EmailFacebookKontakt

Zhvilloi punimet Këshilli Kleriko-Laik për probleme të ndryshme të Kishës

Zhvilloi punimet Këshilli Kleriko-Laik për probleme të ndryshme të Kishës
Morën pjesë përfaqësues klerikë dhe laikë nga të gjitha dioqezat

Të enjten, më 21.1.1993, në një nga sallat e Seminarit Orthodhoks të Durrësit u mbajt Këshilli Kleriko-Laik për probleme që dalin sot para Kishës sonë. Në kuvend morën pjesë klerikët nga i gjithë vendi, si dhe përfaqësues civilë të të gjitha dioqezave e zëvendësive, ndërmjet të cilëve edhe mjaft gra, si dhe studentë të Seminarit dhe të Universitetit të Tiranës.

Pasi u kënduan himne drejtuar Perëndisë, mbajti fjalën hyrëse Kryepiskopi i Tiranës dhe i Gjithë Shqipërisë, Anastasi. Në fjalën e tij, ndër të tjera, ai tha se ky këshill është i dyti pas atij të mbajtur në Tiranë në gusht të vitit 1991. Konferenca e Tiranës ishte më e kufizuar në pjesëmarrje, pasi të pranishëm ishin vetëm klerikët që kishin mbetur pas përndjekjes së plotë 25-vjeçare, të gjithë në moshë të kaluar, si dhe laikë. Kurse mbledhja e sotme është e përmasave më të mëdha. Në të marrin pjesë 35 klerikë, priftërinj e dhjakonë të hirotonisur dy vitet e fundit. Kisha jonë ka sot Kryepiskopin e saj dhe, i lutemi Perëndisë, që së shpejti të ketë edhe një Sinod të Shenjtë.

Sot, Shqipëria ka një Kishë Orthodhokse Autoqefale të organizuar, me seminarin e saj për përgatitjen e klerikëve të rinj, ka gazetën e saj “Ngjallja”, sektorin e ndërtimeve e restaurimeve të kishave, si dhe kurset e katekizmit për të rritur e fëmijë që zhvillohen në çdo enori. Kisha jonë është pranuar si anëtare me të drejta të plota në Konferencën Evropiane të Kishave, së shpejti do të zërë vendin e vet, që e ka pasur që para Luftës II Botërore edhe në Këshillin Botëror të Kishave.

Sot, Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë përballet me problematika të shumta, të trashëguara nga periudha e gjatë 50-vjeçare e persekutimit të egër komunist, për kapërcimin e të cilave po bëhen përpjekje të mëdha, me përkrahje edhe nga kisha të tjera motra. Njëkohësisht, asaj po i shkaktojnë edhe probleme artificiale nga disa njerëz, qëllimi i të cilëve është përçarja fetare dhe shkatërrimi i Kishës sonë. Natyrisht, nuk do të lejojmë të biem viktima të fanatizmit fetar, por duke vazhduar rrugën e Perëndisë, Zotit tonë Jisu Krisht, do të punojmë për ringritjen e plotë të Kishës sonë, për predikimin e Ungjillit, duke i qëndruar besnikë gjithçkaje të bukur që kemi trashëguar”.

Pas fjalës së Kryepiskopit u lexuan fragmente nga Dhiata e Re, nga letra e Apostull Pavlit drejtuar Filipianëve, të cilën e lexoi z. Dh. Beduli si dhe nga Ungjilli sipas Llukait (kap.12), që e lexoi atë Gaqo Petri.

Kryepiskopi Anastas komentoi fragmentet biblike, duke i lidhur me problemet aktuale të Kishës sonë, vështirësitë dhe kapërcimin e tyre me guxim të krishterë. “Çdo shkrim i Ungjillit nuk i përket thjesht së kaluarës, por përcakton qëndrimin e çdo të krishteri për çdo kohë. Ne jemi mbledhur në emrin e Jisu Krishtit dhe Ai vetë na ka thënë se aty ku janë dy apo tre vetë të mbledhur në emrin tim, jam edhe unë me ta. Prandaj, çdo gjë bëhet në emrin e Krishtit dhe Ai do të na frymëzojë e drejtojë për lavdinë e Kishës sonë” – u shpreh Fortlumturia.

Pas lutjeve, atë Petro Thanasi i kishës së Durrësit mbajti një kumtesë për unitetin e Kishës. Ai u ndal në organizimin kishtar, në unitetin e saj, në analizën e asaj se kush e cenon këtë organizim e unitet, ç’qëllim ka kjo lëvizje antiorthodhokse dhe ç’detyra dalin para Kishës e çdo orthodhoksi. Duke përshkruar rrugëtimin e Kishës së Shqipërisë gjatë dy viteve të fundit, është bekim i madh që patrikana Ekumenike solli si Ekzark patriarkal Imzot Anastasin, i cili më vonë u zgjodh me kërkesën tonë Kryepiskop i saj. Sot, – tha ai, – Kisha jonë i ngjan një anijeje në mes të deti të dallgëzuar, por që ka kapitenin e saj.

Sekretari i Këshillit të Përgjithshëm të Kishës sonë, z. Aleko Dhima i njohu pjesëmarrësit me projektligjin e ri që është hartuar nga Qeveria dhe Komisioni i ligjeve i Parlamentit për marrëdhëniet me komunitetet fetare. Ne, – theksoi ai, – biem dakord me projektligjin e paraqitur nga Qeveria, i cili kërkon ndarjen e Shtetit nga Komunitetet fetare dhe pavarësinë e këtyre të fundit. Por nuk i pranojmë amendamentet që synohet t’i bëhen atij nga qarqe të caktuara, të cilat kërkojnë t’i venë Komunitetet fetare nën vartësinë e plotë të shtetit e të Parlamentit. Këto godasin në radhë të parë e kryesisht Kishën tonë Orthodhokse. Sipas shtojcave, në krye të këtyre komuniteteve e të organizatave fetare shkruhet se duhet të jenë vetëm nënshtetas shqiptarë e me kombësi shqiptare, çka i mohon të drejtën për të qenë në krye të Kishës sonë Fortlumturisë Anastas, për sa kohë të përgatitet një klerik shqiptar qe të plotësojë kushtet, por u heq njëkohësisht të drejtën edhe minoriteteve që të kenë njerëzit e tyre në krye të organizatave fetare e të kishës.

Atë Joan Trebicka nga Korça foli për qëndrimin e Kishës e të besimtarëve orthodhoksë të kësaj dioqeze, për shkëputjen e plotë të Kishës nga shteti. Ai theksoi se për problemet e saj Kisha vendos vetë dhe shteti duhet t’i përmbahet Konventës ndërkombëtare që ka nënshkruar për lirinë e besimeve fetare. Ai bëri thirrje që në rast se Parlamenti miraton këtë Projektligj, të gjithë të bashkohen me Peticionin e dioqezës së Korçës që të mbyllen kishat kudo në Shqipëri dhe e gjithë bota të shohë se po rikthehet viti 1967 i errësirës komuniste, se Kisha jonë po persekutohet. Ata që do ta shkaktojnë këtë do të mbajnë përgjegjësi para historisë…

U zgjodh Këshilli i Përgjithshëm i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë- Kryepiskopi Anastas, kryetar; Atë Gaqo Petri, përfaqësues arkihieratik, Tiranë; Atë Kristo Raci, përfaqësues arkihieratik, Korçë; Atë Kozma Qirio, përfaqësues arkihieratik, Vlorë; Atë Mihal Dako, përfaqësues arhieratik, Gjirokastër; Atë Jani Trebicka, Korçë; Atë Petro Thanasi, Durrës; Atë Vangjel Xoxe; Berat; Atë Thodhori Nikolla, Gjirokastër, Dhimitër Beduli, sekretar për çështjet kishtare, Tiranë; Aleko Dhima, sekretar për çështjet administrative, Tiranë; Koço Lushi, Pogradec; Ilia Zaka, Berat; Kristaq Kola, Gjirokastër; Naum Terova (zëvendës), Korçë, Marko Veshka (zv.), Fier, Mihal Masha (zv), – Dropull.

Gjithashtu, u ngrit grupi i hartimit të projektstatutit të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.

Thoma Qendro
Durrës, janar 1993

Çast nga një orë mësimi në Seminarin e parë Orthodhoks të Shqipërisë, të vendosur në një godinë në plazhin e Durrësit.
Në këtë godinë zhvilloi punimet edhe Asambleja Kleriko-Laike e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, në janar 1993.