Kremtimet e shumta të këtyre ditëve u finalizuan me festën e Theofanisë, ku mijëra qytetarë morën pjesë në festimet e 6 janarit, në këtë ditë kur gjithë natyra shenjtërohet me Pagëzimin e Zotit Jisu Krisht.Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi Anastas, drejtoi Liturgjinë Hyjnore dhe shërbesën e Shenjtërimit të ujërave, i shoqëruar nga kleri dhe 2 koret e kishës ai bizantin dhe ai europian. Ai shpjegoi para besimtarëve brenda dhe jashtë kishës se dita e Pagëzimit të Zotit tonë Jisu Krisht shënon edhe fillimin e misionit të tij shpëtimtar. Kjo festë quhet e dritës sepse Perëndia është drita dhe Ai u shfaq ndër ne. Ai na u shfaq duke zbuluar misterin e Trinisë së Shenjtë. Ati dëshmoi se Jisui nuk është njeri i thjeshtë, por Perëndi-njeri, ku në personin e Jisuit u bashkua natyra hyjnore me atë njerëzore.
Kryepiskopi theksoi se dita e shfaqjes së Perëndisë Triadik prej së larti përbën edhe hapjen e rrugës për të gjithë drejt shpëtimit. Në pagëzimin e Tij, Krishti fillon të predikojë ardhjen e Mbretërisë së Perëndisë. Krishti nuk kishte nevojë të pagëzohej, por na tregoi edhe ne se duhet të ecim në rrugën që Ai vetë e filloi.