EmailFacebookKontakt

Zvërnec – mbi 300 të rinj orthodhoksë pushuan dhe u lutën së bashku

Nga 27 qershor – 7 gusht, në natyrën e mrekullueshme të ishullit të Zvërnecit, pranë Manastirit të vjetër të Fjetjes së Shën Marisë, u zhvillua kampingu i të rinjve orthodhoksë. Tashmë një traditë në konsolidim, kampingu i sivjetshëm ishte ndarë në tri ndërresa, sipas grupmoshave, që nga nxënësit e tetëvjeçares e deri tek studentët. Në të morën pjesë të rinj që janë dalluar për ardhjen dhe veprimtarinë në kishat dhe enoritë e tyre dhe vinin nga të gjitha anët e vendit. Në të tre turnet morën pjesë mbi 300 të rinj orthodhoksë, plus organizatorët e drejtuesit e grupeve, me at shpirtëror At Theologun.

Dita niste me ngritjen e flamurit dhe Shërbesën e Mëngjesores, për të vazhduar me bisedat për Ungjillin e ditës. Pastaj ndërsa një pjesë e djemve shkonin në plazh, një grup kryente punët e ndryshme të kampit dhe një tjetër përgatiste drekën. Pas drekës, vijohej me pushimin e lojëra të ndryshme, deri në orën 19.15, kur fillonin bisedat e lira shpirtërore. Pastaj kryhej Mbrëmësorja, darkohej, bëhej shërbesa e Pasdarkës dhe të rinjtë shkonin në Vlorë, për t’u çlodhur e përgatitur për një ditë të re, me program po aq intensiv e të pasur.

Një atmosferë të veçantë i dhanë kampingut dy vizitat e Fortlumturisë së Tij Anastasit, i cili kreu bashkë me ta Liturgjinë Hyjnore e Shërbesa të tjera, si dhe zhvilloi bashkëbisedime të ngrohta e atërore, që do mbeten të pashlyera nga kujtesa e të rinjve.

Gjithashtu, kampingun e Zvërnecit e vizitoi edhe Mitropoliti i Beratit, Hirësia e Tij Ignati.

Daniel Skënderi