EmailFacebookKontakt

Zhvillohet veprimtaria me temë: “Krishterimi Orthodhoks në Shqipëri, në 20 shekuj”

Në datën 15 dhjetor 2022, në kuadër të infrastrukturës kërkimore shkencore europiane RESILIENCE, “Albanian University”, në bashkëpunim me Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë dhe Kolegjin Universitar “LOGOS”, zhvilluan aktivitetin me temë “Krishterimi Orthodhoks në Shqipëri, në 20 shekuj”.

Aktiviteti u hap nga prof. dr. Kaliopi Naska, e cila, në fjalën e saj, vuri theksin në rëndësinë e këtij programi, i cili bashkon komunitetet fetare për të sjellë në vëmendjen e të gjithëve, brenda dhe jashtë vendit, kontributet për kulturën, trashëgiminë kulturore, historinë dhe vlerat e krijuara e të ruajtura ndër shekuj nga këto komunitete në Shqipëri.

Prof. asoc. dr. Genta Rexha prezantoi për të pranishmit infrastrukturën kërkimore shkencore RESILIENCE, që synon të nxjerrë në pah përmes këtyre aktiviteteve thesaret e fshehura të kulturës fetare të vendit tonë, për t’i bërë të disponueshme për të gjithë kërkuesit, studiuesit dhe palë të tjera të interesuara.

Për Kishën tonë Orthodhokse, Episkopi i Bylisit, Hirësi Asti, dha një panoramikë mbi “Krishterimin në mijëvjeçarin e parë në Shqipëri”. Më pas, studiuesi dr. Thoma Shkira, pedagog në Kolegjin Universitar “Logos”, shoqëruar edhe me imazhe të shumta nga vepra të ndryshme të kultit dhe artit, referoi temën “Krishterimi (Orthodhoks) në mijëvjeçarin e dytë në Shqipëri”.

Prezantimet ngjallën mjaft interes tek të pranishmit, duke përforcuar interesin për t’u bërë pjesë e aktiviteteve të ardhshme në kuadër të këtij programi.

Të pranishëm në aktivitet ishin edhe rektori i “Albanian University”, prof. dr. Pavllo Kongo, përfaqësues të Komunitetit Shtetëror të Kulteve, pedagogë etj.

Në fund të veprimtarisë, Episkop Asti i dhuroi Universitetit disa botime për historinë e Krishterimit Orthodhoks në Shqipëri.

Dr. Thoma Shkira
Pedagog në Kolegjin Universitar “Logos”