
Në datën 2 gusht u zhvilluan veprimtaritë me rastin e 11-vjetorit të fronëzimit si Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë, të Fortlumturisë së Tij, Prof.Dr.Anastasit
Në mëngjesin e ditës jubilare u celebruan Shërbesat e Shenjta të Mëngjesores, Bekimit të pesë bukëve dhe Liturgjia Hyjnore në Katedralen Orthodhoksë të Ungjillëzimit të Perëndilindëses në Tiranë, nën drejtimin e Kryepiskopit Anastas. Shërbesa e bekimit të pesë bukëve, sipas traditës liturgjike Orthodhoksë, i paraprin një Liturgjie festive Hyjnore, duke cilësuar madhështinë e kësaj mbledhjeje adhuruese. Njëkohësisht në këtë shërbesë i kërkohet Perëndisë që ashtu si vajin, grurin dhe verën, të bekojë edhe shtimin e të mirave materiale që do të kontribuojnë në përparimin e veprës bamirëse të Kishës.

Në Liturgjinë Hyjnore, me Fortlumturinë e Tij, Kryepiskopin Anastas, bashkëmeshonte edhe Hirësia e Tij, Mitropoliti i Korçës , Imzot Joani. Për të ndjekur këtë Liturgji dhe për t’u lutur së bashku me dy Hierarkët, ishin të pranishëm edhe shumë klerikë të nderuar, përfaqësues të institucioneve arsimore, filantropike dhe shëndetësore në varësi të Kishës, të Lidhjes Rinore "Bij të Dritës", të Lidhjes së Gruas "Shërbimi i Dashurisë, intelektualë dhe besimtarë të shumtë nga të katër dioqezat.
Në fund të Liturgjisë Hyjnore, në emër të klerit dhe të popullit shpresëtar orthodhoks, uroi Kryepiskopin Anastas për këtë përvjetor, Kryesekretari i Sinodit të Shenjtëm, Protopresviter Jani Trebicka. Ai kujtoi vështirësitë që shoqëruan ceremoninë e fronëzimit 11 vjet më parë.
"Njerëz keqdashës të Kishës,- tha ai,- kundërshtuan fronëzimin, sepse donin që të vazhdonin vitet e ateizmit dhe që Kisha të kthehej në një gjë pa vlerë. Këtij grupi iu kundërvu masa e madhe e besimtarëve të etur për fjalën e Perëndisë. Falënderoj Perëndinë që na dërgoi këtë bari të madh që në vend të shpatës kishte kryqin e Zotit tonë Jisu Krisht dhe besimin e madh, duke përdorur shprehjen "Nuk do të na braktisë Perëndia". Fortlumturi, kur thurrje plane për ringritjen e Kishës sonë Orthodhoksë, na dukej çudi realizimi i tyre. Por Perëndia nëpërmjet jush i bëri të gjitha të mundura. në përjetuam një ëndërr që çuditërisht u bë realitet në Kishën Orthodhoksë Autoqefale të Shqipërisë, nën drejtimin tuaj, o Kryebariu ynë…".
Në vazhdim At Jani Trebicka radhiti të gjitha arritjet e Kishës pas daljes nga persekutimi i egër ateist.
Mitropoliti i Korçës, Imzot Joani në fjalën e Tij nënvizoi: "Ndoshta mund të pyesim veten së pse i kujtojmë gjërat që në i dimë. Një nga fjalët kyç të Shkrimit të Shenjtë është fjala "kujto". Perëndia i kërkoi popullit të Izraelit që çdo vit të kujtonin çlirimin e tyre nga skllavëria. Nëse nuk kujtojmë së çfarë ka bërë Perëndia për në është shumë e vështirë që të kemi në shpirt ndjenjë falënderimi.
Perëndia na dërgoi një njeri që me mundin e tij, mençurinë, energjitë dhe gjithçka tjetër e dha për të rindërtuar këtë Kishë. Kjo gjë duhet kujtuar çdo vit që do të jetë Kisha mbi dhé që do të thotë përjetësisht. Në këtë përvjetor falënderoj Perëndinë dhe Kryepiskopin Anastas, që derdhi gjithçka që kishte akumuluar në jetën e tij në Kishën tonë. Gjithashtu, le t’i lutemi Zotit që t’i japë jetë të gjatë Kryepiskopit për përparimin e Kishës sonë. Perëndia e bekoftë, e shenjtëroftë dhe e mbroftë Kishën tonë."
Në fund të këtyre urimeve, e mori fjalën edhe Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë, prof. dr. Anastasi:
"Dua të falënderoj me gjithë zemër dy bijtë e mi të parë dhe shumë të shtrenjë, Mitropolitin Joan e At Jani Trebickën, të gjithë klerikët dhe besimtarët e pranishëm, për ndjenjat që shfaqni ndaj personit tim të përulur. Përkujtimi i kësaj ngjarjeje nuk lidhet me aktivitetet njerëzore, por është një dhuratë e Perëndisë. Nuk është thjesht një zakon, por është një lutje falënderimi për Perëndinë për gjithçka. Ishte një moment profetik dita e 2 gushtit 1991, kur në bëmë takimin e parë me klerikët e paktë që kishin mbijetuar. Dhe Perëndia deshi që të ishte përsëri data 2 gusht, dita kur u rehabilitua Kisha e Tij, me fronëzimin e Kryepiskopit. ..Kisha jonë këmbëngul që në të kujtojmë. Dhe kjo jo për të lavdëruar njerëzit, por për të lavdëruar Perëndinë për të gjitha gjërat që na ka dhuruar, sepse çdo gjë bëhet për dashurinë dhe lavdinë e Tij.
Këtë vit ndodhi një ngjarje tjetër e madhe, dhënia e lejes për ndërtimin e një katedraleje në qendër të Tiranës, siç ka qenë më përpara. Si kjo, Perëndia na ka dhënë edhe bekime të tjera të shumta vitin që kaloi…
Do të doja të theksoja edhe diçka tjetër. Më tepër kujdes në thellësi të zemrës sonë. Të jemi më tepër njerëz të qashtër dhe të pastër dhe të mos ngelemi në sipërfaqe. Të jemi më tepër njerëz të përulur, të gatshëm për të shëruar plagët që ekzistojnë në mjedisin tonë dhe më gjerë. Të jemi më tepër njerëz të lutjes duke u përpjekur të fuqizojmë besimin t onë dhe dashurinë tonë për Krishtin. Kjo është dhe qëndresa më thelbësore ndaj ndërhyrjeve të të ligut. Si përfundim duhet të jemi më tepër të krishterë të pastër orthodhoksë. Më shumë përpjekje për shenjtërim. Ky është mesazhi i përvjetorëve. Dhe të lidhur me njëri-tjetrin të ecim përpara duke ditur së Kryetari i Kishës sonë është vetë Zoti ynë Jisu Krishti".
Kjo ditë e vazhdoi aktivitetin përkujtimor, me shtrimin e Një dreke nga Kryepiskopi Anastas për të gjithë të pranishmit në mjediset e Manastirit të Shën Vlashit, në Durrës. Gjatë kësaj dreke, të gjithë klerikë e laikë përfituan nga rasti për të uruar dhe falënderuar Kryepiskopin Anastas për përkushtimin e tij në ringritjen nga themelet të Kishës Orthodhoksë të Shqipërisë. Ata shprehën vendosmërinë e tyre për të qëndruar në krah të Kryepiskopit në rrugën e nisur.
Kryepiskopi Anastas ua ktheu urimin duke i vizituar ata personalisht dhe duke folur përzemërsisht me ta duke shkëmbyer nën trokitjen e gotave urime dhe ndjenja falënderimi. Ai iu drejtua grupit të të rinjve me këto fjalë: "Ju nuk bëni pjesë vetëm në familjen tonë këtu, por edhe në një familje më të madhe rinore Orthodhoksë. Bëhuni gati për përgjegjësi të reja. E di që secili prej jush ofron në Kishë një ndihmesë të veçantë atje ku gjendeni dhe për këtë ju falenderoj".
Në fund të drekës Kryepiskopi Anastas e mori sërish fjalën duke iu treguar të pranishmëve kujtime nga vështirësitë e viteve të tij të para në Shqipëri. Ai tha së ëndërrat e tij për rindërtimin e Kishës sonë nuk mbarojnë këtu.
"Dua t’ju kujtoj,- iu drejtua ai të pranishmëve, – fjalën e Perëndisë, "Bëhuni të shenjtë ashtu sikurse Unë jam i shenjë" ( Eksodi 11:44). Secili prej nesh ka mundësi dhe duhet të japë më shumë në punën e tij brenda Kishës. Kjo gjë nuk kufizohet vetëm në sasinë dhe cilësinë e punës, por shkon më thellë në dimensionin shpirtëror. Të gjithë në jemi të thirrur për t’u bërë të shenjtë dhe duhet të përdorim të gjitha mjetet për të arritur në shenjtërim. Kjo është një mundësi që na përket dhe që duhet ta arrijmë të gjithë".
Tashmë është kthyer në një traditë që kjo ditë festive të mbyllet me shërbesën e Efqelisë, që u krye në kishën e Shën Vlashit. Po kështu, efqeli u bënë në të katër dioqezat. Pasi morën fuqi të reja shpirtërore dhe ripërtëritje trupore, pjesëmarrësit u larguan për në vendet e tyre, duke marrë me vete kujtimet e bukura të kësaj ditë që do t’i shoqërojnë në aktivitetin e tyre.
Arkiv historik i faqes së vjetër. Burimi: OldWebpage/Shqip/Shtypi & Publikimet/11vjetori.htm