EmailFacebookKontakt
Lajme

Shfaqje teatrale për fëmijët me mesazhe Krishtlindjesh

20/12/2009
Shfaqje teatrale për fëmijët me mesazhe Krishtlindjesh

Në kuadër të festës së Krishtlindjes, edhe këtë vit, Zyra Kombëtare e Fëmijëve në bashkëpunim me studentët e vitit të parë dhe të dytë të Akademisë Teologjike organizuan teatrin me kukulla për fëmijë. Teatri titullohej “Djali i vogël daulltar” dhe u shfaq gjatë periudhës 5-20 dhjetor.

18 shfaqje u organizuan në zona të ndryshme të Shqipërisë si: Novoselë (ku u mblodhën fëmijë edhe nga fshatrat Mifol, Poro dhe Delisufaj), Rrupaj, Krutje, Berat, Kozarë, Shën Vlash, Shtëpia e Fëmijëve “Shpresa”, Rrushkull, Shtërmen, Kavajë, Korçë, Ersekë, Prespë, Drenovë, Shkodër, Vrakë, Elbasan si dhe në Tiranë (ku u mblodhën fëmijë nga qendrat e fëmijëve në Bathore, Qyteti Studenti, Shkolla e Kuqe, Qendra “Thavor” dhe fëmijë të Komunitetit Rom).

Shfaqje teatrale për fëmijët me mesazhe Krishtlindjesh

Teatri i kukullave këtë vit ishte bazuar në festën e Krishtlindjes. Historia fliste për një djalë të vogël dhe të varfër. Ai u takua me magët, të cilët kishin bërë dhurata të shtrenjta për Krishtin foshnje. Mundësitë e tij për t’i bërë dhuratë Krishtit ishin të pakta, kështu që ai i dhuroi një këngë. Mesazhi kryesor që përcillte historia ishte se nuk ka shumë rëndësi çfarë dhurojmë, por atë që japim duhet ta japim me shumë dashuri.

Para fillimit të çdo shfaqjeje, fëmijët këndonin këngë dhe zhvillonin lojëra të ndryshme. Të pranishëm ishin edhe shumë prindër që shoqëronin fëmijët e tyre. Në këtë aktivitet fëmijët kishin mundësinë të kënaqeshin dhe në të njëjtën kohë të mësonin më shumë për festën e Krishtlindjes.

Shfaqje teatrale për fëmijët me mesazhe Krishtlindjesh

Ja disa prej mendimeve të tyre:

Manjola: Teatri më pëlqeu shumë. Ishte hera e parë për mua që shihja një të tillë. Do të isha shumë e lumtur nëse teatri do të vinte edhe vitin tjetër në fshatin tim.

Enea: Është hera e dytë që shikoj teatrin me kukulla. Më pëlqen se si luajnë kukullat në skenë dhe kishin veshje të bukura. Por më shumë më pëlqeu djali me daulle dhe dhurata që ai i dhuroi Krishtit foshnje.

Shfaqje teatrale për fëmijët me mesazhe Krishtlindjesh

Remisa: Më pëlqeu shumë i gjithë programi, lojërat dhe këngët e reja që mësuam. E veçanta për mua këtë vit ishte se njoha disa shokë të rinj, të cilët nuk i njihja më parë. Shpresoj dhe do të përpiqem që kjo shoqëri të zgjasë për shumë kohë.

Amarildo Tashi


Arkiv historik i faqes së vjetër. Burimi: OldWebpage/Shqip/Shtypi & Publikimet/Year09/Kukullat.htm