Më 18 nëntor 2025 u zhvillua mbledhja e Bordit të Presidencës së Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë (KNFSH). Takimi u hap dhe u drejtua nga Kryetari i KNFSH-së, Mons. Gjergj Meta, i cili në fjalën e tij përshëndetëse bëri një homazh për Kryepiskopin e ndjerë Anastas, i cili ishte një ndër etërit themelues të KNFSH-së në vitin 2007. Më pas ai i uroi mirëseardhjen në Bordin e Presidencës Kryepiskopit të ri, Fortlumturi Joanit, Kryepiskop i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë dhe Pastor Erion Sylarit, kreut të ri të Vëllazërisë Ungjillore të Shqipërisë. Një pjesë e rëndësishme e takimit iu kushtua Planit Strategjik 2025-2028 të KNFSH-së, hartuar nga një grup pune me përfaqësues nga Bordi Ekzekutiv, Departamenti i Gruas dhe i Rinisë. Bordi i Presidencës falënderoi gjithashtu këtë grup pune për angazhimin dhe punën e bërë në hartimin e tij.
Më pas znj. Sheldiana Jano Agaraj paraqiti raportin e detajuar financiar dhe juridik për vitin 2025.
Në mbledhje morën pjesë përfaqësuesit më të lartë të pesë komuniteteve fetare të Shqipërisë: Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, i përfaqësuar nga Haxhi Bujar Spahiu; Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, përfaqësuar nga Fortlumturia e Tij Joani, Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë; Kisha Katolike e Shqipërisë, përfaqësuar nga Mons. Gjergj Meta, Kryetar i Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë dhe njëkohësisht kryetar i Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë për vitin 2025; Kryegjyshata Botërore Bektashiane, e përfaqësuar nga Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve H. Dede Edmond Brahimaj; si dhe Vëllazëria Ungjillore e Shqipërisë, përfaqësuar nga Pastor Erion Sylari.