Me prezencën e Presidentit të Republikës së Francës, Emanel Macron, kryetares së Bashkisë së Parisit Anne Hidalgo, është zhvilluar në kryeqytetin francez takimi ndërkombëtar me temën “Immaginare la Pace”, një takim i organizuar nga Komuniteti i Sant’Egidio-s, në datat 22-24 shtator 2024. Në këtë takim të niveleve të larta morën pjesë klerikë përfaqësues nga të gjitha besimet në botë. Mitropoliti i Korçës, Hirësi Joani ishte përfaqësues nga Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, dhe mbajti me këtë rast temën që vijon:
Solidaritet me të varfrit dhe paqen
Kisha ka një traditë të gjatë të mësimit të saj mbi solidaritetin me të varfrit dhe paqen. Elementët kryesorë që përcaktojnë përgjigjen e Kishës ndaj varfërisë, solidaritetit dhe paqes janë dashuria dhe dinjiteti për çdo person, cilido qoftë ai. Është e drejta e çdo njeriu që të trajtohet me dinjitetin e tij të lindur dhe shoqëria duhet të drejtohet drejt kësaj të mire. Strukturat socio-ekonomike që i mbajnë njerëzit në varfëri janë të padrejta dhe kërkojnë përmirësim. Ata që shtypin të varfrit, tregojnë përbuzje ndaj Krijuesit të tyre, por ata që janë të mirë me nevojtarët e nderojnë atë (Prov. 14:31).
Në një nga tekstet më të vjetër të Kishës, Didakia, të krishterët urdhëroheshin të ndanin me të tjerët gjithçka kishin: “Nëse ju keni të përbashkët atë që është e përjetshme, sa më shumë duhet ta keni atë që është kalimtare.” Ligjëratën e tij “Mbi dashurinë për të varfrin”, Shën Grigor Theologu e fillon me një rishikim të virtyteve të ndryshme të krishtera dhe e përfundon se mbi të gjitha virtytet duhet ta shikojmë dashurinë, si të parin dhe më të lartin nga urdhërimet, meqenëse ajo është përmbledhja e Ligjit dhe e profetëve. Shprehjen më vitale të saj ai e gjente në dashurinë për të varfrit dhe dhembshurinë për njerëzit. Duhet të kujtojmë vazhdimisht se vepra e parë e Krishtit ishte t’u predikonte ungjillin të varfërve (Lk. 4:18). Kisha, e cila vazhdon veprën shpëtimtare të Krishtit, duhet të kujdeset gjithashtu për këtë.
Paqja është një kombinim i drejtësisë dhe solidaritetit. Nuk mund të ketë paqe nëse nuk ka drejtësi dhe nuk mund të ketë drejtësi nëse nuk ka solidaritet. Luftërat janë rezultat i shkeljes së të drejtave të njerëzve, i shfrytëzimit të individëve apo vendeve dhe lakmisë, të cilat krijojnë gjithmonë varfëri dhe konflikte. Agjenda e OKB-së 2030 për zhvillimin e qëndrueshëm pohon: “Nuk mund të ketë zhvillim të qëndrueshëm pa paqe dhe nuk mund të ketë paqe pa zhvillim të qëndrueshëm”. Varfëria ekstreme është edhe produkt i konfliktit por edhe shkak i tij. Ajo nxit zhgënjimin dhe mungesën e shpresës, të cilat janë përbërësit kryesorë në gjenerimin e dhunës. Historia ka treguar mijëra shembuj se si lufta dhe konfliktet çojnë në varfëri dhe shkatërrim, dhe varfëria çon në konflikte të mëtejshme, duke krijuar kështu një rreth vicioz. Lufta në Ukrainë dhe Gaza, si dhe konfliktet në shumë pjesë të botës, na tregojnë dëmin e madh të luftës dhe vuajtjet dhe varfërinë e miliona njerëzve. Ato janë një thirrje e fortë për të gjithë ne që të përpiqemi të ndalojmë luftërat, të bëjmë paqe kudo ku ka konflikt dhe të jemi në solidaritet me të varfrit dhe nevojtarët. Duke luftuar varfërinë, reduktojmë mundësinë e konfliktit dhe duke shmangur konfliktet, ka më shumë mundësi për të siguruar paqe.
Solidariteti ripohon idenë se njerëzit janë krijuar si qenie komunitare dhe janë të thirrur të jetojnë në unitet për të mirën e përbashkët, dhe duke ruajtur dinjitetin e çdo personi njerëzor. Ne jemi të gjithë vëllezër dhe motra. Vëllazëri dhe solidaritet nuk nënkupton vetëm të ndjejmë keqardhje për të tjerët, por të marrim pjesë në dhimbjen e tyre dhe të veprojmë për të mirën.
Solidariteti është një shprehje e ndërlidhjes sonë. Shën Pavli na ndihmon të kuptojmë realitetin e kësaj ndërlidhjeje përmes një analogjie me trupat tanë fizikë. Sepse, sikurse në një trup, ne kemi shumë pjesë dhe të gjitha pjesët nuk kanë të njëjtin funksion, kështu edhe ne, megjithëse shumë, jemi një trup në Krishtin… Dhe nëse vuan një gjymtyrë, të gjitha gjymtyrët vuajnë; kurse po të nderohet një gjymtyrë, të gjitha gjymtyrët gëzohen bashkë me të”. (Rom. 12:14;1 Kor.12:26). Pa solidaritet dhe pa vëllazëri nuk mund të kemi as liri dhe barazi.
Është detyrim dhe thirrje për të gjithë ne, që të ndërtojmë paqen në solidaritet me të varfrit. Si shpresëtarë, duhet të bazohemi në Shkrimin e Shenjtë dhe në traditën e pasur të Kishës. “I Zotit është dheu dhe gjithçka në të” thotë Psalmisti (Ps. 24:1). Pasuria është dhuratë e Zotit për të gjithë njerëzit dhe jo vetëm për disa prej tyre. Ne nuk jemi pronarë të saj, por vetëm kujdestarë. “Ju nuk po i bëni dhuratë të varfrit nga pasuria juaj. Ju po i dorëzoni atij atë që është e tij” – thotë shën Ambrozi i Milanos.
Pasuria, në vetvete, është neutrale, por varet nga mënyra se si e shohim atë. Kur e konsiderojmë si pronë personale, abuzojmë me pronën e Zotit dhe këtu është burimi i çdo krize ekonomike dhe sociale. Krizat ekonomike, luftërat dhe varfëria burojnë nga krizat shpirtërore. Pa shëruar këto të fundit, nuk mund ta shërojmë atë ekonomike dhe nuk mund të kemi paqe dhe pa paqe do të kemi gjithnjë luftëra e varfëri. Ne duhet të përpiqemi të inkurajojmë të gjitha pjesët e shoqërisë që në qendër të politikave të tyre të kenë nevojat e më të varfërve. Siç tha Mahatma Gandhi: Madhështia e një kombi matet nga mënyra sesi ai trajton anëtarët e tij më të dobët.
Ndoshta nuk jemi në gjendje për t’i sugjeruar alternativa konkrete globalizimit ekonomik dhe as nuk kemi ekspertizën për të zhvilluar politika dhe praktika komplekse ekonomike për të rregulluar ekonominë globale. Por, ne duhet të jemi të pranishëm në jetën e përditshme të shoqërisë, për të përhapur, jo vetëm me fjalë, po me vepra dhe me shembull personal, frymën e ngrohtë të dashurisë dhe dhembshurisë ndërmjet njerëzve, për të mos ta lënë shoqërinë njerëzore të ngrijë nga era e akullt e egoizmit dhe të fragmentohet nga indiferenca dhe apatia. Gjithashtu, duhet të jemi gjithmonë të gatshëm dhe krijues për të punuar brenda proceseve dhe mundësive të shoqërive të lira për të ndërtuar një strukturë sociale ku i varfëri të mos jetë thjesht një objekt lëmoshe i të pasurit, por që ata të kenë shansin për të punuar dhe për të marrë pjesë në resurset e njerëzimit. Në këtë mënyrë i varfëri do të ketë dinjitet, sepse më shumë sesa bukë, qenia njerëzore ka nevojë për dinjitet dhe respekt, një dinjitet që ia ka dhuruar vetë Krijuesi kur e krijoi sipas ikonës së Tij.
Prioriteti i Kishës Orthodhokse ka qenë gjithmonë Ungjilli i Mbretërisë së Perëndisë. Por ajo e kupton këtë Ungjill të rëndësishëm edhe në këtë jetë. Prandaj është përpjekur për të ruajtur balancën, pa kundërvënie dhe pa zgjedhur njërin dhe neglizhuar tjetrin, ndërmjet Ungjillit të Mbretërisë, ku përfshihet vepra pastorale për shpëtimin e njeriut dhe Ungjillit Social, ku përfshihet ushqyerja e të varfërve, kujdesi shëndetësor dhe arsimor dhe mbrojtja e të dobëtëve, sepse të dy aspektet janë të rëndësishëm dhe të ndërlidhur.
Guximi i madh i Etërve në çështjet shoqërore është i njohur. Për shën Joan Gojartin, ofrimi i altarit nuk është asgjë nëse nuk shtrihet në ofrimin e të varfërve. “Doni të nderoni Trupin e Shpëtimtarit? – pyet shën Joan Gojarti, duke komentuar Ungjillin sipas Mattheut. Dhe përgjigjet – Mos e përbuz atë kur është i zhveshur. Mos e ndero brenda në kishë me veshje të mëndafshta, ndërsa jashtë është lakuriq dhe i ngrirë nga të ftohtët. Ai që tha: ‘Ky është trupi im’, dhe e bëri kështu me anë të fjalës së Tij, është i njëjti që tha: ‘Më patë të uritur dhe më ushqyet. Gjithë sa i bëtë njërit prej këtyre vëllezërve të mi më të vegjël, ma keni bërë mua’. Nderojeni atë pra duke e ndarë pasurinë me të varfrit. Sepse Perëndia nuk ka nevojë për kupa të arta por për shpirtra të artë.”
Si përfundim, besoj se Zoti dëshiron që ne të dëgjojmë britmën e të varfërve dhe t’i ndihmojmë ata. Me këtë rast, falënderoj Komunitetin e Sant Egidios, të pranishëm në mbarë botën, që jo vetëm dëgjon britmën e të varfërve dhe nevojtarëve, por edhe i përgjigjet nevojës së tyre.