EmailFacebookKontakt

“Zoti i dërgoi çlirimin popullit të tij”

“Zoti i dërgoi çlirimin popullit të tij”
(Psalmi 111:9)

Errësira e thellë e mosnjohjes së Perëndisë kishte mbuluar me frikë dhe supersticion tokën. Të gjithë popujt qëndronin “në errësirë dhe në hijen e vdekjes” (Lluka 1-79).

Popuj të qytetëruar dhe jo të qytetëruar, të kulturuar dhe të pakulturuar, banorët e qytetit dhe njerëzit e egër të xhunglës, të lirët dhe skllevërit, të gjithë njerëzit aspironin çlirimin prej prishjes e vdekjes dhe heqjen e hallkës së mëkatit, i cili mbretëronte me të gjithë shtrirjen e vet në botë. Nga kudo dëgjohej britma therrëse:

“Mjerë unë njeriu! Kush do më shpëtojë nga ky trup i vdekjes?” (Romanët 7:24).

Asnjë sakrifikim, asnjë ofrim, asnjë doktrinë nuk kishte fuqi që t’iu jepte njerëzve çlirimin e vyer. Të dekurajuar dhe të zhgënjyer nga filozofitë, nga bota dhe nga vetvetja e tyre, prisnin me llahtarë çlirimin prej qiellit.

Filozofi Sokrat (një dritë e vogël në errësirën e lashtësisë), kishte thënë: “Tani jeni në gjumë, derisa Perëndia t’ju dërgojë ndonjë nga qielli, që t’ju zgjojë nga gjumi”. Ishte popthuajse mbarënjerëzore bindja se Perëndia do t’ju dërgonte njerëzve të tokës nga qielli dhuratën e çlirimit. Dhe ja: “Kur erdhi të mbushurit e kohës, Perëndia dërgoi të Birin e tij…, që të marrin birësimin” (Gallatianët 4:4-5). Kur u plotësua koha, kur erdhi koha e përshtatshme, e cila ishte caktuar brenda planit hyjnor, dërgoi Perëndia prej qiellit në tokë Birin e Tij. Por si e dërgoi çlirimin dashuria e Perëndisë?

Me një LINDJE. Me një GRAZHD. Me një FOSHNJE, i cili u bë SHPËTIMTAR dhe ÇLIRUES. Me një përulësi të thellë dhe të madhe të Birit të Tij. Zoti dhe Krijuesi i qiellit dhe i tokës, nuk donte të lindte në qendrat e mëdha të asaj epoke. Por zgjodhi fshatin e vogël të Vithlehemit dhe në Vithlehem, nuk zgjodhi ndonjë shtëpi të bukur apo ndonjë dhomë komode, por grazhdin e kafshëve. Pa VITHLEHEMIN dhe GRAZHDIN nuk do të mundim të kapim dhe të konceptojmë misterin e ÇLIRIMIT. Dhe Vithlehemi e Grazhdi së bashku, na ftojnë që të përkulemi, të përulemi, ta kuptojmë dhe ta kërkojmë frymën e përulur të Vithlehemit.

Të gjitha, brenda natës së Krishtlindjeve, na flasin me mijëra gjuhë për misterin e urdhërimit dhe të përulësisë. Fjala merr trup, e mbyllur, e vendosur, për nëntë muaj brenda barkut virgjëror të Hyjlindëses. Misteri është i pakapshëm, pasi asnjëherë deri atëherë bota nuk e kishte jetuar Perëndinë si ngjarje të brendshme. Asnjëherë Perëndia nuk kishte qenë brenda tij, por ndodhej në dialog me njeriun. Sonte në Grazhdin e Vithlehemit lind vetë Perëndia. I nënshtruar në mënyrë të pakonceptueshme me një përulësi të madhe, në të gjitha hallkat e krijesës së tij. Zoti vazhdimisht zbret. Zbret nga qielli në tokë, në Vithlehem, në grazhd, në Nazaret.

Përkulet, lan këmbët e nxënësve të Tij dhe mbi Kryq arrin në përulëjen më ekstreme. Dhe ndërsa do të mundej që të vinte me legjione Engjëjsh dhe Kryeëngjëjsh, të imponohej me mijëra mënyra, Ai zgjedh rrugën e përulësisë. Nga Grazhdi deri në Kryq.

“Zoti i dërgoi çlirimin popullit të tij”

Por a e kemi shijuar vallë ne këtë çlirim? Le të lavdërojmë me gjithë zemrën tonë Çliruesin dhe le të jemi vigjilentë.

Kurse ata, të cilët nuk e kanë shijuar Çlirimin, le të dëgjojnë mesazhin e grazhdit, mesazhin që sjell Perëndia ynë, që është përpara jetës.

Çlirimin do ta gjejmë vetëm afër Krishtit. Të lidhur me Atë me përulësi, me besim, me dashuri.

Njerëz të shekullit të 21, që u skllavëruat nga makinat tuaja, nga pasionet tuaja dhe nga egoizmat tuaj. Përulësia është “anija kozmike” me të cilën mund të fluturojmë dhe të mbërrijmë në vendin e Çlirimit.