EmailFacebookKontakt
Lajme

Kampi veror i Sarandës

01/01/2008

Kampi veror i Sarandës në ambient mahnitës, mes të rinjve që

përjetuan besim dhe shpresë

Në fillim

askush nuk e mendonte se në një vend të braktisur do të dëgjoheshin hapa

njerëzish dhe mbi të gjitha zëra rinorë. Me besim dhe shpresë, dëshira

për ndryshim gjeti terren. Kanë kaluar katër vjet që mrekullia në sytë e

të gjithëve tashmë e ka një identitet. Është dora e Zotit që vepron dhe

janë fëmijët e të rinjtë më shumë se kushdo tjetër, të cilët e

përjetojnë besimin dhe shpresën në një ambient mahnitës, pikërisht në

kampin veror të Manastirit të Shën Gjergjit, pranë Sarandës.

Ndonëse në

ditë të nxehta vere, freskia e pemëve dhe gjelbërimi rrotull Manastirit

të çlodhnin shpirtin. Lutjet dhe shërbesat në kishë të kridhnin në

meditim, qoftë edhe një vështrim në thellësitë e gurëve që flasin për

shekujt dhe njerëzit. Aty merr rrugë tradita dhe rëndësia e jetës pranë

Perëndisë.

Me bekimin e Kryepiskopit

Anastas dhe mbështetjen e Mitropolitit të Gjirokastrës, Hirësi Dhimitri,

kampi rinor në Manastirin e Shën Gjergjit u organizua këtë vit në datat

11-19 korrik, duke ndjekur programin tradicional, në vazhdimësi të të

gjitha kampeve që organizohen nga Kisha jonë në mbarë vendin.

Por sigurisht nuk mund të

mungonin edhe risitë, të cilat fillojnë që nga emrat e rinj të

pjesëmarrësve e deri te pagëzimet, si një moment kulmor i ditëve të

kampit, ku shumë prej katikumenëve u bënë anëtarë të Kishës së Krishtit.

Kampet

verore me të rinjtë në Mitropolinë e Gjirokastrës janë kthyer në një

ngjarje të spikatur dhe një ndër përfitimet më të rëndësishme është

mësimi i Fjalës së Zotit. Sivjet tema kryesore e kampit ishte: “Ka

shpresë”, duke iu referuar Shkrimit të Shenjtë (Rom. 15:12) dhe u

realizua nga bashkëpunimi i Zyrës së Rinisë me Zyrën e Katekizmit.

Kampi

përbëhej nga nxënës të Liceut Kishtar “Kryqi i Nderuar” në Gjirokastër

dhe nxënës të shkollës së mesme profesionale “Frymë Dashurie” në

Mesopotam, si dhe të rinj të ardhur nga zona të ndryshme të Mitropolisë.

Dita e kampit niste me shërbesën e Mëngjesores dhe më pas të rinjtë

zhvillonin një bisedë shpirtërore, duke folur secili grup për shenjtin e

grupit të tyre.

Kishte

histori interesante për jetë shenjtorësh si Shën Gjergji, Shën

Harallambi, Shën Dhimitri, me qëllim që të njiheshin me veprimtarinë e

tyre dhe pse jo më vonë t’i imitojnë në jetën e tyre shpirtërore.

Programi ishte i pasur me

aktivitete të ndryshme sportive, kohë argëtimi, plazh në ujërat e detit

Jon dhe konkurse në fushat e ndryshme të dijes. Kampi i Kishës sonë

është një moment shumë i rëndësishëm në jetën e të rinjve, sepse ata

edhe argëtohen, por edhe marrin mësime të vyera që do të shërbejnë shumë

në jetën e tyre. Kujtimet e këtij kampi u fiksuan në celuloid, por më

shumë në zemrat e pjesëmarrësve, të cilët u kthyen në shtëpitë e tyre me

kujtimet më të bukura nga ky aktivitet brilant.

Isidor Koti

Burimi arkivor: OldWebpage/Shqip/Shtypi & Publikimet/year08/kampiSR.htm


Arkiv historik i faqes së vjetër. Burimi: OldWebpage/Shqip/Shtypi & Publikimet/year08/kampiSR.htm