EmailFacebookKontakt

Zhvilloi punimet Kuvendi kleriko-laik për probleme të sotme të Kishës

Morën pjesë përfaqësues klerikë dhe laikë nga të gjitha dioqezat

Të enjten, më 21.1.1993 në një nga sallat e Seminarit Orthodhoks të Durrësit u mbajt Kuvendi kleriko-laik për probleme që dalin sot para Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Në kuvend morën pjesë klerikët nga i gjithë vendi, si dhe përfaqësues civilë të të gjitha dioqezave e zëvendësive, ndërmjet të cilëve edhe mjaft gra, si dhe studentë të Seminarit dhe të Universitetit të Tiranës. Pasi u kënduan himne drejtuar Perëndisë, kuvendin e hapi Kryepiskopi i Tiranës e i gjithë Shqipërisë Anastas. Në fjalën e tij, ndër të tjera ai tha se ky kuvend është i dyti pas atij të mbajtur në Tiranë në gusht të vitit 1991. Konferenca e Tiranës ishte më e kufizuar në pjesëmarrje, pasi merrnin pjesë vetëm klerikët që kishin mbetur pas asaj përndjekje të gjatë 25-vjeçare, e të gjithë në moshë të kaluar, si dhe laikë. Kurse Kuvendi i sotëm është i përmasave më të mëdha. Në të marrin pjesë edhe 35 klerikë, priftërinj e dhiakonë të hirotonisur në këto dy vitet e fundit. KOASH ka sot Kryepiskopin e saj dhe i lutemi Perëndisë, që së shpejti të ketë edhe Sinodhin e saj të shenjtë. Sot Shqipëria ka një Kishë Orthodhokse Autoqefale të organizuar me seminarin e saj për përgatitjen e klerikëve të rinj, ka gazetën e saj “Ngjallja”, sektorin e ndërtimeve e restaurimeve të kishave, ka kurset e katekizmit për të rritur e fëmijë që zhvillohen në çdo kishë. Kisha jonë sot është pranuar si anëtare me të drejta të plota në Konferencën Evropiane të Kishave, së shpejti do të zërë vendin e vet, që e ka pasur që para Luftës II Botërore edhe me Këshillin Botëror të Kishave.

Sot Kisha jonë ndodhet përballë problemesh të shumta, që janë trashëguar nga periudha e gjatë 50-vjeçare e persekutimit të egër komunist, të cilat po bëhen përpjekje të mëdha për t’u kapërcyer me ndihmën edhe të kishave të tjera motra. Por njëkohësisht asaj po i shkaktohen edhe disa probleme artificiale nga disa njerëz, qëllimi i të cilëve është përçarja fetare dhe shkatërrimi i KOASH-it. Natyrisht ne nuk do të lejojmë të biem viktima të fanatizmit fetar, por duke vazhduar rrugën e Perëndisë, të Zotit tonë Iisu Krisht, do të punojmë për ringritjen e plotë të Kishës sonë Orthodhokse, për predikimin e Ungjillit, duke i qëndruar besnikë gjithçkaje të bukur që kemi trashëguar.

Pastaj u lexuan pjesë nga Dhiata e Re, nga letra e Apostull Pavlit drejtuar filipianëve të cilën e lexoi z. Dh. Beduli dhe kreu 12 nga Ungjilli sipas Llukait, që e lexoi at Gaqo Petri.

Kryepiskopi Anastas komentoi pastaj pjesët e lexuara duke i lidhur me problemet që përballon kisha jonë sot, me vështirësitë dhe kapërcimin e tyre me guxim të krishterë. Çdo shkrim i Ungjillit nuk i përket thjeshtë së kaluarës, por përcakton qëndrimin e çdo të krishteri për çdo kohë. Ne jemi mbledhur në emrin e Iisu Krishtit dhe Ai vetë na ka thënë se aty ku janë mbledhur dy apo tre vetë e flasin në emrin tim, jam edhe unë. Prandaj, çdo gjë bëhet në emrin e Krishtit dhe Ai është midis nesh, ai do të na frymëzojë e drejtojë për lavdinë e Kishës sonë.

Pas faljes, fjalën e mori at Petro Thanasi i kishës së Durrësit, i cili mbajti një kumtesë për unitetin e KOASH-it. Ai u ndal në organizimin e Kishës, në unitetin e saj, në analizën e asaj se kush e cënon këtë organizim e unitet, ç’qëllim ka kjo lëvizje antiorthodhokse dhe ç’detyra dalin para Kishës e çdo orthodhoksi. Duke përshkruar rrugën e kaluar nga Kisha jonë këto dy vitet e fundit, ai tha se qe fat për KOASH-in që patrikana Ekumenike solli si eksark patriarkal Imzot Anastasin, i cili më vonë u zgjodh me kërkesën tonë Kryepiskop i saj. Sot, tha ai, Kisha jonë i ngjan një anijeje në mes të detit të dallgëzuar, por që ka kapitenin e saj.

Sekretari i KP të KOASH-it z. Aleko Dhima i njohu pastaj pjesëmarrësit me projektligjin e ri që është hartuar nga Qeveria dhe Komisioni i ligjeve i Parlamentit për marrëdhëniet me komunitetet fetare. Ne, theksoi ai, jemi dakort me projektligjin e paraqitur nga Qeveria, i cili kërkon ndarjen e Shtetit nga Komunitetet fetare dhe pavarësinë e këtyre të fundit. Por nuk jemi dakort me amendamentet që synohet t’i bëhen nga qarqe të caktuara, që kërkojnë t’i venë Komunitetet fetare nën vartësinë e plotë të shtetit e të Parlamentit, të cilat godasin në radhë të parë e kryesisht Kishën tonë Orthodhokse. Sipas shtojcave në krye të këtyre komuniteteve e të organizatave fetare duhet të jenë vetëm nënshtetas shqiptarë e me kombësi shqiptare, çka i mohon të drejtën për të qënë në krye të Kishës sonë Fortlumturisë Anastas, përderisa të përgatitet një klerik shqiptar që të plotësojë kushtet, por u heq njëkohësisht të drejtën edhe minoriteteve të tjera që të kenë njerëzit e tyre në krye të organizatave fetare e të kishës.

At Joan Trebicka nga Korça foli për qëndrimin e Kishës e të besimtarëve orthodhoksë të kësaj dioqeze, për shkëputjen e plotë të Kishës nga shteti. Ai theksoi se për problemet e saj Kisha vendos vetë dhe shteti duhet t’i përmbahet Konventës ndërkombëtare që ka nënshkruar për lirinë e besimeve fetare. Ai bëri thirrje që në rast se Parlamenti miraton këtë projektligj, të gjithë të bashkohen me Peticionin e dioqezës së Korçës që të mbyllen kishat kudo në Shqipëri dhe e gjithë bota ta marrë vesh se po rikthehet përsëri viti 1967 i errësirës komuniste dhe se KOASH-i po persekutohet dhe ata që do ta bëjnë këtë do të mbajnë përgjegjësi para historisë.

Vaskë Kolaci nga Korça theksoi se armiqtë e Kishës po e fillojnë me orthodhoksërinë, se ajo është më e brishta e më e pambrojtura. Armiqtë e saj duan t’i heqin kryetarin e shtëpisë për ta përçarë e shkatërruar atë, gjë të cilën nuk do ta arrijnë kurrë.

At Spiro Veli famulltar i Elbasanit, prift nga më të vjetrit, që nga vitet e paraluftës, foli për fazat që ka kaluar Kisha jonë që nga viti 1992 e këtej, për vështirësitë e persekutimit që i është bërë asaj, duke synuar gjithmonë, në radhë të parë, për ta lënë pa krye, sepse kështu ajo do të bëhej një trup pa kokë, pa të cilën nuk mund të jetojë. Kështu po veprohet edhe sot nga armiqtë e Kishës sonë. Kryehirësia e tij duhet të qëndrojë këtu derisa të bëhet një kryepiskop shqiptar orthodhoks. Në emër të besimtarëve orthodhoksë elbasanas e të të gjithë zonave të Gollobordës e Peshkopisë, i kërkojmë Presidentit të Republikës e Parlamentit tha ai, të respektojnë të drejtat dhe traditat tona.

Z. Mihal Masho nga minoriteti i Gjirokastrës u shfaq kundër miratimit të shtojcave të këtij projektligji nga Parlamenti. Orthodhoksinë në Shqipëri kërkojnë ta përçajnë në shqiptarë, grekë, rumunë, sllavë, ndërsa ne na bashkon një Perëndi, Krishti. Kjo tha ai do të na hiqte mundësinë ne minoritarëve të kishim priftërinjtë tanë në krye dhe do të na përçante me vëllezërit tanë me Krishtin, orthodhoksët shqiptarë.

Z. Josif Qari nga Vlora, shprehu mendimet e 3500 besimtarëve të krishterë nga zona e Novoselës, që shteti të mos përzihet në punët e komunitetve fetare se kjo përbën shkelje të të drejtave të njeriut. Jemi dakort tha ai me propozimin e at Joan Trebickës nga Korça, mbështesim plotësisht qënien në krye të Kishë sonë të Kryepiskopit Anastas.

Znj. Pavlina Deda nga Elbasani, falenderoi Kryepiskopin Anastas, gjithë klerikët dhe ata që po punojnë e luftojnë për ngjalljen e Kishës sonë orthodhokse. Në emër të grave e nënave të Elbasanit kërkoi që Kryepiskopi Anastas të qëndrojë në krye të Kishës sonë Orthodhokse, që ajo të mos merret nëpër këmbë por të përparojë e lulëzojë për këtë, tha ajo.

Aleksandër Petani, student seminarist nga Shkodra, tha se jam i autorizuar nga Kisha e populli orthodhoks i Shkodrës, t’ju them se mbështesim plotësisht Kryehirësinë e tij Anastas në krye të Kishës sonë. Këto shtojca të projektligjit kanë për qëllim jo thjeshtë për të larguar Kryepiskopin Anastas, por për të shkatëruar Kishën tonë, për ta lënë atë pa krye. Ju ftoj, tha ai, të dalim me një qëndrim të përbashkët, e të hartojmë një peticion drejtuar Presidentit e Parlamentit, që askush të mos ndërhyjë në punët e Kishës.

Miron Çavo tha se gjatë dy mijë vjetëve që kur është krijuar Kisha jonë në Shqipëri ka kaluar shumë vështirësi e pengesa. Edhe vështirësitë e sotme janë të kësaj natyre. Për këtë ai iu referua edhe Ungjillit. Por, tha ai, na vjen çudi që pas atij terrori gjysmëshekullor të djallit të kuq, përsëri sot kur thuhet se kemi një shtet e një Parlament demokratik, përsëri po luftohet e goditet Kisha jonë dhe kreu i saj.

At Mihai Dako dhe at Jorgo Zaro nga Gjirokastra theksuan se shtojcat e projektligjit të paraqitur në Parlament në dëm të orthodhoksisë dhe se disa njerëz kërkojnë ta tërheqin edhe shtetin e ri demokratik në gabimet e regjimit komunist, në kundërshtim me konventat dhe aktet ndërkombëtare që vetë udhëheqësit e shtetit tonë i kanë nënshkruar.

Në emër të studentëve të Universitetit të Tiranës përshëndeti studenti Andi Nikolla. Ai tha se rinia studentore është përkrah KOASH-it. Ai kërkoi në emër të tyre që Parlamenti të mos votojë projektligje që janë në kundërshtim me të drejtat e njeriut e të drejtën e tij për besim duke theksuar se ata i kanë drejtuar Peticion Presidentit e Parlamentit, të nënshkruara nga 1000 studentë të UT të të gjithë besimeve, në mbrojtje të KOASH-it.

Teologu Teodor Papapavli foli për ngjalljen e Kishës Orthodhokse në Shqipëri, duke theksuar se kjo ngjallje i dedikohet plotësisht Kryepiskopit tonë Anastas. Largimi i tij, tha ai, do ta ndërpriste këtë rrugë ngjalljeje. Parlamenti nuk duhet të bjerë pre e makinacioneve të një grushti njerëzish, të cilët duke u fshehur pas anonimatit, hiqen sikur janë shumë, kurse në realitet janë shumë pak. Parlamenti duhet të përcjellë dëshirën e komuniteteve fetare që janë të përfaqësuar në këtë kuvend. Duhet njohur gjithashtu se konkretisht Kryepiskopi mbetet i tillë edhe sikur të largohet padrejtësisht, deri sa ai të japë vetë dorëheqjen.

Kuvendi miratoi qëndrimin e përbashkët të besimtarëve orthodhoksë shqiptarë rreth këtij problemi dhe i drejtoi një peticion Presidentit të Republikës, zotit Sali Berisha, Kryetarit të Parlamentit, zotit Pjetër Arbnori dhe kryeministrit, zotit Aleksander Meksi.

Sipas pikës së dytë të rendit të ditës u bënë zgjedhjet për në Këshillin e Përgjithshëm të KOASH-it dhe në këshillat e kryepiskopatës së Tiranës dhe të mitropolive të Korçës, Beratit, Gjirokastrës, të cilat u miratuan unanimisht nga delegatët e Kuvendit.

Anëtarë të Këshillit të përgjithshëm u zgjodhën:

Kryepiskopata e Tiranës:
Kryepiskop Anastasi, At Gaqo Petri – Tiranë, At Petro Thanasi – Durrës, At Spiro Veli – Elbasan, At Kristaq Xhoxhi – Kavajë, Dhimitër Beduli – Tiranë, Aleko Dhima – Tiranë, Petraq Jorgo – Durrës, Violeta Pistuli – Shkodër, Pavlina Dede – Elbasan, Dhimitër Todi – Kavajë.

Mitropolia e Korçës:
At Kristo Raci – Korçë, At Joan Trebicka – Korçë, At Todi Jovani – Pogradec, At Pandi Plaku – Korçë, Vaskë Stase – Korçë, Trajan Veri – Korçë, Koço Lushi – Pogradec, Kiço Tytymçe – Bilisht, Koli Prifti – Ersekë.

Mitropolia e Beratit:
At Kozma Qirio – Vlorë, At Vangjel Xoxe – Berat, At Ilia Prifti – Lushnjë, Zoi Mitrushi – Lushnjë, Marko Veshka – Fier, Mihallaq Hanxhari – Vlorë.

Mitropolia e Gjirokastrës:
At Mihai Dako – Derviçan, At Romano Tralo – Përmet, At Kristo Papa – Delvinë, Dhjakon Kostandin Dashi – Sarandë, At Klarko Papasava – Dhërmi, At Mihal Masho – Gjirokastër, Dhimitër L. – Përmet, Ilia Baçi – Delvinë, K. Papanikolla – Sarandë, Pano Konomi – Himarë.

Këshilli i Përgjithshëm i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë:

Kryepiskopi Anastas, kryetar; At Gaqo Petri, përfaqësues arqihieratik – Tiranë; At Kristo Raci, përfaqësues arqihieratik – Korçë; At Kozma Qirio, përfaqësues arqihieratik – Vlorë; At Mihai Dako, përfaqësues arhieratik – Gjirokastër; At Jani Trebicka – Korçë, At Petro Thanasi – Durrës, at Vangjel Xoxe – Berat, Thodhori Nikolla – Gjirokastër, Dhimitër Beduli, sekretar i KOASH për çështje eklesiastike – Tiranë, Aleko Dhima, sekretar i KOASH për çështje administrative – Tiranë, Koço Lushi – Pogradec, Ilia Zaka – Berat, Kristo Kola – Gjirokastër, Naum Terço (zëvendës) – Korçë, Marko Veshka (zv) – Fier, Mihai Masha (zv) – Dropull.

Gjithashtu u ngrit grupi i hartimit të projektstatutit të KOASH-it, i cili pasi miratohet në Konferencën e ardhshme kleriko-laike, do t’i paraqitet për miratim Kongresit të tretë Kishëtar.

Në mbyllje u këndua psalmi “I Lartë me ty, o Zot”.

Korresp. i “Ngjalljes”