
Pasditja e 21 dhjetorit ishte ndryshe nga të tjerat në ambientet e Akademisë Teologjike. Të gjitha zbukurimet tregonin në heshtje se edhe bredhi, edhe stolitë bashkë me dritëzat e gjendura gjithandej, e kishin gjetur domethënien e pritjes. Dukej se zbukurimet e jashtme përplotësonin shprehjen e gëzimit të brendshëm që sjell lindja e Shpëtimtarit.
Studentët e Akademisë, nxënësit e Liceut Kishtar “Kryqi i nderuar” të ardhur nga Sukthi dhe fëmijët e Shtëpisë “Shpresa” u mblodhën së bashku në një takim festiv për të kujtuar ardhjen në botë të Krishtit foshnje. Ata krijuan një atmosferë të paharrueshme, me ngjyrat e ëmbla të gëzimit.

Thjesht dhe bukur, me program plot befasi, këndime, lexime dhe interpretime origjinale nga organizatorët, u prezantua mesazhi i kësaj dite të shenjtë që më shumë se kujtdo tjetër iu përket për ta festuar me harmoni fëmijëve dhe të rinjve.
Kori i Akademisë e çeli veprimtarinë me himnin “Virgjëresha lindi sot” e më pas vijuan lexime me histori Krishtlindjesh, mesazhe nga liceistët dhe këngë e kërcime bashkë më një dramë kuptimplotë nga fëmijët.

Surprizat kishin vendin e tyre, duke ndarë bashkë me gëzimin edhe dhuratat e rastit për “fatlumët”. Kryqe, ikona, komboskina dhe dhurata të tjera për të pranishmit, që kjo festë të gjurmojë në kujtesë. Në fund të aktivitetit, programi vijoi me këngë e valle dhe një kokteil të përgatitur për të gjithë të pranishmit.
Isidor Koti
Arkiv historik i faqes së vjetër. Burimi: OldWebpage/Shqip/Shtypi & Publikimet/Year09/ShenVlash.htm