemi për t’i dhënë diçka që i mungon; por kemi tri dhurata, që Ai i do, qoftë edhe nëse nuk ka nevojë për to.

Së pari , t’i dhurojmë mëkatet tona. Janë shumë, janë të rënda, por Ai i do. Mund t’i ngrejë, t’i pastrojë, t’i asgjësojë dhe të na çlirojë nga fajet shpirt-vrasëse.

Dhurata e dytë , t’i dhurojmë dashurinë. Dashurinë, që Ai na mësoi sot, me kërcimin që bëri nga froni i Tij i ndritshëm, në llumin e realiteti tonë.

Dhe së treti , t’i dhurojmë bashkimin tonë të lirë me Të . Perëndia varfërohet, që të bashkohet me ne. Mbulon urtësinë e Tij me një copë mish. Vishet me padijen e një foshnjeje të pa zë. Kërkon nga ne që ta zbulojmë.”

Kjo ditë e bukur, vazhdoi me vizitat e besimtarëve, të krerëve të komuniteteve fetare, të pushtetarëve vendor si dhe të përfaqësuesve të partive politike në ambientet e Mitropolisë së Shenjtë.

Urimet dhe festa e bekuar e Krishtlindjes u shpërngul më pas në të gjitha tryezat dhe shtëpitë e qytetarëve beratas, të cilët përgatiten gjatë për të pritur sa më mirë lindjen e Shpëtimtarit Krisht.

Nga Berati

Z. Joan Qako


Arkiv historik i faqes së vjetër. Burimi: OldWebpage/Shqip/Shtypi & Publikimet/Year2010/fberati.htm