EmailFacebookKontakt
Lajme

Kremtimi i hierodëshmorit të shenjtë Vlashi në Manastirin e Shën Vlashit, Durrës

11/02/2001
Kremtimi i hierodëshmorit të shenjtë Vlashi në Manastirin e Shën Vlashit, Durrës

e Shën Vlashit, Durrës

11 shkurti, e kremtja e S hën Vlashit, mblodhi në manastirin e ri me të njëjtin emër pranë Durrësit, qindra besimtarë për adhuruar Perëndinë dhe për t’iu lutur shenjtorit çudibërës që të ndërmjetojë pranë Perëndisë.

Kremtimi i hierodëshmorit të shenjtë Vlashi në Manastirin e Shën Vlashit, Durrës

Në Liturgjinë Hyjnore morën pjesë shumë besimtarë të zonës përreth dhe të ardhur nga qytetet e tjerë të vendit, si edhe pedagogët e studentët e Akademisë Teologjike “Ngjallja e Krishtit” etj. Në mbrëmjen e një dite më parë, u krye edhe Mbrëmësorja e Madhe, Kanoni lutësor (Paraklisi) i së Tërëshenjtës Mari dhe Pasdarka e Vogël. Lutjet e shumë besimtarëve të cilët ishin grumbulluar në kishë dhe përreth manastirit vazhduan deri në agimin e ditës së festës.

Studentët dhe pedagogët e Akademisë Teologjike kishin përgatitur një organizim model të kësaj të kremteje, duke pritur me qindra besimtarë dhe duke iu shërbyer atyre në çdo kohë.

Drejtori i Akademisë, Hirësi Ilia Ketri, përshëndeti të gjithë besimtarët e pranishëm: “Gëzuar nga mot e për shumë vjet. Më lejoni t’ju përcjell urimet dhe përshëndetjet e përzemërta atërore të Kryepiskopit Anastas dhe Sinodit të Shenjtë të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Urimet më të mira me rastin e festës së bekuar të Shën Vlashit të gjithë ju besimtarëve që ndoqët me shpresëtari shërbesat e shenjta, gjithashtu edhe besimtarët e mbarë Shqipërisë që vijnë me shpresëtari në këtë vend të shenjtë dhe të bekuar. Perëndia ju bekoftë me ndërmjetimet e Shën Vlashit!”

Si çdo vit, predikimin e kësaj të kremteje gjatë Liturgjisë Hyjnore e mban një prej studentëve të Akademisë Teologjike. Këtë herë, i takoi studentit të vitit të katërt Joan Qako, nga Berati, i cili përcolli tek besimtarët mesazhin e festës, duke theksuar se nëse duam që të quhemi bij të Perëndisë dhe të trashëgojmë premtimet e dhëna, le të imitojmë Shën Vlashin dhe dashurinë e pastër të krishterë që ai na mësoi me jetën e tij të përulur. “Vëllezër e motra në Krishtin, le t’i lutemi Perëndisë që të kemi dashuri për njëri-tjetrin. Shën Vlashi ndjeu që shpirti i tij kishte nevojë t’i lutej Perëndisë, u lut dhe arriti të donte jo vetëm Perëndinë, por të gjithë ata që e rrethonin, madje edhe ata që e torturonin, sepse pa se të gjithë ishin krijesat e Perëndisë. Ai tregoi në këtë mënyrë një dashuri që i përfshinte të gjithë”, tha ai në predikim.

Pas Liturgjisë Hyjnore festa vazhdoi. Për klerikët, pedagogët, studentët dhe besimtarët e ardhur në Manastirin e Shën Vlashit ishte përgatitur një drekë e veçantë, gjatë së cilës u përcollën urime të shumta, u kënduan këngë etj., në një atmosferë plot me gëzim dhe dashuri vëllazërore.

Isidor Koti


Arkiv historik i faqes së vjetër. Burimi: OldWebpage/Shqip/Shtypi & Publikimet/krstvlash.htm