Muajin e kaluar, Kisha jonë militante Orthodhokse përcolli për në Kishën Triumfale një personalitet kishtar bashkëkohor, Patrikun e Aleksandrisë, Parthenin.
Patriku Parthen u lind në Port Said të Egjiptit, në vitin 1919 dhe qysh në moshë të re veten e vet ia përkushtoi Kishës, së cilës i shërbeu pa u lodhur për 57 vjet me radhë, si dhiak, presviter, Mitropolit i Kartagjenës dhe nga viti 1987, si Patrik.
Ai kishte një formim kishtar të shumanshëm, dije dhe përvojë. Me pjesëmarrjen e tij shumëvjeçare në dialogjet me Kishat e ndryshme heterodhokse dhe më gjerë, në lëvizjen ekumenike dhe udhëtimet e tij nëpër të pesë kontinentet, zgjeroi horizontin e vet shpirtëror, por dhe kontribuoi së tepërmi. Njëkohësisht, qysh nga viti 1944 u muarr dhe me punë krijuese, me studime të pavarura, monografi historike me vlerë dhe artikuj të ndryshëm në shtypin kishtar.
Si Patrik u dallua në punën për unitetin dhe bashkëpunimin e mirë midis Patrikanave dhe Kishave Orthodhokse. Me udhëtimet e tij nëpër kontinentin afrikan tregoi dashuri ndaj të gjithëve pa dallim, larg dallimeve raciale në grigjën e tij, ku bënin pjesë raca, popuj dhe gjuhë të ndryshme. Gjatë kohës së Tij si Patrik, u zgjodh për herë të parë anëtar i Sinodit të Hirshëm të Patrikanës së Aleksandrisë një Mitropolit afrikan.
Varrimi i Hierarkut të humbur u bë në Aleksandri më 30 korrik. E ndoqën përfaqësues të Kishave Orthodhokse, por edhe shumë heterodhokse, si dhe përfaqësues diplomatë të shteteve të ndryshëm dhe autoritetet egjiptiane, së bashku me popullin besimtar.