EmailFacebookKontakt
Lajme

Studentët orthodhoksë të Universitetit të Tiranës festojnë ardhjen e Krishtlindjes

19/12/2006
Studentët orthodhoksë të Universitetit të Tiranës festojnë ardhjen e Krishtlindjes

Studentët orthodhoksë të fakulteteve të ndryshme të Universitetit të Tiranës u mblodhën së bashku pasditen e së martës në Qendrën Studentore, më 19 dhjetor për të festuar ardhjen e Krishtlindjes. Salla e takimeve ishte e mbushur nga më shumë se 70 studentë, të cilët morën pjesë në programin festiv që ishte organizuar nga drejtuesit e kësaj qendre. Bashkë me urimet, këngët e festës, dhuratat dhe fishekzjarret, atmosfera festive krijoi një ngjarje të veçantë në Qytetin Studenti.

I ftuar për të folur në takimin e fundit të këtij viti me studentët orthodhoksë ishte dhjakon Hektori. Ai foli për rëndësinë e kësaj feste në jetën e çdo të krishteri “Ne festojmë Krishtlindjen dhe harrojmë Krishtin. Krijuesi i universit bëhet pjesë e krijimit të Tij. E bëri këtë gjë në mënyrën më të thjeshtë. Midis shumë dritave të botës, ne të krishterët thirremi të meditojmë për këtë mister”

Studentët orthodhoksë të Universitetit të Tiranës festojnë ardhjen e Krishtlindjes

Më pas, studentët lexuan histori të ndryshme Krishtlindjesh, iu lutën së bashku Krishtit foshnje, duke përgatitur një kartolinë të veçantë urimi, të cilën e vendosën në grazhdin e vendosur në një cep të sallës. Edhe pse në një shi të imët, ata dolën në ambientin e jashtëm të qendrës dhe ndezën fishekzjarrët e festës, duke uruar njëri-tjetrin për më shumë gëzim dhe besim më Krishtin.

Nga kjo festë mbresëlënëse, të gjithë studentët u larguan me një dhuratë të bukur, e cila përmbante një mesazh Krishtlindjesh, një qiri dhe një bllok shënimesh – kujtim i paharruar nga Qendra Studentore e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.

Isidor Koti


Arkiv historik i faqes së vjetër. Burimi: OldWebpage/Shqip/Shtypi & Publikimet/christmas06/student06.htm